KLSH, me atributet e gjyqësorit

145

Ligji i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbërrin në Kuvend

Ligji organik për Kontrollin e Lartë të Shtetit pritet të ndryshojë, pas më shumë se 2 vite përpjekjesh të ardhura nga ky institucion në adresë të Kuvendit. Shqyrtimi i projektligjit të hartuar pas një sërë tryezash me ekspertë, pritet të nisë në fillim në javës në komisionin parlamentar të Ligjeve dhe në atë të Ekonomisë. Ndryshimet forcojnë pozitat e kreut të KLSH-së dhe të vetë institucionit në tërësi, që vlerësohet si një prej institucioneve kyçe për luftën kundër korrupsionit.

Ndryshimet

Në thelb, ndryshimet forcojnë pozitat e kreut të KLSH-së dhe të vetë institucionit në tërësi, që vlerësohet si një prej institucioneve kyçe për luftën kundër korrupsionit. Referuar ndryshimeve, KLSH merr kompetencën e hartimit të projektbuxhetit dhe pas miratimit nga Kuvendi e zbaton atë në mënyrë të pavarur.

Për mënyrën e shpenzimit të fondeve buxhetore, KLSH do të auditohet nëpërmjet një komisioni të posaçëm që raporton në Kuvend për gjetjet.

Po ashtu, ndryshimet në ligj parashikojnë zgjerimin e kompetencave audituese të institucionit, ku përveç auditimit të njësive të qeverisjes së përgjithshme apo vendore do të auditojë edhe njësitë e auditimit të brendshëm të sektorit publik, përdoruesit e fondeve të Bashkimit Europian, të partive politike, enteve publike apo shoqatave që kanë përfituar fonde nga buxheti.

Një risi janë edhe auditimet e Teknologjisë së Informacionit, ku KLSH shqyrton administrimin brenda infrastrukturës së teknologjisë së informacionit (IT), duke përcaktuar nëse sistemet e informacionit ruajnë asetet, integritetin e të dhënave dhe veprojnë në mënyrë efektive për të arritur qëllimet apo objektivat e organizatës.

Një kompetencë tjetër që merr KLSH është ajo që në rastet kur gjatë auditimit konstaton akte ligjore ose nënligjore në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë ai ka të drejtë t’i kërkojë organeve kompetente ndryshimin, revokimin, shfuqizimin e tyre, ose t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa përsa i përket kreut të KLSH-së, projektligji i ri parashikon ndër të tjera imunitet të barabartë me gjyqtarin e Gjykatës së Lartë. “Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk mund të arrestohet, apo t’i hiqet liria në çfarëdo formë, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi”, thuhet në projektligj. Projektligji i ri përmban më shumë se 40 nene.

Opinion: KLSH apo gjykatë?!

 Me këtë ligj, duket sikur KLSH kërkon të marrë atributet e një sistemi gjyqësor. Kjo është e palogjikshme. Edhe në gjykatë vendimet e marra kalojnë në 4-5 sita, nga Gjykata e Shkallës së Parë shkojmë në Apel e madje deri në Strasburg. Po vendimet e KLSH-së me këto atribute që pritet të ketë, kush do t’i revokojë? Ndërsa kompetencat që kryetari i KLSH-së kërkon t’i japë vetes, janë një tjetër aspekt i palogjikshëm i këtij projektligji. Kreu i KLSH-së pritet të ketë imunitet të barabartë me gjyqtarin e Gjykatës së Lartë. Ai s’mund të kontrollohet, s’mund arrestohet, veçse nëse kapet në flagrancë… Gjithsesi, me shtimin edhe të Gjykatës Administrative në numrin e gjykatave që operojnë në Shqipëri, nuk do të ishte i drejtë një ristrukturim i KLSH-së me atributet e një gjykate.