KLSH: Shkelje në prokurime dhe shfrytëzim të pronës publike, dëmi, 20 milionë lekë

921
Sigal

Pr.raporti/ Auditimi i ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare në Bërxull, qarku Tiranë

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) auditoi në Komunën Bërxull, duke i kushtuar vëmendjen e posaçme çështjeve që lidhen me: Zbatimin e rekomandimeve të lëna nga auditimet e mëparshme, vlerësimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm, aktivitetit ekonomik e financiar, prokurimet me fonde publike, taksat dhe tarifat vendore, procedurat e shqyrtimit dhe miratimit të studimeve urbanistike, shesheve e lejeve të ndërtimit, lejeve të shfrytëzimit, administrimin e aseteve, dhënien me qira të objekteve pronë publike, etj.. Auditimi është kryer në bazë të programit të auditimit për periudhën nga data 01.01.2011 deri më datë 30.06.2014. Është konstatuar se në realizimin e aktiviteteve të komunës ka shkelje të procedurave dhe të meta e mangësi në zbatimin e legjislacionit dhe akteve ligjore e administrative që rregullojnë funksionimin e institucionit si në drejtim të administrimit material e monetar, ashtu dhe në drejtim të prokurimeve publike dhe kontrollit të territorit të cilat kanë sjellë për pasojë dëm ekonomik për buxhetin e komunës në shumën 10,917,303 lekë sidhe të ardhura të munguara në vlerën 8,855,679 lekë si më poshtë:

 AUDITIMI

Gjatë auditimit të aktivitetit të Komunës Bërxullë për periudhën 01.01.2011 deri më 30.06.2014, në mënyrë të përmbledhur rezulton si më poshtë:

Në Komunën Berxull, për periudhën e auditivit, 11 punonjës të pastrimit kanë përfituar padrejtësisht pagë në shumën 1,164,632 lekë, që përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik në buxhetin e komunës. Gjithashtu edhe 3 punonjës të administratës kanë përfituar padrejtësisht pagë në shumën 186,913 lekë, që përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik në buxhetin e komunës.

-Zyra e Financës, në pagesën e muajt korrik 2011, për ish-punonjësen N. H., nuk ka llogaritur tatim mbi pagën, sigurime shoqërore dhe shëndetësore në shumën 1,878 lekë, që përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.

-Janë paguar anëtarët e këshillit të komunës për muajin maj-qershor 2011, pa marrë pjesë në mbledhjen e këshillit në shumën 180,180 lekë që përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik në buxhetin e komunës.

-Komuna Bërxull, me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nr. 2112, datë 04.05.2004, lënë në fuqi me vendim nr. 333, datë 15.03.2005 të Gjykatës së Apelit Tiranë ka vendosur në favor të ish- punonjëses së administratës së komunës N. H., shumën 368 900 lekë, duke paguar për të njëjtin pozicion pune dy persona, që përbën shkelje të disiplinës financiare me efekt negativ në buxhetin e Shtetit.

Prokurimet

NëKomunën Bërxull, në të gjitha rastet e prokurimeve me vlera të vogla, u mungon licenca e operatorit ekonomik në fushën e ndërtimit dhe tregtisë. Në fillim të vitit kalendarik prokurimi i materialeve nuk është planifikuar sipas natyrës, sasisë dhe llojit të kontratave, nuk është përcaktuar kufirin monetar për grup mallrash apo shërbimesh të ngjashme, të cilat prokurohen njëherësh dhe që nuk duhet të ndahen gjatë procedurës, si dhe në 28 raste Fatura Tatimore nuk është nënshkruar nga anëtarët e komisionit.

-Komisioni i prokurimeve me vlera të vogla ka blerë punime me fadromë (15 orë pune x 3 037.70 lekë/ora), të cila nuk janë në urdhrin e prokurimit nr. 8, datë 18.04.2012, të miratuar nga kryetari i komunës në shumën 45,560 lekë përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik, veprim në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar.

-Komisioni i prokurimit me vlera të vogla në kundërshtim me pikën 6, të Kontratës datë 02.08.2012, për Studimi Projektimi “Sistemim asfaltimi i rrugës Rinas-Lagja Sefa”, ka pagua më shumë 66,600 lekë, që përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik për buxhetin e komunës.

-Komisioni i prokurimit me vlera të vogla ka paguar transport mbeturinash duke mos kontrolluar preventivin e punimeve në shumën 21,000 lekë që përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik për buxhetin e komunës.

-Komisioni i emergjencës ka përcaktuar çmimin e autobotit që do të pastroj gropat skeptike me 5280 lekë/ora. Pagesa është kryer pa preventiv punimesh, pa përcaktuar sasinë e gropave skeptike, sasinë e mbetjeve, volumi e kanaleve të zeza, numrin e pushtave që do të pastrohen dhe sasia e mbetjeve që mbajnë, nuk është hartuar grafiku ditorë i punës së kryer nga autoboti, nuk është përcaktuar vendi i depozitimit të mbetjeve që do të pastrohet, ndërsa shuma 264,000 lekë përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik për buxhetin e komunës.

Zyra e Financës

-Zyra e Financës, për muajin dhjetor 2013, janar dhe shkurt të vitit 2014, ka paguar shpenzime transporti për Kryetarin e Komunës në shumën 60,000 lekë përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik për buxhetin e Komunës.

-Zyra e Financës, në muajin qershor 2014, ka paguar shoqërinë “Murati” sh.p.k për likuidimin e faturës tatimore nr. 10, datë 15.09.2008, pa vendim gjykate, por me kërkesë padi datë 04.04.2014, në shumën 1,000,000 lekë, që përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik për buxhetin e komunës.

-Zyra e Financës, për vitin 2012-2013, ka pajisur punonjësit e administratës me numër telefoni celulari duke kryer pagesën nga llogaria e shpenzimeve operative të komunës në shumën 133,464 lekë, që përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik për buxhetin e Komunës.

-Zyra e Financës, nuk ka regjistruar në librat e kontabilitetit dhe në pasqyrat financiare të vitit 2011, 2012, 2013, familjet debitore të fshatit Domje dhe Berxull, të cilat nuk kanë paguar ujin e pijshëm në shumën 3,540,336 lekë që përbën të ardhura të munguara në buxhetin e komunës.

Lejet e ndërtimit

Lidhur me detyrimet financiare, për marrjen e lejeve të shesheve, lejeve të ndërtimit dhe lejeve të përdorimit, rezulton se në 8 raste, nga përllogaritja e gabuar e Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë (referuar vlerës totale të objektit), është konstatuar një diferencë 3,346,339 lekë, në kundërshtim me ligjin dhe për 2 raste për marrjen e lejes së përdorimit, është konstatuar diferencë 287,277 lekë, në total vlera 3,633,616 lekë, që përbën shkelje me dëm ekonomik për buxhetin e komunës.

-Lidhur me zbatimin e kontratës së sipërmarrjes, për objektin “Ndërtim e Sistemim i Rrugës së Kastratëve”, me vlerë kontrate 28,052,700 lekë, nga kontrolli i zbatimit të punimeve të ndërtimit, rezulton se ka një diferencë si volum pune të pakryer, duke shkaktuar dëm ekonomik, në vlerën 2,543,600 lekë.

-Lidhur me zbatimin e kontratës së sipërmarrjes,, për objektin “Ndërtim Godinë Administrate Shtesë 1 kat, Komuna Bërxull”, me vlerë kontrate 33,868,710 lekë, nga kontrolli i zbatimit të punimeve të ndërtimit, rezulton se ka një diferencë si volum pune të pakryer, duke shkaktuar dëm ekonomik, në vlerën 235,220 lekë.

Shënim i redaksisë: Gazeta “Telegraf” sot vetëm sa ka hapur siparin e shkeljeve dhe dëmeve ekonomike, të dala nga auditimi i KLSH-së në komunën Bërxull. Në ditët në vijim do të jepen detaje dhe emra. Duke qenë se auditimi ka një periudhë shtrirjeje, relativisht të gjatë, 2011-2014, do të dalin në dritë edhe bashkëpunimet e komunës me drejtuesit e institucioneve të të dyja qeverive.