Ja të gjitha taksat e reja

802
Sigal

 Projektbuxheti 2015/13,7 miliardë lekë më shumë do paguajnë shqiptarët nga rritja e taksave

13.7 miliardë lekë do të jenë të ardhurat që pritet të gjenerohen në buxhetin e vitit 2015 nga politikat e ndërmarra. Biznesi duhet të rishikojë planet e tij në bazë të ndryshimeve të disa tatimeve dhe taksave, që parashikohet të rishikohen në kuadër të buxhetit 2015 dhe që do t’u kushtojnë sipërmarrësve, por dhe individëve. Linjat kryesore të këtij rishikimi, sipas relacionit të projektbuxhetit 2015, lidhen me:

-Ndryshimin e atyre tatimeve dhe taksave që nuk janë shtrembëruese dhe mbështesin progresivitetin.

-Mbështetjen e reformave të qeverisë (si p.sh. reforma antiduhan, nëpërmjet rritjes së akcizës së cigareve, si dhe rritjen e bazës së tatueshme nëpërmjet rritjes së normës së tatimit mbi të ardhurat personale, duke e barazuar me tatimin mbi fitimin).

-Adresimin e kërkesave të ministrive të linjës për të konkretizuar dhe për të faktorizuar politikat e tyre sektoriale (si p.sh. “Paketa bujqësia”).

 TAKSAT QË NDRYSHOJNË

 Tatimi mbi të ardhurat rritet në 15%, përveç pagave

Tatimi mbi të ardhurat personale, sipas relacionit, synon ndryshimin e normës së taksimit mbi të ardhurat personale nga 10 % në 15 %, përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga (që u ulën vitin e kaluar me Paketën Fiskale 2014). Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015.

Më konkretisht, komponentët që ndryshojnë janë: tatimi mbi dividentin; interesat nga huat; depozitat ose kontrata të ngjashme; të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale; qiraja; të ardhurat nga lojërat e fatit; si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera. Këto masa vijnë në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale.

 Taksa e qarkullimit, rritja për mirëmbajtjen e rrugëve

Taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që synohet të rritet me 10 lekë/litër për naftën dhe benzinën. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë rreth 5.6 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja, për vitin 2015. Arsyet për ndryshimin e kësaj takse, sipas relacionit të projektbuxhetit, janë:

-nevojat në rritje të mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore. Taksat gjithsej në benzinë dhe naftë janë 57 lekë/litër. Totali i mbledhjes së këtyre taksave, ekonomikisht, nuk mbulon plotësisht investimet me anë të buxhetit të shtetit.

-adresimi i efekteve anësore në lidhje me mjedisin, duke vazhduar angazhimet ambientaliste të qeverisë.

-marrja në konsideratë e një game efektesh anësore nga përdorimi i mjeteve rrugore, të cilat duhet të reflektohen në taksat e karburantit motorik (përfshirjen e emetimeve të karbonit, ndotjen e ajrit lokal, bllokimet dhe aksidentet).

Sipas relacionit, me gjithë propozimet e mësipërme, vlerësohet se kjo rritje takse nuk do të përkthehet në rritje çmimi, sikundër ndryshimi i ndodhur në paketën fiskale 2014 nuk u pasqyrua në rritjen e çmimit në tregun e brendshëm.

 Akciza për duhanin, politika për frenimin e konsumit

Rritja e akcizës për duhanin është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre. Përpos kësaj, financat kanë vendosur një nivel modest taksimi të cigareve dhe një rritje progresive është e nevojshme për t’u përafruar me nivelin minimal sipas BE-së. Për këtë arsye, në muajin tetor 2014, Parlamenti miratoi rritje të akcizës së cigareve nga 4500 lekë/1000 copë (90 lekë/paketë), që ishte në 5500 lekë/1000 copë (110 lekë/paketë). Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës, për vitin 2015, parashikohet të jetë rreth 3.4 miliardë lekë nga akciza dhe 600 milionë lekë nga TVSH-ja. Në linjë me rritjen e akcizës së cigareve, Parlamenti miratoi edhe rritjen e akcizës së duhanit të dredhur me 1400 lekë/kg deri në fund të vitit 2015. Efekti në të ardhura është 200 milionë lekë për vitin 2015.

 Ndryshimet në rentën minerare

Sipas financave, renta minerare dhe ndryshimet në kuadrin ligjor të saj, synojnë që renta minerale që do të marrë pushteti vendor të mos jetë e lidhur me shumën e transfertës së pakushtëzuar. Për këtë arsye, do të ndryshojë përqindja e të ardhurave nga renta minerare që merr pushteti vendor, ku zhvillohet veprimtaria minerare, nga 25 % në 5 %. Ndarja e të ardhurave nga renta minerare midis pushtetit vendor dhe qendror përbën një politikë normale fiskale të decentralizimit fiskal. Mirëpo, për këtë ndarje të ardhurash midis dy pushteteve, ka dy ligje specifike të cilat përcaktojnë procedurën e shpërndarjes dhe që në dualizëm me njëra-tjetrën kanë bërë që pushteti vendor të përfitojë shumë pak nga mbledhja e rentës minerare. Bazuar në të ardhurat nga renta minerare për vitin 2014, të cilat vlerësohen rreth 7.8 miliardë lekë, pushtetit vendor do t’i kalojnë rreth 400 milionë lekë, nga 100 milionë lekë që kanë marrë për vitin 2013.

 Taksa e makinave

Taksa e makinave do të rishikohet me synimin e vendosjes së një takse dysheme për makinat e përdorura. Aktualisht, taksa vjetore e mjeteve të përdorura të transportit është sipas formulës: cilindrata x koeficienti sipas vjetërsisë x lloji i karburantit që përdoret. Bazuar në këto tre elemente që shumëzohen për të llogaritur taksën e makinave, ka rezultuar se janë 193 mijë makina në Shqipëri, për të cilët taksa e makinave është nën 10 mijë lekë. Në harmonizim të trajtimit fiskal të karburanteve për efekt të ndotjes së mjedisit dhe përdorimit të infrastrukturës rrugore, do të vendoset një taksë dysheme jo më pak se 10 mijë lekë në vit. Pra, minimumi i taksës është 10 mijë lekë për të dy efektet negative që sjell përdorimi i makinës: ndotjen e ambientit dhe përdorimin e infrastrukturës rrugore. Në këtë të fundit investon si pushteti vendor, ashtu edhe pushteti qendror. Kështu që, nëpërmjet rritjes së kësaj takse, rriten edhe të ardhurat e pushtetit vendor për të shtuar investimet në infrastrukturën rrugore lokale. Përjashtim nga kjo taksë dysheme do të bëjnë motomjetet, ose ndryshe të njohur si çiklomotorë (mjete me 2 ose 3 rrota). Këto mjete aktualisht paguajnë një taksë 200-1000 lekë në vit, sipas formulës 200-1000 lekë. Gjithashtu, do të hiqet përjashtimi nga taksa e makinave të përdorura për mjete me vjetërsi nga 0-3 vjet. Aktualisht janë 17 mijë mjete me vjetërsi 0-3 vjet. Përfshirja e këtyre mjeteve në pagesën e taksës dysheme prej 10 mijë lekësh në vit është bazuar në argumentin se këto mjete përdorin infrastrukturën rrugore dhe për këtë shërbim, duhet të paguajnë një taksë dysheme. Efekti në të ardhura shtesë buxhetore do të jetë 116 milionë lekë për pushtetin vendor dhe 520 milionë lekë për pushtetin qendror./Monitor

Vendimet e Strasburgut për pronësinë, një nga rreziqet e buxhetit 2015

 Shpenzimet për Kompensimin në Vlerë të ish-Pronarëve Shpenzimet për Kompensimin në Vlerë të ish-Pronarëve për periudhën 2015-2017 parashikohen në masën 1.4 miliardë LEKË në vit (nga te cilat 1 miliard LEKË janë të ardhura nga ALUIZNI) në buxhetin e vitit 2015. Ndërkohë, që fatura e plotë është në proces llogaritje. Sipas Ministrisë së Financave, buxheti i shtetit rëndohet gjatë vitit nga vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut, të cilat pothuajse në të gjitha rastet janë në favor të paditësit, me një efekt financiar të konsiderueshëm. Vetëm për një vendim të tillë, në projektbuxhetin e vitit 2015 për Ministrinë e Financave parashikohet një fond në masën 1.2 miliardë LEKË (ekuivalent i 8 milionë EUR). Në këto kushte, financat theksojnë se rezulton imediate marrja e masave nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në drejtim të rishikimit të skemës aktuale të kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe të finalizimit të një pakete masash konkrete që duhet të marrë dakordësinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut. Grupi ndërministror që po punon për strategjinë dhe planin e masave, duhet të konsiderojë gjithashtu faktorin kohë për përfundimin e detyrës.

 onomisë kombëtare. Konfindustria vlerëson, se në kushtet e një evazioni fiskal prej pothuaj 50 % të PBB-së, mënyra më e mirë për sigurimin e të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe mbi të gjitha për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë kombëtare është miradministrimi fiskal me politikat e taksave të ulëta dhe të sheshta. Më tej thuhet se rritja e përgjithshme e taksave dhe tatimeve me 50 % për të ardhurat personale të qytetarëve, parashikuar për vitin 2015, rritja e çmimit të energjisë elektrike, mbajtja e tatimit të fitimit me 15 % dhe shtimin e taksave për qarkullimin dhe karburantet, mbajtjen e tatim fitimit prej 15 % për biznesin e madh, nuk krijon kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Sipas tyre, këto ndryshime ulin fuqinë blerëse po ashtu edhe fuqinë konkurruese të Shqipërisë me vendet e rajonit për tërheqjen e investimeve të huaja. Buxhuku përmend se vendet e rajonit punojnë me taksën e sheshtë prej 9-10 % të tatimeve të mësipërme dhe njëkohësisht kanë çmime konkurrente të energjisë, karburanteve, etj..