Kërcënimet ndaj medias së lirë në Evropën Juglindore

801
Sigal

Në datat 18-20 shtator, në Tiranë do të mbahet Konferenca e Tretë e OSBE-së në lidhje me lirinë e Mediave në Evropën Juglindore. Konferenca organizohet nga  Zyra e Përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë e Medias dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

“Imagjinoni një media të censuruar, liri fjale të kufizuar, pamundësi për të komentuar lirisht online, asnjë mundësi për të pasur kanale televizive dixhitale apo një legjislacion të hartuar me qëllim kufizimin e aksesit dhe të drejtave të qytetarëve. Fatkeqësisht, këto janë çështje të vërteta dhe probleme të vërteta në Evropën Juglindore” thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga Zyra e Përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë e Medias dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. “Fakti që unë kam ndërhyrë në më shumë raste në këtë rajon sesa çdo Përfaqësues tjetër i mëparshëm flet vetë. Tendenca është e qartë: liria e medias në rajon po përkeqësohet”, thotë Dunja Mijatović, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias. Problemet janë të shumta, ashtu sikurse janë të shumta edhe pyetjet që kërkojnë përgjigje. Siguria e gazetarëve është e kërcënuar dhe vështirë se kalon muaji pa u frikësuar ndonjë anëtar i medias, pa u ngacmuar, apo pa u sulmuar fizikisht për shkak të punës. Përveç kësaj, ligje të reja që pengojnë lirinë e medias po hartohen me ngut, duke kufizuar aksesin në informacionin online dhe offline.

“Nëse situata nuk përmirësohet, ajo çka përfundimisht rrezikohet është liria dhe demokracia,” thotë Dunja Mijatović. Më 18-20 shtator, Përfaqësuesja do të mbledhë ekspertë, gazetarë dhe zyrtarë nga rajoni për të diskutuar shkaqet dhe rrugëdaljet, në konferencën e tretë të medias organizuar nga OSBE-ja për Evropën Juglindore në Tiranë, Shqipëri. “Në konferencë, do të diskutojmë hapur problemet që hasin të gjithë ata që janë të angazhuar dhe të përfshirë në media. Çështja kryesore tematike që dëshiroj të ngre këtë vit është transmetimi. Ne duhet t’i kapërcejmë problemet gjithëpërfshirëse që prekin transmetuesit e shërbimit publik, pavarësinë e autoriteteve rregulluese dhe kalimin në transmetimet numerike,” thotë Dunja Mijatović.

 Çështjet kryesore të programit të konferencës përfshijnë:

1)Transmetuesit e Shërbimit Publik dhe Rregullatorët – disa janë në situatë kritike, pasi ende nuk gëzojnë pavarësi të plotë dhe liri të plotë editoriale e financiare.

 2)Kalimi në Transmetimet Numerike – disa vende po mbeten mbrapa, duke rrezikuar pluralizmin e medias.

 3)Legjislacioni – cilësia e legjislacionit dhe si mund të përmirësohet zbatimi i tij.  Akademia e Ligjit të Medias.

 4)Aksesi i Publikut në Informacion – Njerëzit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u informuar rreth punës së qeverisë dhe organeve të saj.

 5)Liria e Internetit –   Interneti është themeli i peizazhit të sotëm të medias. Ne duhet të garantojmë që të gjitha liritë që kemi të aplikohen edhe online.Rekomandimet e konferencës ‘Internet 2013’.

 6)Vetërregullimi – Ky rajon dikur përgëzohej për mekanizmat e tij vetërregullues novatorë, por jo më sot.

Gjatë  konferencës, do të zhvillohet një Master Class për ekspertët dhe zyrtarët mbi Kalimin në Transmetimet Numerike nga “Albany Associates”.