Klik Ekspo Group bashkon biznesin e Evropës Juglindore në “Panairin e 100- vjetorit”

217

Panairi i 100- vjetorit” i Klik Ekspo Group do t’i bashkëngjisë festimeve në ketë fund nëntor edhe praninë e rreth 800 firmave në Pallatin e Kongreseve. Ekspozimi i tyre do të gjallërojë më shumë jetën ekonomike të vendit duke u shndërruar në një burim gëlues strategjish dhe bashkëveprimesh, sinergjish që si rrathë valësh komunikimi, që nga Tirana përhapen në Ballkan, Evropën Juglindore e atë Qendrore deri në kryeqytetet më të largëta të mbi 50 shteteve pjesëmarrëse nga 4 kontinente me kompanitë e tyre. Politikat e zhvillimit të qeverisë shqiptare kanë sjellë një përmirësim të statusit ekonomiko-social të vendit duke e bërë vendin më tërheqës dhe më të lehtë të arritshme për investitorët e huaj.

Edicioni i 19-të i Panairit Ndërkombëtar të Klik Ekspo Group ka një pritshmëri për 40% më shumë vizitorë, sepse ngjarja do të promovohet nën zinxhirin e festimeve të 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar, ku valët kuqezi të vizitorëve pritet të mbërrijnë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora e pamat shqiptare.

Asambleja e Komitetit Drejtues të CEFA-s (Central European Fair Alliance) do të organizohet në unison me Panairin Ndërkombëtar në datat 28-29-30 Nëntor. Asambleja organizohet për herë të parë në një vend të përzgjedhur për të përfaqësuar një treg në zhvillim.  Misioni themeltar i CEFA-s është të asistojë anëtarët që të ofrojnë urëkalime solide për biznesin në tregjet në zhvillim të Europës Qendrore dhe Juglindore. Asambleja e CEFA-s, do të ndikojë fuqishëm në praninë e vizitorëve të specializuar duke bymyer dhe hartën “europiane” të pjesëmarrësve. Prania e eksperteve të tregjeve ndërkombëtare dhe përfaqësues të kulmeve të Industrisë Botërore të Panaireve si Panairi i Mynihut, Vjenë – Reed Exhibition, Bolzanos, Milanos, Shkupit, Beogradit, Zagrebit etj., duke patur objektiva të përbashkëta për partnershipe strategjike në të ardhmen dhe zgjerim të rrjetit të partnerëve strategjikë në mbarë botën. Një shembull i këtij zgjerimi të pranisë ndërkontinentale janë pranitë nga Brazili, SHBA, & Kanada, Rusia. Spikat përfaqësimi i Kinës nën bashkëpunimin e Panairit të Shangait.

Galeria e Pavijoneve të Shteteve, tipar i formulës së Panairit Ndërkombëtar, një holograme mundësish e ndërafrimi me dhjetëra vende e realitete socio-ekonomike do të marrë formë të prekshme e shpërbëhet në sinergji të reja mes Shqipërisë dhe partnereve te saj:  Pjesëmarrja dërrmuese e sipërmarrësve nga Italia, Gjermania, Austria, Greqia, Franca, Spanja, Polonia, Hungaria, Çekia, Bullgaria, Kroacia etj, lë të kuptohet nguti i zhvillimit me të cilin Shqipëria sheh drejt anëtarësimit të saj në BE, por dhe në dorën tjetër, pohohet interesi dhe tërheqja e vendeve te BE-së, drejt një tregu në zhvillim të përshpejtuar e me risurse ende të pashfrytëzuara.

Pjesëmarrja e pandërprerë e vendeve që po plotësojnë urdhëresat për t’u pranuar në familjen e madhe Europiane si Kosova dhe Bosnje Hercegovina, e të tjerat një hap përpara si Turqia, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Serbia, mbeten një terren i begatë mbi të cilin mund të bëhen analizat apo dhe krahasimet e nevojshme mbi zbatueshmërinë e strategjisë mbështetëse të BE-së ndaj Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Një nga karakteristikat themeltare të Panairit Ndërkombëtar, është ajo e të qënit një podium për këmbimet kulturore e ndërnjerëzore që shkojnë përtej besytnive duke shënjuar kufij të rinj mes popujve dhe konvergjenca të reja në botën e sipërmarrjes. Shqipëria është ndër vendet e rralla qe mëkon bashkëjetesë harmonike mes feve dhe bindjeve; është një shembull më të cilin shqiptarët mburren. Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, ka qenë përherë një vend paqeje që çliron bashkëpunim mes popujve, duke parë përtej hendeqeve politike të kohërave.

Parcela BRIC e përfaqësuar me të gjitha shqisat ketë edicion përmes një pranie bulëzuese të sipërmarrësve dhe investitorëve kineze nën tutelën e Expo-Shangait. Janë investitorët indianë që i rikthehen Mesdheut duke nisur nga Tirana, Ambasada e Brazilit do të ndërmjetësojë praninë e investitorëve latinë ndërsa Rusia do të delegojë sipërmarrës seriozë në fushën e infrastrukturës hekurudhore dhe atë portuale.

Një nuancë të veçantë që sjellin organizatorët e këtij panairi është një standard i ri tashmë shumë më i konsoliduar i kënaqësisë që ofron Tirana dhe e gjithë Shqipëria ekspozuesve-vizitorëve të pranishëm nga 30 shtete, por nën guidën e ofruar nga Klik Ekspo Group.

Por, edhe vetë Panairi me të gjithë morinë e aktiviteteve që përcjell pasuron mozaikun e turizmit në Shqipëri duke e pasuruar me turizmin kongresual. Është vetë aktiviteti i CEFA-së që mbledh një masë të madhe pjesëmarrësish që vizitojnë Tiranën e Shqipërinë.