Jaka: Identifikimi real i fushave të bashkëpunimit, tërheqja e investimeve të huaja

582
Sigal

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikoli Jaka takon ambasadorin e Polonisë Marek Jeziorski

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka zhvilloi dje, një takim pune me ambasadorin e Polonisë në vendin tonë, zotin Marek Jeziorski. Rritja e qarkullimit tregtar me këtë vend, solli nevojën e këtij takimi për ta çuar në nivele të reja këtë shkëmbim. Ambasadori polak u shpreh në takim që megjithëse një vit zgjedhor për Shqipërinë, shkëmbimet ekonomike mbeten thelbi i punës dhe marrëdhënieve që duhet të forcohen mes palëve. Për këtë qëllim ai kërkoi nga kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Jaka, rrugën që do të çojë në forcimin e kësaj marrëdhënie. “Edhe pse mundësitë fiskale, pozita gjeografike dhe potenciali i tregut shqiptar afron mundësi shumë të mira për të tërhequr investimet e huaja në vendin tonë, vihet re një stepje këtë periudhë”, u shpreh Jaka në takim duke kërkuar që të gjenden mundësitë e bashkëpunimit për të mos humbur këto resurse që afron vendi unë. Për këtë qëllim zoti Jaka u shpreh se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë vë në dispozicion të investuesve të huaj dhe në rastin konkret të polakëve gjithë informacionin që ka për mundësitë e të bërit biznes në Shqipëri, duke mos qenë thjesht një mbështetje fillestare, por dhe orientuar drejt në tregun tonë në çdo kohë. Për këtë cilësoi Jaka në bashkëpunim dhe me ambasadën polake duhet bërë një studim i saktë i fizibilitetit, për të treguar në terma realë se çfarë afrojmë ne me shumë se vendet e rajonit. Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se kontakti i drejtpërdrejtë i bizneseve me njëri-tjetrin, është mundësia më e mirë që të shihen potencialet e Shqipërisë për të investuar në fusha të ndryshme, apo dhe bashkëpunime konkrete mes kompanive. Madje zoti Jaka cilësoi se kjo duhet të jetë një mundësi e mirë që dhe Polonia të njohë produktet shqiptare, duke i shërbyer në këtë mënyrë rritjes së qarkullimit tregtar jo vetëm në import por dhe eksport. Për t’i shërbyer këtij qëllimi bashkëbiseduesit ranë dakord që në vjeshtën e këtij viti të ketë një mundësi konkrete takimi mes sipërmarrësve qoftë në Poloni apo Shqipëri.