Sigal

Ja skema sesi biznesi i madh fsheh TVSH dhe ia ngarkon biznesit të vogël

Çdo mall që importohet, pasi kalon përmes një procesi doganor del me një kosto të caktuar (shumëfishuar); çmimit të blerjes i shtohen shpenzimet e transportit, shpenzimet e zhdoganimit, Akciza (për subjekte të kësaj natyre) si dhe padyshim TVSH-ja. Subjekti importues, për të fshehur fitimin, (një “ves” i përfituar prej kohësh në marrëveshje të heshtur me doganën) nuk pasqyron çmimin real, por deklaron mallin me çmim më të ulët, deri në 40% e shpesh edhe më shumë. Shembull për këtë janë mallrat që vijnë nga vendet e Lindjes, të cilat nuk shoqërohen me konfirmim të çmimeve në doganën tonë (madje dogana nuk ka as çmime reference për pjesën dërmuese të këtyre mallrave).

Për të realizuar këtë deklarim të çmimit sa më të ulët shumica e bizneseve paguajnë para nën dorë. Përjashtim bëjnë vetëm bizneset oligarke, të cilat shkurtojnë hallkat në këtë “zinxhir ushqimor”, duke zhvlerësuar totalisht kompetencat e institucioneve doganore, për shkak të lidhjeve të tyre me eprorët.

Si përfiton biznesi i madh tarifat doganore

Një deklarim më i vogël i vlerës së artikullit të importuar përkthehet në tarifa doganore më të vogla por jo vetëm. Biznesi importues tashmë do të ketë një artikull që në pjesën dërmuese do t’i shitet biznesit të vogël i cili do ta përfitojë atë me çmim të faturuar shumë më të vogël se ai reali. Kuptohet, diferencën do ta paguajë dorazi. Tashmë stafeta kalon biznesit të vogël, i cili ka blerë një produkt të shoqëruar me një faturë tatimore vlera e të cilës është shumë më e vogël sesa ajo që ka paguar ai në të vërtetë.

Barra e TVSH për biznesin e vogël

Biznesi i vogël do të detyrohet që në shitje, ose ta faturojë mallin me vlerën reale të tregut dhe të tatohet më shumë, ose edhe ai si biznesi i madh ta faturojë atë me një çmim jo real duke shmangur kështu TVSH. E gjitha kjo shkon në dëm të biznesit të vogël i cili (kur e faturon mallin me vlerën e tregut) mban barrën më të madhe të TVSH. Fituesi është padyshim biznesi i madh i cili nuk paguan TVSH për një pjesë të madhe të fitimit. E njëjta fshehje e TVSH ndodh edhe për mallrat e produktet që prodhohen në vend, pasi edhe në këtë rast nuk deklarohet çmimi i saktë. Kjo ndodh edhe me prodhuesit e mëdhenj në vend, të cilët, sa më të fuqishëm të jenë, po aq me e madhe është mundësia e realizimit të evazionit. P.sh prodhuesit e ujit, të birrës, të lëngjeve dhe produkteve të shumta të fabrikave e punishteve në vend, nuk deklarojnë çmimin e vërtetë, me të cilin nxjerrin prodhimin në treg. Edhe këtu bashkëpunëtorë në mbledhjen e fshehjen e saj është biznesi i vogël, por gjithmonë në favor të biznesit të madh prodhues. E gjithë kjo fshehje realisht i rëndon konsumatorit, i cili paguan TVSH. Ndërsa ajo vilet dhe kalon te subjekti prodhues, që ka kryer deklarim jo të saktë qysh në daljen nga prodhimi drejt tregut. Kjo fshehje që bëjnë Biznesi i madh dhe fare pak Biznesi i vogël duke mos deklaruar një pjesë të madhe të zhdoganimeve dhe çmimin real në shitje realizojnë edhe fshehjen e fitimeve që iu burojnë pastaj nga tregu.

 

300-400 milionë euro fshehja e TVSH nga biznesi i madh

Kjo fshehje e mbetur mbetur tek biznesi i madh dhe fare pak te Biznesi i vogël është rreth 300 deri ne 400 milion euro. Si rezultate të kësaj janë padyshim mposhtja e konkurrencës dhe monopoli. Atëherë vijmë te të kuptuarit qartësisht se ajo që kërkohet përmes zgjerimit të bazës së TVSH-së vetëm e rëndon këtë biznes e në rrjedhojë të këtyre shkaqeve një numër i madh i Biznesit vogël vijon të dalë nga tregu dhe oligarkët vijojnë të zotërojnë më tepër tregun e produkteve të domosdoshme, duke e mirëkomanduar atë deri te konsumatori. Pjesa më e madhe e të punësuarve në këto biznese qoftë të mëdha ose te vogla punojnë me paga mediokre e të pamjaftueshme për vetë të punësuarin dhe jo më për familjet. Pasojat tashmë dihen: shtimi i skllavërisë moderne. Pjesës tjetër të popullsisë, si mbetet zgjidhje tjetër përveçse të bredhë rrugëve, me shpresën se angazhimet pas partive do t’i japin një lëmoshë, ose më e keqja të humbasin shpresën e të largohen nga Shqipëria, pasi hapësira të tjera punësimi nuk ka. Tjetër rrjedhojë e mbajtjes se biznesit të vogël nën një lloj presioni si energji njerëzore në një tkurrje në tërësi që të mos guxojnë të rezistojnë ndaj oligarkisë qeveritare dhe kështu vijon të funksionojë skema e mbajtjes së shtypur të shtresave të gjera.

Fatura ndaj biznesit të vogël

Ndërsa biznesit të vogël që kalon me TVSH i shtohet një tjetër ngarkesë e panevojshëm dhe pa efektivitet. I kërkohet që në fund të muajt apo tremujorit, libri i blerjeve e shitjeve të përcillet online në tatime, ku çdo faturë e furnizimit dhe shitjes të regjistrohet në libër për të nxjerrë kështu edhe vlerën e TVSH që në shumicën e kohës është jo reale për shkak të evazionit që cilësova më lart. Kështu çdo biznes përfshirë një ushqimore në lagje e cila ka llojshmëri me artikuj thuajse sa një supermarket por shumë me pak në sasi për çdo artikull, në librin e blerjeve duhet të shënojë secilin artikull si blerjet dhe shitjet çka kërkon një kohë relativisht të madhe. E gjitha kjo është një falsitet i gjallë, pasi TVSH është fshehur që më parë dhe faturimet janë jo reale. Prandaj asgjë veç rrënimit të bizneseve familjare nuk realizohet në këto kohë me zgjerimin e bazës së bizneseve me TVSH. Në një vështrim të thjeshtë gjejmë se importuesit që kryesojnë veshmbathje ushqimore grurë, produktet dominuese në ekonomi të cilat futën në treg në krejt territorin e Shqipërisë realizojnë fshehjen e të ardhurave atje në krye, dhe kjo fshehje vijon me patjetër në bashkëpunim me strukturat përkatëse të qeverisë dhe qysh këtu ndodh evazioni fiskal që rrënon buxhetin e shtetit, pa dyshim aq sa ka kushtuar Rruga e Kombit zhduken në vit, duke u investuar këtu mund të themi se lënda jetike për zhvillimin e ekonomisë e cila duhej të shpërhapej e rigjeneronte ekonominë e vendit ngjitet lart drejt oligarkisë, fryhet një gjymtyrë me gjakun që duhej të qarkullonte në gjithë organizmin dhe gjymtyrët e tjera. I bie që sikur të pakësohej ushqimi nga gjithë degët e një peme që formojnë kurorën duke punuar e furnizuar vetëm degët që kryesojnë pemën, atëherë pema rrallon degët e tjera dhe shohim një pemë të përçudnuar dhe lisi me tepër ngjan me palmën. Nëse rregullsia do të fillonte në krye, në dogana e tatime pikërisht me tatimpaguesit e mëdhenj atëherë pikërisht biznesi i madh nuk do jepte mall pa faturë me çmimin real. Nuk besoj se ka ekonomist që mendon vërtetë se këto subjekte në mbijetesë do të vënë nën kontroll bizneset e mëdha, miqtë e qeverisë.

Mosprerja e faturës me çmimin real të shitjes

Në këto rrethana biznesi i vogël me TVSH detyrohet të mos presë faturë me çmimin real të shitjes, por do përballet me inspektorët tatimorë të cilët bashkëpunojnë duke marrë para për faktin se edhe administrata është ndërtuar e tillë; me miq, militantë, klane në funksion të përfitimit në Biznesin e vogël, i cili nuk mund të furnizohet duke marrë faturën reale, pasi nuk ka burim tjetër për mallin dhe as guxon të rezistojë, nëse dëshiron të punojë, Kjo është arsyeja kryesore pse administrata doganore dhe tatimore është e përdorur e shpërdoruar dhe nuk është stabël dhe është gjithmonë nën presion dhe kjo sjell edhe përfshirjen e saj në korrupsion.

Jak Përpali

Specialist kontabël, ish-punonjës i Tatimeve