Ja institucionet e spiunuara për korrupsion dhe shpërdorim detyre

832
Sigal

Zbardhet raporti 1-vjeçar për bilbil-fryrësit në institucionet publike me mbi 80 punonnjës dhe ato private me mbi 100 punonjës. Sipas statistikave në shtet funksionojnë 166 njësi spiunazhi, ndërsa në sektorin privat 446 njësi, të cilat kanë bërë 404 raporte për 2018-n. Ja emrat

“Spiunët” në shtet dhe privat hartuan 404 raporte për 2018, ja institucionet me shkelje

 

Të “spiunosh” brenda ndërmarrjeve të mëdha apo në zyrat e shtetit, prej një viti është e ligjshme dhe nuk janë të paktë ata që po e bëjnë, por kryesisht në institucione shtetërore. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit njoftoi, se për vitin 2018 u administruan nga institucionet shtetërore dhe ato private që kanë detyrimin e të pasurit një sinjalizues 404 raporte. “ILDKPKI, në përmbushje të detyrimeve ligjore, për gjatë vitit raportues mbajti kontakte të vazhdueshme me njësite përgjegjëse ne sektorin publik dhe privat, duke administruar dhe analizuar raportimet e dërguara prej tyre, si dhe duke bërë përditësimet e nevojshme në Regjistrin Kombëtar të Njësive Përgjegjëse ne Autoritetet Publike dhe në Regjistrin Kombëtar të Njësive Përgjegjëse në sektorin privat. Nga të dhënat statistikore, rezulton se në total janë ngritur dhe funksionojnë 166 njësi përgjegjëse në sektorin publik, si dhe 446 njësi përgjegjëse në sektorin privat” thuhet në raportin e 2018 të institucionit. I njëjti thekson se viti i shkuar ka qenë i mbushur me trajnime të vazhdueshme të njësive të ngritura për të kuptuar të drejtat dhe detyrimet e tyre mbi sinjalizimin.

Por cilat janë institucionet e “spiunuara”?

“1- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në të cilin janë paraqitur pranë njësisë përgjegjëse 3 raste sinjalizimi, lidhur me shpërdorim detyre nga ana e inspektoreve të sinjalizuar.

2- Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në te cilin është regjistruar 1 rast sinjalizimi, për shpërdorim detyrë, ku në përfundim të hetimit administrativ dhe auditimit të brendshëm është rekomanduar paraqitja e kallëzimeve penale për dy punonjës. Për njërin punonjës është marrë gjithashtu masë disiplinore me largim nga puna dhe zhdëmtim demi.

3- Autoriteti Portual Durrës në të cilin është regjistruar 1 rast sinjalizimi. Inspektorati i Lartë, në lidhje me njësitë përgjegjëse pranë sektorit privat ka marrë dhe ka administruar 247 raporte, ku nga analizimi i tyre konstatohet se nuk janë paraqitur raste sinjalizimi pranë këtyre njësive në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 60/2016”

Çfarë janë bilbil-fryrësit

Ligji “Për sinjalizimin dhe sinjalizuesit” vendos si kriter që në çdo institucion publik me më shumë se 80 punonjës dhe çdo biznes me më shumë se 100 punonjës duhet të ketë një strukturë të veçantë. Qëllimi i këtij ligji është marrja e informacioneve dhe sinjalizimeve nga sinjalizuesit, njësia përgjegjëse ose e drejtpërdrejtë nga ILDKPKI për rastet e veprave penale të korrupsionit, çdo veprimi ose mosveprimi të kundërligjshëm sipas legjislacionit penal në fuqi, në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv, korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave si dhe çdo akt tjetër të ngjashëm me to të kryer në subjektin tuaj nga pronarët, administratorët, drejtuesit dhe cilido tjetër, hetimin e këtyre rasteve nga ILDKPKI dhe përcjelljen e tyre organit të Prokurorisë dhe Policisë kur gjenden elementë të veprave penale të mësipërme./Monitor