Jepen 9800 m2 me qira 1 euro

755
Sigal

Qeveria shkel vendimin e saj me një tjetër vendim

 Qeveria shqiptare jep me qira 1 euro 9800 m2, nga këto 3364 sipërfaqe nën ndërtesë, duke shkelur në këtë mënyrë vendimin për dhënien me qira të pasurive shtetërore, ku thuhet se jepen me qira sipërfaqet funksionale dhe jo ato nën ndërtesë. Kështu, Qeveria shqiptare ka miratuar dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës dhe shoqërisë “Picari”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Reparti i axhusterisë me Tetojën dhe Reparti i instrumenteve”, në “Albpetrol”, sh.a., Patos, me sipërfaqe të përgjithshme 9 800 (nëntë mijë e tetëqind) m2, nga ku 3 364 (tre mijë e treqind e gjashtëdhjetë e katër) m2 sipërfaqe nën ndërtesë. Ky vendim i qeverisë është botuar në Fletoren Zyrtare nr.27.

Nisma “Shqipëria 1 euro”

Dhënia e objekteve dhe trojeve shtetërore me 1 euro qira, është një nismë e qeverive shqiptare, nisur nga Berisha në vitin 2006 dhe rivlerësuar nga Rama, për të nxitur investimet e brendshme dhe të huaja. Sipas kritereve të miratuar në vendimin e qeverisë, çdo investitor mund ta përfitojë këtë qira minimale kundrejt disa kritereve që duhet të përmbushë: masa e investimit, që duhet të jetë mbi 10 milionë euro, numri i të punësuarve, lloji i biznesit etj.. Sipas vendimit, “pasuritë shtetërore u jepen të tretëve, duke u transferuar të drejtën e përdorimit me qira ose enfiteozë, nëpërmjet procedurës së konkurrimit. Pasuritë shtetërore, që jepen me qira, janë: ndërtesat, sipërfaqet funksionale (jo nën ndërtesë), trualli i lirë, makineritë e pajisjet e linjat e prodhimit të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital 100 për qind shtetëror (në vijim “shoqëri shtetërore”). Kriteret e konkurrimit për dhënien me qira të pasurisë shtetërore janë si vijon: niveli i investimit; niveli i punësimit; oferta e detyrimit mujor të qirasë. Instituionet qendrore dhe vendore mund të vendosin edhe kritere të tjera shtesë”.