Kambana e paqëndrueshmërisë së borxhit publik

734
Koco BROKA 
konomist 
Ditët e fundit të prillit, Ministria e Financave publikoi treguesit e borxhit publik. Pavarësisht nga këmbanat zhurmë mëdha të politikës, ky informacion u publikua në disa media. 
Burimi Ministria e Financave, Statistikat Fiskale dhe Buletini statistikor i borxhit publikë 
Por nëse kjo është më se e zakonshme, ajo që të bën përshtypje është përcjellja e këtij lajmi. Dikush shkruan me germa të mëdha “Borxhi ra në 68.4 për qind-Borxhi publik i Shqipërisë u ul sërish në tremujorin e parë të vitit duke vazhduar tendencën pozitive të nisur pas 2015-ës. Të dhënat zyrtare tregojnë, se në fund të marsit borxhi i qeverisë zbriti në 68.4 për qind e Prodhimit Kombëtar nga 71 për qind, që ishte në fund të vitit të kaluar. Kjo është herë e parë në 15 vjet që borxhi kombëtar ulet në një vit zgjedhor. Këtë vit, të dhënat zyrtare tregojnë se të paktën në tremujorin e parë, Ministria e Financave jo vetëm që nuk ka marrë borxh të ri, por ka shpenzuar më pak se sa të ardhurat e mbledhura.”
Ndërsa një media tjetër do njoftonte:” Rritet borxhi publik – Zgjerohet me 26 miliardë lekë në tre muaj” Pra dikush flet për ulje dikush për rritje. Kujt t’i besosh ?! Si është e vërteta?!
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje lind e nevojshme që t’i referohesh drejtpërdrejt publikimeve të Ministrisë së Financave, të prezantuara në mënyrë lakonike edhe në tabelën bashkëlidhur.
Nga të dhënat e saj konfirmohet, se stoku i borxhit publik të qeverisë qendrore, gjatë tremujorit të parë është rritur me 25.7 miliardë lek ose e rrumbullakosur 26 miliardë lek. Pra borxhi është rritur. Ai ishte i lartë dhe po rritet duke iu afruar tavanit kufi që është vendosur për 2017.
Ndërkohë po nga të dhënat e tabelës konfirmohet se gjatë tremujorit të parë, qeveria ka shpenzuar më pak sesa të ardhurat e mbledhura. Sipas të dhënave të tabelës rezulton se gjatë tremujorit të parë 2017, buxheti i konsoliduar fiskal i shtetit, rezulton me një suficit prej 8.9 miliardë lekë. 
Pra jemi në një situatë kur gjatë tremujorit të parë, megjithëse buxheti rezulton me suficit, vihet re një rritje e stokut të borxhit publik, si atij të jashtëm, por edhe atij të brendshëm. 
Ndërkohë po nga të dhënat e tabelës, rezulton se në tremujorin e katërt, qeveria ka qenë në një situatë, kur nga një suficit në fund të tremujorit të tretë (më saktë edhe 11 mujori) viti i kaluar u mbyll me një deficit prej 26.8 miliardë lekë. por ky deficit nuk u shoqërua me rritje të stokut të borxhit publik të qeverisë qendrore, por ai është ulur për 1.3 miliardë lek?! Si mund të shpjegohet kjo situatë?! A ka përfshirë mbijetesa në teh të absurdit, për të cilin flet shkrimtari dhe intelektuali i nderuar Kiço Blushi, dhe ekonominë?! Le t’i drejtohemi logjikës ekonomike të prezantuar kudo në botë, por dhe në çdo tekst ekonomik të zakonshëm edhe në Shqipëri. Sipas saj deficit buxhetor i qeverisë është ajo situatë gjatë të cilës, shpenzimet e qeverisë tejkalojnë të ardhurat, gjatë një periudhe të caktuar. Ndërsa kur të ardhurat tejkalojnë shpenzimet ndodh suficiti buxhetor. Lidhur ngushtë me këto koncepte logjika ekonomike trajton borxhin publik Ai përfaqëson shumën totale të borxhit të qeverisë (shtetit) në një moment të dhënë. Midis borxhit dhe deficit buxhetor ka një lidhje të ngushtë . Kur buxheti është me deficit, kjo shpie në një akumulim të tij, në rritje të borxhit, ndërsa kur buxheti është me suficit mundësohet ulja e borxhit. Marrëdhënia midis deficit/suficitit dhe borxhit shpjegohet me një analogji të thjeshtë. Kur buxheti është me deficit dhe për rrjedhojë merret kredi borxh, është njësoj sikur hapet rubineti i ujit për mbushjen e vaskës dhe volumi i ujit në të rritet, ndërsa kur buxheti është me suficit është njësoj sikur hapet valvul shkarkimi dhe uji në vaskë pakësohet. Për analogji deficiti buxhetor rrit borxhin publik, ndërsa suficiti buxhetor ul borxhin publik. 
Por sipas treguesve të prezantuar nga Ministria e Financave si gjatë vitit të kaluar ashtu dhe gjatë këtij viti prezantohet një situatë tjetër në teh të absurdit:- kur buxheti i shtetit ka qenë me suficit është rritur borxhi publik, ndërsa kur buxheti ka rënë në deficit është ulur borxhi publik.
Për sa i përket njoftimit se Borxhi ra në 68.4 për qind, ndërsa në vetvete kjo shifër konfirmohet edhe nga të dhënat e tabelës, kur stoku i borxhit të qeverisë qendrore në tremujorin e parë pjesëtohet me produktin e brendshëm bruto të parashikuar për gjithë vitin 2017, rezulton 68.37 për qind. Por rezultati prej 68.4 për qind por nuk shpreh rezultatin e raportit e borxhi publik në tremujorin parë me PBB e tremujorit të parë. Ky i fundit në fund të tremujorit nuk ka qenë 1596 miliard leke, sa është niveli i tij i parashikuar për gjithë vitin 2017. Për rrjedhojë pretendimi se borxhi publik ra në bë 68.4 për qind apo 68.37 për qind është vetëm një fiksion euforik.
E vërteta është se lidhur me borxhin publik nuk ka aspak vend për eufori. Përkundrazi kambana e paqëndrueshmërisë së borxhit publik po bie. Për këtë flet fakti që stoku i borxhit publik i qeverisë qendrore në tremujorin e parë rezultoi 1091 miliard lek, kur tavani i stokut të borxhit publik sipas ligjit për buxhetin për gjithë vitin 2017 është 1103 miliard, pa ka vetëm një hapësirë vetëm prej 12 miliard lek Kjo hapësirë ndodh kur vetëm pagesat e principalit të borxhit të jashtëm që duhen paguar deri në fund të vitit, pas tremujorit të parë përllogariten në 27 miliard lekë. Ndryshe nga viti i kaluar buxheti që nga Marsi i këtij viti paraqitet me deficit. Këto dëshmojnë se nuk ka vend për eufori. Media ka ngritur shqetësimin për riciklimin e detyrimeve të reja të papaguara nga buxheti i shtetit, në shumën e 230 milion euro borxhe.
Për kërkohet një qëndrim më realist ndaj borxhit, përballimit e tij dhe të sfidave të tjera reale të zhvillimin ekonomik e social të vendit. Në këtë rrafsh mendoj se ripagesat e principalit të borxhit të jashtëm duhen përfshirë brenda shpenzimeve të tjera të buxhetit dhe jo jashtë tij. Në kushtet kur po rriten përmasat e pagesave të principalit të borxhit tej deficitit buxhetor kjo do ndërgjegjësonte politik bërësit për këtë situatë kur nga njëra anë duhet të paguhet principali dhe interesat e borxhit te jashtëm por nga ana tjetër parashikohet kufizimi i dhënies se tij nga kreditorët e jashtëm. Për këtë flasin prognozat e FMN-se por dhe buxhetet afatmesme të qeverisë shqiptare. Koha kërkon që të dhënat për borxhin publik të jenë jo vetëm tremujore, por edhe mujore.
Ndërkohë për t’i dhënë fund qëndrimit në tehun e absurdit edhe në fushën ekonomike kërkohet që të shpjegojnë kjo situatë absurde, që borxhi publik ulet kur ka deficit dhe rritet kur ka suficit?! Ajo që thuhet në hyrje të buletinit të borxhit publik nga Ministria e Financave nuk është justifikim. Shqiptarët nuk e meritojnë mbijetesën në teh të absurdit dhe të drejtohen nga ata që e kanë çuar e duan ta mbajnë në këtë teh. Zgjedhjet janë në prag. Ato ftojnë për alternativa për zgjidhje dhe jo lodra politike.
Sigal