KLSH: Fullani, shkelje dhe me prokurimet

786
Sigal

Raporti, hije skandali me rikonstruksionin e Bankës së Shqipërisë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin për Bankën e Shqipërisë, pohon se janë tejkaluar afatet e përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e Bankës së Shqipërisë. KLSH konstaton se pavarësisht identifikimit të arsyeve objektive, ose jo të mosrealizimit të kontratave brenda afateve, jo për çdo kontratë janë bërë ndryshimet e tyre për pjesën e shtyrjes së afateve me miratimet sipas kompetencave. Në tenderin e realizuar “Realizimi i punimeve të prishjeve ndërtimore në godinën e ish-Hotel Dajtit”, është shtyrë procedura e tenderimit për arsye të mosplotësimit të kuorum-it. Relacioni i shkruar për shtyrjen e procedurës është mbajtur në formën e një libri protokolli të mbledhjeve, i cili mbahet për periudha më të gjata se një vit. Komisioni i Prokurimit duhet të merrte vendimin për shtyrjen e procedurave të prokurimit dhe ta shoqëronte me procesverbalin përkatës. “Kjo përbën shkelje të Rregullores së BSH “Për Procedurat e prokurimit në Bankën e Shqipërisë”, neni 40: “Vendimi për shtyrjen e procedurës së prokurimit për shkaqet e mësipërme duhet të shoqërohet me procesverbalin përkatës”, thuhet në raport. Për këtë arsye, KLSH rekomandon që për të gjitha rastet e identifikuara të kontratave të papërfunduara dhe me tejkalim të afateve, të analizohen shkaqet, të përcaktohen dhe kontabilizohen penalitetet që duhet t’i kërkohen sipërmarrësit për mosrealizim të punimeve në kohë, apo ndërprerje që vonojnë realizimin e veprës. “Duhet të vlerësohet kostoja oportune e pagesave të qirasë të cilat vazhdojnë të paguhen nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që për kohën e shtyrjes së kontratave, kjo kosto duhet t’i ngarkohet sipërmarrësit që nuk ka realizuar në kohë projektin, ose në se janë fajtorë persona brenda BSH-së të përcaktohen këto përgjegjësi, që efekti të mos rëndojë në rezultatin e Bankës”, thuhet në raport.