KE: Shqipëria me perspektiven buxhetore më të dobët në rajon

792
Edhe në vitet në vijim Shqipëria do të vijojë të ketë përformancën më të dobët fiskale në rajon, në krahun e të ardhurave, shpenzimeve dhe borxhit publik, të krahasuara me PBB (prodhimi i brendshëm bruto). Një raport i Komisionit Europian për reformat ekonomike të vendeve që aderojnë të anëtarësohen në BE nxjerr në pah zhvillimet ekonomike dhe fiskale në rajon, në të cilat Shqipëria paraqitet krahasimisht dobët.
Shqipëria, edhe në perspektivën afatmesme 2016-2018 pret të grumbullojë 27.3 për qind të PBB-së, ndërsa Serbia, Turqia dhe Mali i Zi synojnë mbi 39 për qind, Maqedonia synon të grumbullojë 31 për qind, ndërsa më dobët në Rajon paraqitet Kosova me 25 për qind të grumbullimeve fiskale në raport me PBB. Por e krahasuar me vetveten Kosova paraqitet mjaft mirë duke marrë në konsideratë se sistemi fiskal atje ka një histori relativisht të shkurtër.
Për rrjedhojë Shqipëria vijon të jetë dobët edhe në shpenzimet buxhetore në raport me PBB. Ky tregues nga 30.2 për qind që ishte më 2015 do të ulet më tej në 2018 duke shkuar në 27.8 % të PBB (në mënyrë që të ulet borxhi publik), në një kohë që në Malin e Zi shpenzimet buxhetore janë 42.4 për qind PBB-së. Në Turqi ato janë 40 për qind PBB, në Maqedoni 33.8 , në Bosnjë 35.3 % dhe në Kosovë 26.6%.
Për shkak të anemisë në të dy shtyllat e arkës së shtetit, të ardhura dhe shpenzime, buxheti i Shqipërisë vuan nga borxhi i lartë. Aktualisht Shqipëria ka borxhin më të lartë pas Serbisë me 72.2 % të PBB-së, por në perspektivën afatmesme vendi ynë synon të jetë i treti në rajon, pas Serbisë dhe Malit të Zi për madhësinë e borxhit në raport me PBB.
Sigal