Jo vetëm zanatçinj dhe profesione ndihmëse, Gjermania do të kërkojë dhe specialistë të kualifikuar

273

Studimi: Digjitalizimi do të hapë vende të reja pune, por nevojiten kualifikime të larta

Tregu i punës në Gjermani nuk është i përgatitur sa duhet për digjitalizimin. Ky është në thelb mesazhi i studimit të Fondacioni Bertelsmann “Imigracioni dhe digjitalizimi”, i cili sapo është publikuar. Aty thuhet se digjitalizimi nuk shkatërron aq vende pune sa mendohet. Përkundrazi, ai hap shumë vende të reja pune, por ato kërkojnë kualifikime të larta. Në të ardhmen tregu i punës në Gjermani do të ketë nevojë edhe për më shumë imigrantë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e tjera.

Skenari bazohet mbi gjithsej 18 supozime. Të gjitha përqendrohen në digjitalizimin e të gjithë sektorëve të ekonomisë, pra, tek e ashtuquajtura “Ekonomia 4.0”. Rreth 80 për qind e vlerës së shtuar në industrinë prodhuese dhe shërbime do të digjitalizohen.

Për shembull, sipas autorëve, industria përpunuese do ta kalojë një pjesë të mirë të detyrave të punonjësve të saj te makinat të cilat punonjësit e deritanishëm janë në gjendje t’i shfrytëzojnë vetëm pjesërisht. Për t’i vënë ato në përdorim kompanitë duhet t’i blejnë shërbimet e teknologjisë informative me kosto shumë të lartë. Sipas autorëve, investimet fillestare në këtë sektor pritet të shkojnë deri në 300 miliardë Euro në vit, dhe më pas të rriten çdo vit me 0,5%. Në të njëjtën kohë, kompanitë do të rrisin ndjeshëm shpenzimet për trajnimin e punonjësve. Deri në vitin 2025 do të shpenzohen rreth 6,6 miliardë euro për prodhim dhe 18,8 miliardë për shërbime.

Për këtë skenar autorët e studimit e shohin të papërgatitur tregun e punës në Gjermani. Nëse këto supozime dalin të vërteta, atëherë përllogaritet që kërkesat e tregut për punëtorë të kualifikuar të rriten edhe më shumë. Aktualisht në Gjermani kërkesat më të mëdha janë për specialistë, pra, për akademikë, mjeshtër dhe teknikë, dhe ato do të rriten edhe më shumë në të ardhmen, thuhet në studim.

Edhe sikur digjitalizimi të ecë me hapa më të ngadaltë, situata e tregut të punës për specialistë do të mbetet e nderë. Në total, kërkesa për fuqi punëtore në vitet 2017 dhe 2035 do të ulet me përafërsisht 1,13 milionë. por do të rriten kërkesat për specialistë. Kurse kërkesat për vendet e punës me kualifikim të ulët janë të ulëta qysh sot. Kështu për shembull, në tremujorin e katërt të vitit 2017 raporti i numrit të të papunëve me vendet vakante ishte përafërsisht 4:1 për të papunët.

Pa imigrim të specialistëve nuk bëhet 

Nga kjo mospërputhje mes kërkesave dhe ofertave autorët arrijnë në konkluzionin se oferta do të ulet shumë, nëse nuk do të ketë imigracion të kontrolluar të fuqisë punëtore të kualifikuar. Sipas autorëve, deri në vitin 2060 ajo do të reduktohet me 16 milionë. “Edhe nëse ulet papunësia në nivelin e vendit deri në minimumin e mundshëm, prapë kjo tendencë mund të frenohet disi, por përsëri, oferta do të ulet me 1,8 milionë deri në vitin 2060.” Për ta plotësuar këtë boshllëk deri në vitin 2060 numri i imigrantëve neto ne Gjermani duhet të jetë 260 mijë në vit.

Por imigrimi nuk duhet të jetë në përbërjen që ka sot. Në tetë vitet e fundit numri i imigrantëve të ardhur nga vendet e treta është më shumë se dyfishuar. Por mbi një e treta e njerëzve të ardhur në Gjermani në vitin 2017 nga vendet e treta, pra jo anëtare të BE-së ishin të pakualifikuar.

Nisur nga kjo, studimi thotë se “politikat aktuale të imigrimit, me gjithë rritjen e numrit të imigrimit të specialistëve të kualifikuar, do të joshin personat e gabuar në të ardhmen”. Rritja e vazhdueshme e kërkesës për të kualifikuar thuajse nuk pasqyrohet fare në strukturën aktuale të imigrimit. E ngjashme është edhe përbërja e azilkërkuesve. “Nëse i hedh një vështrim tabelës së imigrantëve ish-azilkërkues ose azilkërkues, 65% e tyre punojnë në profesione ndihmëse.”

Vetëm imigrimi i personave me kualifikimin e nevojshëm u siguron atyre integrimin e shpejtë në tregun e punës dhe eviton mungesat e specialistëve. Ndërsa imigrimi i të pakualifikuarve do t’u hapte probleme të dyja palëve. Rezultati do të ishte imigrantët, që nuk gjejnë një vend pune (sipas kualifikimit) dhe kompani me vende (ende) vakante. Prandaj edhe autorët sugjerojnë që imigracioni të kontrollohet dhe të përputhet me kërkesat e tregut të punës. Kersten Knipp, DW