Ja destinacionet e eksporteve të Shqipërisë në vitin 2013

547
Sigal

Open Data Albania: Identifikohen 15 shtete që zënë peshën kryesore të eksporteve

Destinacionet e mallrave që vendi ynë ka eksportuar në vitin 2013, është studimi i radhës për Open Data Albania. Në këtë studim janë identifikuar 15 shtete që zënë peshën kryesore të eksporteve shqiptare dhe është vlerësuar ecuria e eksporteve në vitet 2005 deri 2013. Konstatohet, se në vitet e fundit kompanitë eksportuese kanë nisur të zgjerojnë gjeografinë e shitjeve të tyre jashtë vendit e kryesisht me vende europiane.

Eksporti sipas destinacioneve

Në vitin 2005 eksportet shqiptare dominoheshin nga Italia, Greqia dhe Kosova që zinin përkatësisht tre vendet e para. Në vitin 2013 ky raport ka ndryshuar.

Italia vijon  të mbetet vendi i parë i destinacionit të eksportit shqiptarë, ndonëse me peshë më të vogël në total se 8 vite më parë. Në 2013 në vlerë absolute, eksportet drejt këtij shteti janë rritur me 5% me bazë vjetore, duke shënuar 114 miliardë lekë. Dominimi i Italisë ka ardhur në rënie kundrejt totalit, duke zbritur në 46% në fund të vitit 2013. Tekstile dhe këpucë janë produktet kryesore të eksportuara dhe ky produkt pritet të vijojë të jetë produkt me peshë në eksport edhe për 2014. Greqia dhe Kosova janë zëvendësuar në renditjen e destinacioneve tregtare me vende si Spanja dhe Malta.

Spanja prej tre vitesh është partneri i dytë kryesor. Rritja e eksporteve shqiptare drejt Spanjës ka qenë shumë e shpejtë në 2013-n duke u zgjeruar me 22% kundrejt vitit paraardhës. Në total eksportet drejt Spanjës zënë rreth 10% të totalit të eksporteve. Produkti kryesor që shitet në Spanjë është grupi minerale, lëndë djegëse energji, më konkretisht, nafta e nxjerrë përpunuar dhe tregtuar nga Bankers Petrolium. Eksporti i Naftës ka rritur ndjeshëm edhe peshën që mban si destinacion i eksportit vendas Malta. 7% e totalit të Eksporteve shënohet drejt këtij vendi. Drejt Kosovës, eksportet kanë shënuar rënie me bazë vjetore 6% për shkak të rënies së eksporteve të materialeve të ndërtimit e metaleve. Kjo rënie vjen edhe si pasojë e problematikave doganore të shkaktuara nga Dogana dhe Qeveria e Kosovës. Ky grup zë 52% të totalit të shitjeve tona në shtetin e dytë shqiptarë të Rajonit. Eksporti me Kosovën qëndron në nivelin 6.6% e totalit të eksportit. Kina ka dyfishuar vlerën e blerjeve nga eksporti shqiptar në 2013 ku bëhet fjalë kryesisht për minerale, konkretisht eksportet drejt kinës janë në vlerën 11 miliard lekë. Gjermania nuk është më në nivelet e mëparshme për sa i takon destinacionit të eksportit por në bazë vjetore 2013 kundrejt 2012 eksporti drejt Gjermanisë ka shënuar rritje me 43%. Turqia ka tkurrur me 31% bazën vjetore e blerjes nga eksporti shqiptar.

Greqia vijon gjithashtu të humbasë peshën e saj në eksportet shqiptare. Rënia me bazë vjetore është 17% ndërsa vlera e eksporteve është vetëm 7.8 miliard lekë.

Megjithëse, me peshë 2% të totalit të eksportit shqiptarë, Zvicra ble produkt shqiptar si bimë medicionale dhe produkte të freskëta bujqësore.