Kapen me shkelje ligjore ish-drejtuesit e Ujësjellësit, 6 zyrtarë të CEZ dhe 9 ish-tatimorë

680
Sigal

Durrës, KLSH “lumë” padish në Prokurori: CEZ faturon 35% të qytetarëve aforfe

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Auditi i Brendshëm i Ministrisë së Financave, kanë dërguar në Prokurori ish-drejtorin e ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Durrës, Kledi Ademi dhe 6 zyrtarë të filialit të CEZ Shpërndarje të këtij qyteti, për shkelje ligjore dhe abuzime me detyrën. Pre 4 muajsh një ekip i KLSH dhe Auditit të Brendshëm të Ministrisë së Financave, kanë zbarkuar në Durrës, duke kryer kontrolle dhe verifikime në CEZ Shpërndarje, Tatim-Taksa, dhe Ujësjellës-Kanalizime. Burimet zyrtare nga tre ndërmarrjet thane për “Telegraf” se: “janë konstatuar dhe zbuluar shkelje flagrante nga drejtues dhe zyrtarë, të cilët kanë abuzuar me detyrën, kanë favorizuar në tendera firma që nuk plotësonin as kriteret elementare të pranimit, dhe kanë përfituar vlera të mëdha monetare, duke dërguar në ndjekje penale personat përgjegjës”. Ujësjellësi i Durrësit prej vitesh ka qenë dhe mbetet ndërmarrja mister, e cila ishte e mbyllur hermetikisht ndaj çdo kërkese që bëhej nga media, lidhur me problematikat dhe denoncimet që vinin nga qytetarë, subjekte dhe institucione të tjera. Bëhet fjalë për shpërdorime skandaloze, për tendera të dyshimta, dhe mungesë transparence, të cilat kanë detyruar KLSH-në të nisë kontrollet dhe të nxjerrë përgjegjësitë. CEZ Shpërndarje mbetet një tjetër ndërmarrje, e cila përflitet për abuzime, duke rënduar më shumë xhepat e qytetarëve. Një ndër pikat më delikate ku KLSH ka zbuluar shkelje flagrante mbetet mosrakordimi në zona të ndryshme të Durrësit, i sasisë të energjisë së harxhuar me atë të arkëtuar, apo aplikimi faturimit aforfe në afro 35 për qind të familjeve në shkallë qarku, edhe atje ku sahatet nuk mungojnë. Shkelje ligjore janë konstatuar edhe në blerjet e pajisjeve, ndërkohë që magazinat e kësaj ndërmarrje në Shkozet gjenden gjysmë të boshatisura. Shkelje dhe abuzime me detyrën janë zbuluar nga KLSH dhe Auditi MF edhe tek dega e Tatimeve, e cila ka rezultuar me mosrealizim të vjeljes së të ardhurave për vitin 2013, ndërkohë që mbaheshin të fshehura dhe deklaroheshin shifra që nuk përputheshin me ato që gjendeshin në DPTT. Nëntë zyrtarët e penalizuar, pasojnë grupin e parë, të cilët janë nën hetimin e Prokurorisë Durrës, për abuzime ligjore shpërdorim me detyrën, që ka nisur qysh në muajin janar 2014. KLSH ka ushtruar kontrolle edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave, ku edhe atje ka zbuluar shkelje dhe abuzime, dhe se shumë shpejt do të dalë me raport përfundimtar dhe propozime konkrete për masat administrative dhe ligjore. Një burim nga organi akuzës i tha “Telegraf” se: “kemi  realisht një ngarkesë të madhe për çështjet, për të cilat kanë nisur hetimet, kryesisht denoncime të ardhura nga KLSH. Nga janari 2014 deri tani numërohen mbi 370 kallëzime të tilla, që duhen mbyllur dhe dërguar në gjykim brenda vitit, ka prej tyre që klasifikohen tek nene të veçanta me gjoba, por ka të tjera që përcaktojnë sa vjet dënohesh me burg kur verifikohen akuzat”. Por, fakti është se, deri tani, asnjë zyrtar apo ish-zyrtar nuk po dënohet me burg, edhe kur ndaj atij janë ngritur akuza bindëse për hetuesit dhe gjyqtarët, për shpërdorime me detyrën, fondet e investimeve dhe përvetësimin e miliona lekëve dhe eurove, duke u mjaftuar me gjoba ledhatuese. Kjo natyrisht u jep kuraje pasardhësve të tyre në detyrë të shkelin ligjin, të abuzojnë me detyrën dhe të vjedhin ndoshta më shumë, se edhe po vajte në ndjekje penale e shumta merr një gjobë, të cilën e paguan lehtësisht sikur të ishte faturë energjie.