Ja udhëzimi për shlyerjen e borxheve të shtetit ndaj biznesit

618
Sigal

Lista e detyrimeve do të saktësohet brenda muajt Prill 2014, detyrimi më i vjetër do të paguhet i pari

Pas shpalljes të listave paraprake të borxheve të shtetit ndaj biznesit, Ministria e Financave zbardh udhëzimi për shlyerjen e këtyre detyrimeve të prapambetura. Sipas udhëzimit, së pari, do të paguhen subjektet, duke respektuar parimin e kohës së krijimit të detyrimit. Strategjia e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura parashikon që, brenda të tre viteve të ardhshme qeveria të paguajë mbi 72 milionë dollarë ndaj sektorit privat. Procesi i shlyerjes është parashikuar të përfundojë brenda tre viteve të ardhshme që përkon me fundin e vitit 2016.

-Sipas udhëzimit, shlyerjet e detyrimeve financiare të prapambetura do të ndiqen vetëm për ato subjekte që figurojnë si të tilla, në pasqyrat financiare të vitit 2013, të njësive të të gjitha niveleve të qeverisjes qendrore, vendore.

-Nëse njësitë mund të shlyejnë një pjesë të detyrimeve të prapambetura me fondet e planifikuara për vitin 2014, mund të vazhdojnë të ndjekin grafikun e pagesave sipas planifikimit, duke respektuar parimin e kohës së krijimit të detyrimit sipas natyrës së shpenzimit.

Lista e detyrimeve për tu shlyer

1. Lista paraprake e detyrimeve financiare miratohet nga Komiteti i Detyrimeve të Prapambetura që publikohet brenda muajit Mars 2014.

2. Konfirmimi përfundimtar që bëhet nga Ministritë e linjës dhe njësitë e tjera të qeverisjes qendrore, dërgohet zyrtarisht dhe elektronikisht brenda datës 10 Prill 2014.

3. Brenda muajit Prill 2014 do të saktësohet përfundimisht lista e detyrimeve të prapambetura.

4. Në rast të pretendimeve, KDP pezullon trajtimin e tyre si pjesë e listës përfundimtare deri në verifikimin e tyre.

5. Ministri i Financave mund të kërkojë një verifikim të dytë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose nga një audit i pavarur.

6. Lista përfundimtare i dërgohet për verifikim, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD), të cilat verifikojnë që, subjektet nuk kanë detyrime tatimore kundrejt administratës qendrore.

Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura

-Procesi i shlyerjes së detyrimeve financiare të prapambetura është parashikuar të përfundojë brenda tre viteve të ardhshme që përkon me fundin e vitit 2016.

-Fondet buxhetore vjetore për çdo kategori të detyrimeve të prapambetura, miratohen nga Ministri i Financave.

-Fondet e alokuara për shlyerjen e detyrimeve regjistrohen direkt në sistemi dhe i dërgohen zyrtarisht institucioneve përkatëse.

-Nëpunësit autorizues fillojnë procesin e ekzekutimit të pagesave për detyrimet e prapambetura, duke respektuar radhën kohore të lindjes së detyrimit.

-Drejtoria Rajonale Tatimore urdhëron pagesat, bazuar në Listën e miratuar nga KDP.

-Çdo të hënë KDP publikon në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, pagesat e kryera në sistemin financiar të qeverisë.

-Detyrimet e prapambetura, në lidhje me pretendimet e përfitimit për personat me aftësi të kufizuar, do të trajtohen pas auditimit të borxhit, nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe do të paguhen, duke respektuar parimin që, detyrimi më i vjetër do të paguhet i pari