“Kastrati Group” sjell në Shqipëri kompaninë prestigjioze “Hyatt Hotels Corporation”, duke i dhënë kryeqytetit një tjetër pol atraksioni

2952
Sigal

Mak Albania ka firmosur një marrëveshje me Hyatt, një nga brand-et më të suksesshme ndërkombëtare në menaxhimin e hoteleve luksoze

Kompania “Kastrati Hotels and Tower” nëpërmjet Mak Albanias ka firmosur një marrëveshje me kompaninë e njohur botërore “Hyatt Hotels Corporation”. Hyatt është një nga brand-et më të suksesshme ndërkombëtarisht për sa i përket menaxhimit të hoteleve luksoze. Kjo marrëveshje përfshin një investim 2-vjeçar të kompanisë amerikane, që do ta kthejë Mak Albanian në hotel me 5 yje me 151 dhoma dhe sallën më të madhe të konferencave në Shqipëri. Sipas Zv/Presidentit të Kastrati Group, Leonard Kastrati, fakti që një kompani kaq e mirënjohur ka zgjedhur si partner Grupin Kastrati, dëshmon suksesin dhe vlerësimin për kompaninë e njohur shqiptare. “Me vizionin e qartë për të kontribuar në të ardhmen e turizmit shqiptar, Kastrati Group hyn në një marrëveshje menaxhimi me Hyatt Hotels Corporation, një garanci më shumë për vazhdimësinë dhe suksesin e deritanishëm të këtij hoteli, dhe sigurisht një vlerë e shtuar për Shqipërinë dhe turizmin në veçanti. Hoteli do të quhet “Hyatt Regency and Residences Tirana” dhe do të vazhdojë të ruajë të njëjtin profil shërbimesh, por duke i shtuar sektorit të turizmit elitar shqiptar një vlerë të munguar ndër vite.” -u shpreh Leonard Kastrati, zv President i Kastrati Grup.

 

“Hyatt Regency and Residences Tirana”, pol atraksioni në kryeqytet

“Hoteli “Hyatt Regency and Residences Tirana” do t’i japë kryeqytetit shqiptar një tjetër pol atraksioni, kombinuar me stadiumin e ri dhe gjithë zonën rreth e rrotull”. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes Mak Albania dhe Hyatt. Kryeministri nënvizoi se “imazhi është themelor për rritjen e fluksit të turistëve dhe në këtë drejtim edhe kjo firmë, do të ketë një impakt të rëndësishëm dhe të konsiderueshëm”. Rama vuri në dukje po ashtu edhe vlerën e shtuar që do të sjellë investimi, pasi sipas tij “bëhet fjalë për një investim të konsiderueshëm transformues të strukturës dhe të infrastrukturës hoteliere”. “Duke i uruar sukses në këtë bashkëpunim kompanisë së njohur shqiptare me kompaninë e njohur globale, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të falënderoj ata që e bënë të mundur këtë marrëveshje. Uroj që shumë shpejt të jeni të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes së radhës me një tjetër brand global në funksion të fuqizimit të industrisë dhe rritjes së besueshmërisë së vendit tonë, i cili i ka të gjitha ato që i duhen për t’u kthyer në një aktor të rëndësishëm në këtë pellg të turizmit”, tha Rama. Në përfundim, Rama vlerësoi se “këto kompani sjellin një kulturë të re të shërbimit në industrinë e turizmit”.