KLSH, kallëzim penal për nëpunësit e regjistrimit të pasurive të paluajtshme

634
Sigal

KLSH kallëzon në Prokurori një ish-drejtuese, dy juristë dhe një hartograf të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar auditim në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) Tiranë, për veprimtarinë e Zyrës në periudhën janar 2011-dhjetor 2012.

Nga ky auditim u konstatuan një sërë shkeljesh në drejtim të regjistrimit të tokës bujqësore dhe kryerje veprimesh, mbi pasuri të fituara me kontrata shitblerje nga pushteti vendor. Për këto, KLSH ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për ish-regjistruesen M.B., për juristët E.S., M.M. dhe hartografen E.H., me akuzën e shpërdorimit të detyrës për  mangësi, shkelje e të meta që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Për praktika të lidhura me veprimtarinë e dy institucioneve, ZVRPP Tiranë dhe ALUIZNI Tiranë, KLSH kallëzoi në Prokurori edhe T.B., përgjegjës në Sektorin e Urbanistikës të ALUIZNI Tiranë dhe L.K., ish-përgjegjëse e sektorit të legalizimit, po të ALUIZNI Tiranë, për dhënien e dy lejeve të legalizimit, të cilat, në kundërshtim të plotë me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e zonave të ndërtimeve informale” të ndryshuar, janë pjesërisht brenda territorit të qytetit Studenti, duke i shkaktuar, krahas të tjerave, edhe dëm ekonomik Buxhetit të Shtetit. Grupi i auditimit i KLSH propozoi masën disiplinore “Largim i Menjëhershëm nga Puna” për tre punonjësit aktualë të kallëzuar penalisht në ZVRPP Tiranë, si dhe “Vërejtje me Paralajmërim për Pushim nga Puna” për 26 punonjës të tjerë, nga të cilët 11 juristë dhe 14 inxhinierë. KLSH propozoi ndryshim në legjislacionin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për rregullimin ligjor të pasurive të tipit veranda, pasi sipërfaqja e tyre deri tani nuk regjistrohej dhe për rrjedhojë, nuk tatohej. Regjistrimi i tyre, për çdo transaksion regjistrimi të kalimit të pronësisë, do të krijonte të ardhura në favor të Buxhetit të Shtetit, si në regjistrimin e objektit për pagesën e tarifës së regjistrimit për metër/katror, dhe për tatimin mbi kalimin e pronësisë, për çdo transaksion. Grupi i auditimit propozoi, gjithashtu, edhe 24 masa organizative, ndër të cilat theksojmë masën që Regjistruesi i Zyrës t’i kërkojë Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë, verifikimin e ligjshmërisë së disa Akteve të Marrjes së Tokës në pronësi, për zonat problematike kadastrale në Ahmetaq, Bërxull, Baldushk, Ndroq, Pezë e Madhe dhe Priskë e Madhe. Gjithashtu, KLSH rekomandoi që Bashkia Tiranë dhe Avokati i Shtetit, në bashkëpunim dhe mbështetur në konstatimet e bëra nga auditimi i tij, të kërkojnë në rrugë gjyqësore ndryshimin e tre vendimeve të ish- Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Ish-Pronarëve në Tiranë, pasi një pjesë e pasurisë së përfituar nga këto vendime, është marrë padrejtësisht, në dëm të interesave të pronës shtetërore.