Ja si rripen shqiptarët nga bankierët e “dhjamosur”

820
Sigal

Studimi/ Burokratët e bankave kushtojnë më shumë se i gjithë gjyqësori në vend

Personeli i Bankës së Shqipërisë kushton më shumë se gjithë gjyqësori në vend. Në vitin 2003 në Bankën e Shqipërisë punonin 304 persona. Në vitin 2013, janë 200 punonjës më shumë, e në total raportohen 504 punonjës. Në një vit BSH shpenzon për personelin 1 116 000 000 lekë. Të gjitha gjykatat e faktit në vend (23 të tilla), në total për paga dhe çdo lloj zëri tjetër buxhetor kanë shpenzuar në vitin e fundit (2013) më pak se BSH për personel. Konkretisht të 23 gjykatat, përfshi këtu edhe Krimet e Rënda, kanë buxhet faktik total për 2013 vetëm 890 milionë lekë. Pra, të japësh drejtësi kundër krimit të organizuar, ordiner, apo drejtësia civile në vend kushtojnë në një vit sa 87.8% e kostos për të mbajtur burokratët e Bankës Qendrore.

 Buxheti Faktik i Sistemit Gjyqësor në RSH 2012-2013

 Open Data Albania ka paraqitur studimin e saj, lidhur me Buxhetin Faktik të shpenzuar për Institucionet që rregullojnë apo janë pjesë e Sistemit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Sistemi gjyqësor në ushtrohet nga Gjykatat e Shkallës së Parë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Në vitin 2013 Gjykatat e Faktit u shpërbënë në Gjykata të Rretheve dhe Gjykata Administrative të Shkallës së Parë.

Të gjitha transaksionet me vlerë, datë, përshkrim shpenzimi dhe përfitues janë të aksesueshme përmes aplikacionit Monitorim i Thesarit të Shtetit.

Buxheti për drejtësinë

-Këshilli i Lartë i Drejtësisë si institucioni që organizon e kontrollon funksionimin e sistemit gjyqësor dhe atë të Shkallës së Parë dhe të Apelit ka pasur një buxhet faktik prej 53,617,224 lekë në vitin 2012 dhe 56,236,239 lekë në vitin pasardhës.

-Gjykata Kushtetuese e cila garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj ka pasur një buxhet më të lartë se KLD, përkatësisht 85,513,212 dhe 80,233,632 lekë në vitet 2012 dhe 2013.

-Gjykata e Lartë ka shënuar një buxhet prej 135,422,071 dhe 152,902,826 lekë në vitet 2012 dhe 2013.

-Në total, në vitin 2013 këto institucione të sistemit të drejtësisë kanë shpenzuar 1.65 miliardë lekë.

-Gjykatat e Apelit, në total kanë shënuar një buxhet prej rreth 238 milionë lekësh në vitin 2013. Gjykata e Apelit me shpenzimet më të larta buxhetore është ajo e Tiranës me përkatësisht 91 milionë lekë të shpenzuara në vitin 2012 dhe 87 milionë lekë në vitin 2013. Buxheti i Gjykatave të tjera të Apelit është dukshëm më i ulët se ai i Gjykatës së Tiranës duke shënuar vlera në intervalin 20-30 milionë lekë.

– Për Gjykatat e Rretheve shteti shqiptar ka shpenzuar gjithsej 937 milionë lekë në vitin 2012 dhe 980 milionë të tjera një vit më vonë. Gjykata e Rrethit të Tiranës përbën rreth 24% të totalit të shpenzimeve buxhetore, duke u pasuar nga ajo e Durrësit me rreth 14% të totalit.

Banka e Shqipërisë. Të punësuar dhe shpenzime për personelin 2000 – 2013

 Një tjetër hulumtim i Open Data Albania publikohet mbi numrin e punonjësve dhe shpenzimet për personelin e Bankës së Shqipërisë në vitet 2000-2013. Shpenzimet e personelit përfshijnë pagat e personelit, kontributet për sigurimet shoqërore, kontributet për planin e pensionit dhe shpenzime të tjera. Banka e Shqipërisë drejtohet dhe administrohet nga Guvernatori, Zëvendësguvernatori i Parë dhe Zëvendësguvernatori i Dytë. Anëtarët e personelit të Bankës së Shqipërisë emërohen dhe largohen nga Guvernatori, përveç atyre që emërohen nga Këshilli Mbikëqyrës. Anëtarët e personelit emërohen dhe stimulohen në bazë të parimeve të kualifikimit profesional, publicitetit, transparencës, barazisë së palëve dhe jo diskriminimit. Banka ka një autonomi të sajën në përcaktimin e shpenzimeve dhe strukturës së personelit duke shënuar kështu një institucion unik në kontekstin e tërësisë së institucioneve të Shtetit.

Numri i punonjësve

Numri i punonjësve të Bankës së Shqipërisë ka patur ndryshime përgjatë viteve. Në vitin 2000 në këtë bankë punonin 334 punonjës, me një rritje prej 23% krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2002 pati një ulje të numrit të punonjësve në 245. Pas këtij viti dhe deri në 2005 kemi patur një rritje të numrit të punonjësve të Bankës së Shqipërisë. Numri i punonjësve të Bankës së Shqipërisë për vitin 2013 të ishte 504.

Shpenzimet për personelin

Në vitin 2013 shpenzimet për personelin kanë ardhur në rritje të vazhdueshme, pavarësisht uljeve dhe ngritjeve të numrit të punonjësve. Viti me rritjen më të madhe ishte viti 2001, ku krahasuar me një vit më parë shpenzimet e personelit u rritën me 38%. Ndërsa viti me rritjen më të ulët ishte viti që lamë pas, ku krahasuar me një vit më parë shpenzimet e personelit u rritën me vetëm 2.5%. Shpenzimet e personelit për vitin 2013 ishin 1.12 miliardë lekë.

Bankat tregtare falimentojnë shqiptarët, por “dhjamosin” administratën e BSH-së

 Në këtë kohë krize, kur qytetarët shqiptarë mezi mbyllin muajin, shpenzimet për personelin e Bankës së Shqipërisë vjet shkuan në masën 1,12 miliardë lekë. Ndërsa “dhjamoset” nga taksapaguesit shqiptarë, BSH-ja ka harruar misionin e saj për mbikëqyrjen e bankave të nivelit të dytë për të garantuar stabilitetin e sistemit bankar. Nuk dihet sa përfiton Banka e Shqipërisë nga bankat e nivelit të dytë. Gjithashtu nuk dihet se pse asnjëherë në politikat e saj nuk ka qenë ajo e uljes së normave të interesit për kreditë, të cilat janë më të lartat në rajon dhe më gjerë. Përqindjet tepër të larta nga 10-12 % për kredimarrësit që aplikohen nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, po falimentojnë individin, tregun dhe ekonominë shqiptare. Ndërsa ekzistojnë vende të tilla, si Kina e cila ofron kredi me 4 %, madje dhe më të ulët për shtete me stabilitet ekonomik, qeveria duhet të ndërhyjë në këtë katrahurë që po pëson individi, biznesi dhe ekonomia shqiptare.