Koço Broka: A mund të kemi një garë konstruktive alternativash?!

Megjithëse fushata elektorale do 2-3 muaj që të vi, premtimet paraelektorale kanë filluar rëndshëm nga të gjithë forcat politike. Dikush bën premtim për dyfishim rritje pagash , pensionesh, dikush për dividend zero dhe jo me, ulje tatim taksash kontributesh...
Nga ana tjetër janë miratuar disa ligje mjaft interesante për kontrollin e shpenzimeve buxhetore dhe deficitit buxhetor në vite elektorale. Megjithatë ende nuk po botohet buxheti faktik i 2016, sipas kalendarit të botimeve. Nga ana tjetër këtë kontroll nuk e bën dot më FMN e cila ka përfunduar marrëveshjen me Qeverinë. Mund ta bëjnë vetëm shqiptarët dhe jo ambasadorët. Në këtë rrafsh lind e nevojshme që programet dhe premtimet para elektorale të mbajnë parasysh gjendjen fiskale financiare të vendit dhe sidomos nivelin e borxhit faktik të vitit 2016, për ta krahasuar me tavanin e vendosur ligjërisht për vitin 2017. Kjo hapësirë mendoj se i duhet bërë e qartë publikut. Në se bëhet kjo besoj se forcat politike do të bëhen objektivisht më të vetëdijshme për premtimet e tyre dhe sidomos për gjetjen e alternativave reale dhe të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik, pra të bëhet garë alternativash dhe jo garë premtimesh. 
Në kushtet kur gati gjithë forcat politike janë angazhuar në këtë garë a-premtimesh, jam ndalur në shifrat kokëforta, që nuk e bëjnë aq të këndshëm shkrimin por kërkojnë që të paktën drejtuesit e Partive Politike të mbajnë parasysh situatën fiskale të vendit. 
Kjo kërkon që Ministrat sidomos ai i Financave të bëjë punën e tij të publikojë si deficitin ashtu dhe borxhin publik për vitin 2016.
Në se nuk e bën këtë (ka shkelur afatet e publikimit të buxhetit faktit për vitin 2016) lind e nevojshme ta detyrojnë deputetët (në një Republikë Parlamentare Qeveria kontrollohet nga deputetet). 
Në se nuk e bëjnë as këta të fundit këtë, futet në lojë media shoqëria civile, opinioni publik, ekspertët... 
Është koha kur këta të fundit ta thonë fjalën e vet pa u trashuar ende premtimet.

Koço Broka pasqyron idetë e tija në lidhje me situatën ekonomike në vend

“Partia iu tha të mos i besonit syve dhe veshëve tuaj. Ky ishte urdhri i fundit dhe më i rëndësishëm i saj.” - Xhorxh Oruell 1984
Pyetja e shtruar që në titull është më se e natyrshme për këdo që ka jetuar dhe ka vendosur të vazhdojë të jetojë në Shqipëri. Kjo për faktin se deri tani gjatë zgjedhjeve ka pasur një garë të shfrenuar premtimesh elektorale, kush do të punësojë 250 mijë vete e kush 300 mijë vetë, ndërsa çështja e punësimit kur mbetesh i papunë se ndryshuan partitë politike ose e një të riu, është një çështje reale. Zor se kanë mbetur tani zgjedhës që kënaqen si Nastradini me erën e qofteve dhe jo me vetë qoftet. Por nëse premtimet e shumë partive janë kaba, natyrisht nuk është e lehtë të zgjedhësh, përveç militantëve partiakë që janë të gatshëm të mos u besojnë syve dhe veshëve të tyre, por porosisë së Partisë, që gjithsesi s’kanë asgjë të përbashkët me njerëzit me bindje të majta apo të djathta. Pa filluar fushata kanë filluar premtimet për dyfishimin e pagave, për rritjen e pagës minimale, pensionit, etj nga njëra anë dhe ato për uljen e tatim- taksave kontributeve, dividend zero nga ana tjetër. Natyrisht premtimi për dividend zero, megjithëse shumë më joshës se taksat dhe kontributet e ulëta, e hedh topin në dijen dhe padijen ekonomike të zgjedhësve dhe rolin e njohurive ekonomike në zgjedhje. Ata që e paguajnë dhe e dinë se çdo të thotë dividend zero, përbëjnë në fakt një pakicë, që mund të hedhin para me shumicë në fushatën zgjedhore, por gjithsesi nuk përbëjnë në vetvete shtresën që përcakton se kush fiton shumicën e votave. Por ajo është një sinjal dhe ofertë e drejtpërdrejtë për të ftuar paguesit e dividendit, ta hedhin paranë lumë gjatë fushatës zgjedhore. Kështu me sa duket po krijohen të gjithë gjasat që valës të përplasjeve të këtyre ditëve, t’i shtohet edhe derdhja varda e parasë gjatë fushatës zgjedhore. 
Por nga ana tjetër, ka lajme që sinjalizojnë se ka ardhur koha që qytetarët, shoqëria dhe zgjedhësit në këtë vit elektoral, ja vlen që të ndërgjegjësohen me disa njohuri ekonomike. Të tilla janë ligji i miratuar vitin e kaluar ”LIGJ Nr. 57/2016 PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 9936, DATË 26.6.2008, “PËR MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR. Disa nga kërkesat kryesore të tij janë: 
Së pari: “Buxheti programohet dhe zbatohet duke mbajtur parasysh këto parime: Qëndrueshmërinë e borxhit publik, që konsiston: a) në çdo ligj vjetor të buxhetit, fillestar apo të rishikuar, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, raporti i borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto do të planifikohet më i ulët se niveli i vlerësuar për vitin pararendës, deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto;” 
Se dyti: “Kontrolli i ekzekutimit të buxhetit në vitet elektorale:-“Në vitet buxhetore, gjatë të cilave mbahen zgjedhjet e përgjithshme, ekzekutimi i deficitit buxhetor të qeverisjes së përgjithshme, përveç rasteve të jashtëzakonshme, të parashikuara në nenin 4/4, të këtij ligji, bëhet në përputhje me përcaktimet e këtij neni si më poshtë: a) ekzekutimi i deficitit deri në fund të tremujorit të parë të vitit buxhetor nuk mund të jetë më i lartë se 30 për qind e deficitit vjetor të përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor; b) ekzekutimi i deficitit deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit buxhetor nuk mund të jetë më i lartë se 55 për qind e deficitit vjetor të përcaktuar në ligjin e buxhetit vjetor;” Por jo me pak rëndësi ka fati se me ligjin e buxhetit të shtetit për vitin 2017 është vendosur që stoku total i borxhit publik të jetë 1 103 miliard leke e 25 milion leke, kur ai i vitit 2016 parashikonte:- “Stoku i borxhit shtetëror (pa përfshirjen e detyrimeve të prapambetura) vlerësohet të arrijë në 1 105 514 milionë lekë”. Pra ka pasur një vullnet ligjor mjaft të qartë të mazhorancës, nga njëra anë për t’u angazhuar në uljen relative të nivelit të borxhit në raport me PBB, deri sa të arrijë në nivelin 45 % te PBB por dhe ne ulje në terma absolute të tavanit të borxhit publik, Natyrisht kjo politikë është ndikuar në një masë jo të vogël drejtpërdrejt nga FMN, por edhe nga qëndrimi e huajve për të mos financuar buxhetin në vitet e ardhshme. Nëse i referohesh KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL PËR PERIUDHËN 2018 – 2020, rezulton se nga viti 2018 është parashikuar që borxhi i jashtëm jo vetëm do të ulet në terma relative por edhe në terma absolutë. Mjafton të thuhet se stoku i borxhit publik të huaj parashikohet të ulet nga niveli prej 32 % e PBB-së ne vitin 2016, në 24.3% në vitin 2020. Por nëse iu referohesh shifrave të shërbimit të borxhit (Interesave të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm plus ripagesën e principalit të borxhit të jashtëm) rezulton se ai rritet kreshendo nga viti në vit në periudhën 2016-2020. Po ti shtohet kësaj rritjeje dhe thellimi i deficitit të sigurimeve shoqërore, bëhet për shumëkënd e qartë se ky qëndrim i njohur për konsolidimin fiskal nuk është thjesht kërkesë e të huajve, por produktik i gjendjes së aftësisë paguese të buxhetit për të mos qenë në gjendje për të paguar shërbimin e borxhit publik. Është e njohur se dhe më parë janë ndërmarrë angazhime të tilla ligjore lidhur me borxhin p.sh dhe më parë ishte parashikuar me ligj që borxhi publik të mos tejkalonte nivelin e 60 % të PBB. Por nga zbatimi i tij u hoq dorë. Madje pretendohet se në vend të taksës së sheshtë prej 10 %, propozohet që ajo të shtrihet edhe për kontributin e sigurimeve shoqërore ndërsa dividendi për kapitalin e madh të behet zero. Ndërsa në një shtet ligjor ka rëndësinë e vet ligji me përmbajtjen e vet, ne vendin tonë kryesorja mbetet zbatimi i ligjit. Natyrshëm lind pyetja:-A ka vullnet që ky ligj për konsolidimin fiskal të zbatohet e të paktën të kontrollohet nga miratuesit e tyre ?! A ka vullnet të paktën të kontrollohet nga deputetët që kanë qenë pjesë e mazhorancës por janë distancuar prej saj?! Ndërsa në vetvete kjo duket nj çështje e thjeshtë teknike çështje numrash, për të cilin zor se kush ka interes jam i mendimit se ky vullnet kontrolli i deputetëve ndaj Ministrit të Financave e për rrjedhojë të Qeverisë do të ishte një hap shumë i rëndësishëm drejt një gare konstruktive për alternativat e zhvillimit të qëndrueshëm në vitet e ardhshme. Kam bindjen se, në se nuk e bëjnë këtë vetë deputetët që kanë ngritur kartonin jeshil për këto ligje tashmë në fuqi ka një mundësi tjetër, vendin e garës konstruktive gjatë fushatës që po afron ta zërë, gara e përplasjeve dhe premtimeve kaba. Kjo varet drejtpërdrejt nga votuesit e këtyre ligjeve sidomos nga gatishmëria e atyre që pritet të jenë kandidatë për deputetë. Është në vullnetin e tyre të shtrojnë pyetjen si është realizuar zbatimi i këtyre ligjeve jo vetëm në tremujorin e parë, të vitit 2017, por dhe gjatë vitit 2016. Vonesat në publikimin e buxhetit faktit të vitit 2016, po vënë në dyshim vullnetin për kontrollin e zbatimit të këtyre ligjeve. Ndërkohë ka një fushë të gjerë interpretimi midis detyrimeve që iu ngarkon ligji, deputetëve dhe ministrave dhe kodit etik, që po konsiderohet dhe vlerësohet në jo pak raste, si kodi i heshtjes të vartësve ndaj qëndrimeve të eprorëve, ku ka vend për simbolin japonez të tre majmunëve, nuk shikoj, nuk dëgjoj, nuk flas. Ky qëndrim me sa duket ushqehet, nga mënyra e zgjedhjes të kandidatëve për deputetë, e cila varet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga vullneti i kryetarëve të partive politike dhe jo nga ajo çfarë je dhe çfarë je i zoti të bësh si kandidat për deputet.