Ja si vidhen kursimet e qytetarëve

1404
Sigal

Shoqata Antikorrupsion- letër Shkëlqim Canit: Grabitje me duar të përlyera thellë në djersën e taksapaguesve shqiptarë

 Duket sikur bankat në Shqipëri po ndihmojnë biznesin dhe qytetarët tanë në kalimin e vështirë të këtij tranzicioni. Por në fakt, përveç anës së dukshme ato janë duke shkaktuar një traumë të vërtetë mbi qytetarët tanë, nëpërmjet manovrimeve që bëjnë me rregullat që shpikin vetë, sipas interesave të tyre. Gjithçka e kamuflojnë, gjoja për të qenë brenda parametrave ligjorë, por grabitjet e bëra, nuk ka ligj në botë që t’i justifikojë.

Taksa e Mirëmbajtjes

Vetëm për taksën e mirëmbajtjes së llogarisë bankare në sistemin e tyre bankat kërkojnë lekë ndaj çdo klienti. Kështu taksa e mirëmbajtjes është 500 lekë të vjetra në muaj, ose 6 mijë lekë në vit, për çdo individ. Ka edhe nga ato banka që kërkojnë vetëm 300 lekë të vjetra në muaj, ose edhe më pak. Por edhe kjo shifër është e padrejtë të mbahet. Duke llogaritur faktin se shumë njerëz kanë nga dy, ose tre llogari në banka të ndryshme, kjo shifër trefishohet. Por le të flasim për ata që kanë vetëm një llogari bankare, të cilët paguajnë 6 mijë lekë në vit. Nëse llogarisim që në Shqipëri janë 400mijë llogari të hapura bankare, atëherë kjo shifër shumëzohet me 500 lekë, ose edhe me 300 lekë, (që të mbajnë disa banka të tjera) dhe e më tej shumëzohet edhe me numrin e bizneseve të vogla dhe të bizneseve VIP. Këtu, sipas specialistëve të statistikave, janë 127,342  biznese dhe nga kjo aritmetikë rezulton shifra prej 9.8 milionë dollarësh. Pra, nëse një njeri ka në bankë vetëm 20 mijë lekë të vjetra, për tre vjet nuk i mbetet asgjë. Por sikur të mos mjaftojë kjo gjë, përsëri bankat duan të rrjepin sa të mundin dhe ato nuk të lejojnë të mbyllësh llogarinë bankare, duke të thënë se ti u ke mbetur borxh atyre dhe do t’i shlyesh kur të depozitosh përsëri para të tjera në atë bankë. Gjatë kësaj periudhe ka njerëz që ikin refugjatë, apo vdesin, por ndërkaq ata mbeten debitorë nëpër banka, për shkak të devijacioneve financiare që ndjekin këto banka. Ndërsa, në rastet kur arrihet të mbyllet llogaria bankare, bankat mbajnë 14 mijë lekë të vjetra për çdo individ. Për këtë arsye, Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion i ka nisur një letër ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, për të stabilizuar situatën në banka dhe për të ndihmuar qytetarin, apo biznesin, duke i dhënë fund “odisesë” së sorollatjeve dhe mashtrimeve. Për këtë shkak kreu i Shoqatës Antikorrupsion, Ndue Pjetra u shpreh për “Telegraf”, se “kjo është grabitje me duar të përlyera thellë në djersën e taksapaguesve shqiptarë”.

Llogaria

Në Shqipëri janë rreth 1 milion llogari bankare për të gjitha bankat e vendit, ku 80 mijë prej tyre u përkasin bizneseve të vogla, ndërsa të tjerat individëve. Sipas rregullit qytetarët paguajnë 300-500 lekë në muaj, por në disa banka të vogla edhe më pak. Kurse bizneset e vogla 500 lekë. Kjo pasqyrë është pa llogaritur bizneset e mëdha, të cilat paguajnë më shumë. Nëse do të bëjmë një mbledhje aritmetike duke përfshirë këtu të gjithë shtresat dhe grupet e klientëve bankarë, shifra përfundimtare del rreth 9.8 milionë dollarë në vit. Dhe e shumëzuar për 10 vjet, kjo shifër 10- fishohet, ndërkohë që, individët dhe bizneset e vogla, apo të mëdha shkojnë drejt falimentimit. Këtu nuk aludohet dhe nuk bëhet fjalë aspak për të nënvizuar,  se për këtë taksë, këta individë apo këto biznese kanë falimentuar, por sepse kjo gjë përbën një shkelje të rregullave ndërkombëtare të bankave. Askund ne vendet e civilizuara europiane nuk mbahet kjo taksë, përveçse në Shqipëri dhe në disa vende të tjera, jo shumë të zhvilluara. Pra, këtu përveç varfërisë një faktor i shkatërrimeve, apo falimentimeve financiare, janë edhe vetë bankat. Duke e llogaritur taksën për një individ të vetëm, ajo duket shumë e vogël, por në shumën totale vjetore, ajo kap shifra tepër të larta, ashtu siç e përshkruam edhe më lart.

Dhuna e shtetit

Kjo dhunë e përbindshme financiere e bankave, shpesh herë, ose në rastet më të shumta frymëzohet dhe mbështetet nga politikat financiare të shtetit. Ka ardhur koha që shteti shqiptar t’i japë fund epokës së dhunës, së përdorur karshi qytetarëve të vet, duke mbrojtur nga ana tjetër bankat. Sepse kjo dhunë, apo kjo hatërmbajtje ndaj bankave është një argument shkatërrimi për bizneset, apo qytetarët. Para ca kohësh, Kryeministri Berisha në një takim me kryeministrin austriak, u zotua ndaj tij, për favorizimin e bankave, në raport me qytetarët, duke i dhënë urdhër ministrit të drejtësisë, që të organizonte Përmbarimin, në marrjen e aseteve të deklaruara, si garanci për kreditimet.

Mashtrimi me kreditë

Një masakër tjetër akoma më e rëndë bankare po vazhdon prej 22 vjetësh të bëhet me kreditë e marra në banka. Kështu përveç mungesës së transparencës në momentin e marrjes së kredive, këto banka luajnë një rol të ulët dhe negativ gjatë periudhës së shlyerjes. Kur qytetari apo klienti i pyet përfaqësuesit e bankave se sa para kanë mbetura koma akoma për të shlyer, ata  përgjigjen se, kjo varet nga sasia e pjesës që do të kërkojë banka e shtetit për çdo rast. Pra, duket qartë se abuzimi është shumë i madh.

Sqarime për mashtrimin e bankave

  Numri i qytetarëve, që kanë një llogari personale është minimumi 400 mijë persona, që do të thotë 400 mijë llogari bankare. Referuar përllogaritjeve të thjeshta vlefta e paguar bankës është:400,000.00 qytetarë x 100.00 Lekë në muaj x 12 muaj = 480,000,000.00 Lekë në vit

  Numri mesatar i bizneseve në Shqipëri është rreth 127,342 biznese dhe përllogaritjet do të ishin:127,342.00 biznese x 200.00 Lekë x 12 Lekë në muaj = 305,620,800.00 Lekë

 – Nëse përllogarisim faktin se rreth 60 mijë biznese kanë numër llogarie edhe në Euro, do të kishim:60,000 biznese x 2 Euro x 12 muaj = 1,440,000.00 Euro, / ose 201,600,000.00 Lekë.

 Pra, në përfundim shifra mesatare që bankat përfitojnë nga klientët e ndryshëm të saj, qofshin këta biznes apo qytetarë, vetëm për taksën e mirëmbajtjes së llogarisë bankare, është rreth 987,220,800.00 Lekë në vit ose 9.8 milionë USD Për sa më sipër, i jemi drejtuar edhe Kryeministrit si edhe Ministrisë së Financave, me shkresën  përkatëse,  me Nr. Prot. 84 /1, Nr. Prot. 85 / 1, Datë: 02.10.2013Në këto shkresa kemi kërkuar marrjen e masave emergjente për ndryshime në ligjin Nr. 9662, Datë: 18.12.2006 “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”

GENTI  AHMATAJ

Ekspert financiar

 Komisioni i Mirëmbajtjes së Llogarive Bankare

 Vetëm për taksën e mirëmbajtjes së llogarisë bankare në sistemin e tyre bankat kërkojnë lekë ndaj çdo klienti. Kështu taksa e mirëmbajtjes së llogarisë bankare për personat fizike dhe juridike është e ndarë sipas valutës. Komisioni i mirëmbajtjes për llogarinë bankare për një periudhë 3 muaj, në varësi llojit të valutës është përkatësisht: 600.00(gjashtëqind) Lekë, 6.00 (gjashtë) USD, dhe/ose  6.00 (gjashtë) Euro Ndërsa për qytetarët, të cilët kanë një llogari rrjedhëse, komisioni i mirëmbajtjes së llogarisë është 300.00 Lekë, 3.00 USD dhe/ose 3.00 Euro. Sipas informacioneve, rezulton se për rreth 80% të bizneseve që kooperojnë në Shqipëri, Llogaritë bankare janë të hapura në Lek dhe në Euro; 10% kanë llogari në Lek, Euro dhe USD, ndërsa 10% i mbetur kanë llogari vetëm në Lek. Rreth 60% e qytetarëve  që kanë llogari personale, i kanë ato në Lek dhe në Euro, ndërsa pjesa tjetër rreth 40% i kanë llogaritë vetëm në Lek ose vetëm në Euro.

————–

Nr. Prot. 84/1                                               Tiranë, më datë: 02. 10. 2013

  Letra drejtuar ministrit të Financave Shkëlqim Cani

 “Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptarë”, regjistruar me Vendimin Nr. 3635, Datë: 30. 07. 2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhe e pajisur me NIPT: L32022451L, me seli në Tiranë, paraqet kërkesën si më poshtë vijon: Nga ana jonë, kohët e fundit janë konstatuar një sërë shkeljesh nga ana e Bankave të Nivelit të Dytë në Republikën e Shqipërisë. Konkretisht, Komisionet Bankare për Mirëmbajtjen e Llogarisë Bankare që i paguhet një banke, për një periudhë 3 mujore është:

– Për personat fizik dhe juridik: 600.00(gjashtëqind) Lekë, 6.00 (gjashtë) USD,

dhe/ose  6.00 (gjashtë) Euro

– Ndërsa për qytetarët, të cilët kanë një llogari rrjedhëse personale, ky komision është 300.00 Lekë, 3.00 USD dhe/ose 3.00 Euro. Në një përllogaritje të thjeshtë, taksa e tarifës së mirëmbajtjes së llogarisë bankare që një Bankë vjel çdo vit nga klientët e saj është rreth 4,000,000.00  USD Ligji Nr. 9662, Datë: 18.12.2006 në nenet e tij, i ka lënë dorë të lirë bankave në përcaktimin e tarifave dhe taksave të ndryshme, që një klient i një banke duhet t’i paguajë kësaj të fundit. Taksat dhe Tarifat që i paguhen Bankës, nuk janë vetëm përqindjet e përcaktuara nga specialistët e kredive, në momentin kur një person merr një hua nga kjo bankë, por edhe taksat e e mirëmbajtjes së llogarive bankare, të cilat përcaktohen nga vetë këto Banka. Çdo bankë e nivelit të dytë, përcakton sipas rregullores së saj të brendshme taksën e mirëmbajtjes së llogarive bankare, qofshin këto personale apo llogari biznesi. Nga ana tjetër çdo person apo biznes, në momentin e kryerjes së pagesave të ndryshme pranë bankës, është i detyruar të paguajë një komision banker, i cili në përllogaritje me numrin e klientëve të bankave, arrin shifra vërtet të larta, shifra këto që janë në kurriz e në dëm të qytetarit, Të gjitha këto veprime dhe caktim taksash e tarifash për komisione të ndryshme nga ana e Bankave të nivelit të dytë, nuk monitorohen në mënyrë korrekte dhe të drejtë. E në këtë mënyrë Bankat kanë dorë të lirë të marrin të ardhura e të përfitojnë nga qytetarët, të cilët shpesh herë janë të detyruar ti drejtohen këtyre bankave. Të vetëdijshëm se sistemi financiar e tatimpagues imponon pagesën e komisioneve bankare, por tarifat duhet të jenë më të logjikshme dhe më të pranueshme për buxhetin e çdo qytetari të Shqipërisë. Për këtë arsye, jemi të mendimit, që duhet të ndërmerren masa për ndryshime në ligj, në mënyrë të tillë, që bankat e nivelit të dytë të mirëmonitorohen rregullisht dhe që të jenë të kufizuara në vendosjen e tarifave dhe taksave që u vjelin qytetarëve. Theksi duhet vënë në taksën e mirëmbajtjes së llogarisë bankare, personale ose biznesi, duke përcaktuar një nivel kufi të detyrueshëm për këto banka. Për sa më sipër, bazuar edhe në objektivat e pasqyruara në Statutin e Shoqatës, statut i cili është miratuar me Vendim Gjykate,  Kërkojmë nga ana Juaj: Të ndërmerren masa për rishqyrtimin e Ligjit Nr. 9662, Datë: 18.12.2006 “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, mbetemi në pritje të përgjigjes Tuaj! Me konsideratë:

KRYETARI

Av.  Ndue PJETRA