Kategoritë përfituese, kriteret, kuotat financiare dhe degët e studimit për shkollat profesionale e të mesme

1254
Vendimi, si do të ndahen 2.900 bursa për nxënësit
Kategoritë që përfitojnë, afatet dhe degët e studimit për shkollat profesionale dhe arsimin parauniversitar
Qeveria ka miratuar vendimin për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte. Në vendimin e 13 dhjetorit përcaktohen edhe kriteret për përfitimin e bursave dhe pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike për vitin shkollor 2017-2018. 

1. Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
2. Nxënësit që ndjekin arsimin parauniversitar me kohë të plotë përfitojnë bursë brenda kuotave dhe kritereve, si më poshtë vijon:
2.1 Sipas kriterit ekonomik:
a) Nxënësit e arsimit parauniversitar që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre e që plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Nxënësit e arsimit parauniversitar që banojnë në zonat rurale, që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, që plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe akomodohen në konvikte publike.
2.2 Sipas rezultateve të arritura:
Nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta).
2.3 Jashtë kriterit ekonomik:
a) Nxënës që kanë përfituar statusin e jetimit;
b) Nxënës që kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë;
c) Nxënës që gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik;
ç) Nxënës që gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë;
d) Nxënës fëmijë të personave që gëzojnë statusin e invalidit e që përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë të ardhura të tjera;
dh) Nxënës të komunitetit rom dhe egjiptian që regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional;
e) Nxënës që janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror;
ë) Nxënës, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
Në fillim të çdo viti shkollor, por jo më vonë se data 31 dhjetor 2017, për këto kategori nxënësish, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror si dhe institucionet e përkujdesit social rezidencial publik duhet të dërgojnë, në njësitë bazë të qeverisjes vendore përkatëse ku ndjekin studimet, listën e nxënësve përfitues, sipas pikës 2.3, të këtij vendimi.
2.4 Sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendbanimit të përhershëm, nxënësit që ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional:
a) Në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit.
b) Me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Tepelenë.
3. Nxënësit e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur: 
a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) shpallen ngelës apo përsëritës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.
4. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në konsultim me institucionet arsimore, hartojnë planin e shpërndarjes së bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar dhe arsimit profesional, që ndjekin vitin e parë akademik 2017-2018 dhe ua dërgojnë njësive bazë të qeverisjes vendore, jo më vonë se data 31 dhjetor 2017.
4.1 Drejtorët e shkollave profesionale, për nxënësit që regjistrohen dhe ndjekin studimet me kohë të plotë në vitin e parë shkollor 2017-2018, sipas pikës 2.4, të këtij vendimi, u dërgojnë informacion njësive bazë të qeverisjes vendore, jo më vonë se data 20 dhjetor 2017.
5. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, bazuar në planin e përcaktuar për to, me vendim të këshillit bashkiak, miratojnë dhënien e bursave, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.4, të këtij vendimi, duke u dhënë përparësi nxënësve nga shtresat, kategoritë sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë. Për kushte ekonomike të barabarta në trajtimin me bursë, prioritet kanë nxënëset vajza. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, mund të trajtojnë/miratojnë për nxënësit dhe gjysmë burse.
5.1 Nxënësit e shkollave profesionale që ndjekin vitin e dytë në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, që kanë përfituar bursë në vitin e parë 2016-2017 dhe që nuk rezultojnë mbetës, përfitojnë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit.
5.2 Bursat e nxënësve për vitin e parë shqyrtohen dhe miratohen nga këshilli bashkiak, sipas vendbanimit të përhershëm të prindit/nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore.
5.3 Bursat e nxënësve për vitin e dytë e lart rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit, nga këshilli bashkiak, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale apo konvikteve ku janë vendosur nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore.
5.4 Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin akademik 2017-2018, mbështetur në numrin e nxënësve të regjistruar, vendosin për dhënien e bursave sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale dhe konvikteve në të cilat janë vendosur nxënësit.
6. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, detyrimisht duhet t’u dërgojnë zyrtarisht, jo më vonë se data 31 mars 2018, drejtorive të shkollave profesionale për arsimin profesional dhe drejtorive rajonale arsimore/zyrave arsimore, vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës. Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të raportojnë, zyrtarisht, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, çdo tre muaj, për fondet buxhetore të shpenzuara dhe numrin e nxënësve që trajtohen me kuota financiare të ushqimit në konvikte e bursa.
7. Të gjithë nxënësit/prindërit dhe drejtoritë e shkollave profesionale paraqesin/dërgojnë, zyrtarisht, në njësitë e qeverisjes vendore, kërkesat për miratimin e bursës, për nxënësit që përfitojnë bursë, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi. Nxënësit që kanë përfituar bursë vitin e parë, me vendim të këshillit bashkiak, ku ata kanë vendbanimin e përhershëm dhe nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës e përfitojnë bursën deri në përfundim të viteve të shkollimit.
8. Gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore, nxënësit që kanë përfituar bursë nga njësia bazë e qeverisjes vendore, e përfitojnë atë edhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore ose kuotës financiare drejtpërdrejt në llogarinë bankare të nxënësit/prindit, të çelur pranë bankave të nivelit të dytë.
8.1 Për nxënësit që kanë përfituar bursë për vitin shkollor 2017-2018, drejtorët e shkollave profesionale, si dhe të shkollave të tjera të arsimit parauniversitar, dërgojnë zyrtarisht në datën 5 të çdo muaji, pranë njësive bazë të vetëqeverisjes vendore, informacion të detajuar për frekuentimin e shkollës/praktikës profesionale nga nxënësit që përfitojnë bursë.
9. Nxënësit që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë, përfitojnë çdo vit, falas, veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr. 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë institucionet shtetërore.
9.1 Nxënësve që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, të invalidit paraplegjik, tetraplegjik, statusin ligjor të personave që nuk shikojnë, të personave që nuk dëgjojnë, u sigurohen falas akomodimi/fjetja, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës, të kartës shëndetësore, si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.
9.2 Nxënësit jetimë që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit parauniversitar, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore, nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.
9.3 Nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian që vazhdojnë studimet në shkollat e mesme profesionale, përfitojnë, falas, veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr. 4.
9.4 Fëmijët/nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psiko-sociale, pa konvikt, trajtohen me fonde të buxhetit të shtetit me një kuotë ushqimore (drekë), me vlerë deri në 150 lekë në ditë, si dhe libra e fletore, sipas pasqyrës nr. 4.
10. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore në konvikt.
11. Nxënësve që përfitojnë bursë, të cilët nuk janë akomoduar në konvikte, për mungesë të akomodimit në konvikte, nxënësve që përfitojnë bursë sipas rezultateve të arritura, nxënësve që përfitojnë bursë jashtë kriterit ekonomik, si dhe nxënësve që ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional në degët parësore të zhvillimit ekonomik të vendit, të cilët nuk janë akomoduar në konvikte, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore çdo muaj pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare të nxënësve/prindërve.
12. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore realizojnë pagesën e bursës për nxënësit përfitues, vetëm pasi drejtorët e shkollave profesionale konfirmojnë, zyrtarisht, brenda datës 5 të çdo muaji, pranë njësive të qeverisjes vendore, informacionin për ndjekjen/frekuentimin e shkollës për nxënësit që përfitojnë bursë.
13. Nxënësve që nuk frekuentojnë mësimin apo nuk ndjekin praktikën profesionale pa arsye ligjore apo shëndetësore u ndërpritet menjëherë bursa.
14. Masa e bursës për nxënësit jepet sipas pasqyrës nr. 2, bashkëlidhur këtij vendimi, ndërsa kuota financiare ushqimore ditore jepet sipas pasqyrës nr. 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
15. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për hyrjet e reja në vitin e parë, në sistemin arsimor publik që ndjekin shkollat profesionale, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, për vitin e ri shkollor 2017-2018, të japë 2.100 bursa.
16. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për të gjitha kategoritë e nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar, të parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, pa përfshirë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale, për vitin e ri shkollor 2017-2018, të japë 800 bursa.
17. Efektet financiare, të vitit akademik 2017- 2018, të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, për vitin 2017 dhe 2018.
18. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave nga njësitë bazë të qeverisjes vendore, për të gjitha kategoritë e shkollave, është data 31 mars 2018. Vendimet e këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore të miratuara jashtë këtij afati janë të pavlefshme.
19. Vendimet e njësive bazë të qeverisjes vendore bëhen publike në faqen zyrtare të institucionit për nxënësit, komunitetin, median dhe institucionet e tjera vendore apo qendrore.
Sigal