Ja 10 kompanitë më të pasura në Shqipëri

2311
Sigal

10 kompanitë që qarkullojnë më shumë para në Shqipëri

Renditja e 200 kompanive më të mëdha sipas xhiros në vitin 2017 dhe ecuria e tyre është një pasqyrë e saktë e asaj që po ndodh me ekonominë shqiptare: Një rritje që po mbahet në këmbë nga gazsjellësi TAP dhe një orientim i parave të lira në ndërtim (40% e hyrjeve të reja janë nga ky sektor). Në renditje mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese, ato që vetëm faturojnë, ndërsa përpunuesit po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt fundit të listës…

Nëse do të kuptosh se në çfarë drejtimi po shkon ekonomia shqiptare, mjafton të shohësh ecurinë e 200 sipërmarrjeve më të mëdha, të cilat në vitin 2017 qarkulluan 7.3 miliardë euro ose rreth 63% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kompanitë me rritjen më të madhe janë ato të lidhura me gazsjellësin TAP, projekti më i madh që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë prej rreth 1.5 miliardë eurosh. Projekt, që për fat të keq, pritet të përfundojë në 2019-n, duke ndërprerë një nga burimet më të mëdha të rritjes ekonomike, që siç kanë paralajmëruar edhe institucionet ndërkombëtare, duhet zëvendësuar me sektorë me vlerë të shtuar të lartë. Por, çfarë po ndodh në realitet? Ka një orientim të dukshëm drejt ndërtimit, kryesisht atij rezidencial. Nga 27 hyrje të reja në listën e 200 më të mëdhenjve, 40% e tyre i përkisnin sektorit të ndërtimit, kryesisht rezidenciale. Si asnjëherë tjetër në renditjen e 200 më të mëdhenjve ka 32 kompani ndërtimi, ose të lidhura me këtë sektor. Për krahasim, në vitin 2012 kishte 16 sipërmarrje ndërtimi dhe në 2014-n numri i tyre ishte 17, pjesa më e madhe e të cilave ishin në segmentin e infrastrukturës rrugore. “Dashuria” shqiptare për ndërtimin është e vjetër në historinë e re të tranzicionit. Të dhënat e përditësuara të INSTAT për vitin 2016, tregojnë se 74.3% e investimeve të brendshme në ekonomi shkuan pikërisht në sektorin e ndërtimit. Në krahasim me 1996-n, që është viti i parë që INSTAT e raporton këtë të dhënë, ndryshimi, për një vend që është mbushur kudo me beton, është fare i vogël. Në 1996-n, pesha e ndërtimit në investimet e brendshme ishte 79.7%. Investimi në ndërtim mund të ndikojë në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, duke shkuar në linjë të kundërt me atë që kanë rekomanduar ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare. Përveç ndikimit të TAP dhe revanshit të ndërtimit, fotografia e 200 më të mëdhenjve mbetet e njëjtë. Mbizotërojnë kompanitë që shesin e rishesin naftë, duke rritur artificialisht xhiron, ka pa fund biznese tregtare që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal, ndërsa industria përpunuese sa vjen e po zbret gjithnjë e më shumë në renditje. Për kompani të reja, as që bëhet fjalë. Me aktivitet të qëndrueshëm janë bankat, sigurimet e telekomunikacionet. Ka vijuar dhe dukuria e subjekteve, që po realizojnë qarkullime të larta, por kanë asete minimale, një grusht punonjësish dhe që janë shumë të paqëndrueshme, me rritje të shpejtë të xhiros e mbyllje një vit më pas. Ato mbizotërojnë në tregti, por vitet e fundit janë shtuar dhe në sektorin e telekomunikacioneve përmes faturimit të impulseve telefonike. Nuk mungojnë as lojërat e fatit, që aksioni “Fundi i marrëzisë” i vitit 2013 vetëm sa u ka sjellë më shumë fat dhe po njohin rritje të qëndrueshme dyshifrore vit pas viti. Prej disa vitesh janë ndër 200 më të mëdhenjtë edhe subjektet e agjencive të udhëtimit, por kjo ka ardhur më shumë si rrjedhojë e ndryshimeve në raportimet kontabël, të cilat janë të detyruara të raportojnë si të ardhur edhe vlerën e biletave që tregtojnë, jo vetëm të komisioneve, siç ndodhte më parë.

10 MË TË MËDHENJTË

  1. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)

Për të katërtin vit radhazi, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka deklaruar një ecuri pozitive, me të ardhura të qëndrueshme, që kur kaloi nën administrimin e shtetit në janar të vitit 2013. Të ardhurat nga aktiviteti në 2017-n ishin 53.5 miliardë lekë (rreth 404 milionë euro), me një rritje prej 3.3% me bazë vjetore, ndërsa të ardhurat totale operative (përfshirë të ardhurat e tjera, kryesisht penalitetet për pagesa me vonesë) arritën në 60.4 miliardë lekë). Për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të shpenzimeve nga importet e larta, të detyruara nga situata e thatësirës, fitimi para taksave ra nga 21.4 në 2016-n, në 3.4 miliardë lekë. 2018-a pritet të jetë viti i fundit i mbizotërimit të operatorit të shpërndarjes, pasi ai është ndarë tashmë në tre kompani bija të shpërndarjes, furnizimit dhe shërbimit, si një detyrim ligjor, në bazë të paketës së energjisë, por synon edhe një menaxhim më të mirë.

2.Kastrati sh.a.

Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë në vend, Kastrati SH.A. ka ruajtur vendin e dytë në 2017-n, teksa aktiviteti i saj ka qenë me tkurrje të lehtë për të tretin vit radhazi. Kompania raportoi 43.1 miliardë lekë të ardhura (rreth 324 milionë euro), me një tkurrje prej 2.2% me bazë vjetore, sipas të dhënave nga bilanci i saj. Luigj Aliaj, drejtues në këtë shoqëri, thotë se xhiro në kompanitë e tregtimit të karburanteve nuk është shumë e rëndësishme, pasi është e varur nga çmimet e naftës. Në raport me të ardhurat, fitimet mbeten minimale, në 1.2 miliardë lekë para taksave, me një normë përfitueshmërie prej 2.7%.

3.SPIECAPAG

SPIECAPAG, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë, në kuadër të gazsjellësit TAP. Në Shqipëri ka dy kompani, SPIECAPAG – Shqipëria dhe SPIECAPAG Transadriatica, të krijuara në vitin 2016. Ndërtimi i tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, janë fusha të ekspertizës së Spiecapag. SPIECAPAG – Shqipëria është ngjitur në vendin e tretë në 2017-n, nga i nënti një vit më parë, pasi pati rritje të ardhurash prej 85% në 28 miliardë lekë, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk kishte dorëzuar ende një bilanc në datën kur “Monitor” kontrolloi në QKB për të).Edhe sipërmarrja tjetër, SPIECAPAG Transadriatica, që ka si objektiv aktiviteti ndërtimin e linjës furnizuese të gazsjellësit TAP u rendit e 11-a, pas një trefishimi të të ardhurave në 17 miliardë lekë. Joint Venture Renco Terna – dega e Shqipërisë, është një tjetër kompani që kryen punime infrastrukture për TAP dhe ka parë katërfishim të të ardhurave në 2017-n, për të arritur në 3.4 miliardë lekë (vendi i 72-të).

  1. Bankers Petroleum

Bankers Petroleum, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos Marinzën, ka zbritur këtë vit në vendin e katërt, pavarësisht rritjes së të ardhurave në vitin 2017. Qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 24 miliardë lekë, me një zgjerim prej rreth 17%. Përmirësimi i koniunkturës së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar pozitivisht për Bankers, që vijon gjithsesi të deklarojë humbje, që për vitin 2017 u reduktuan në 4 miliardë lekë. 2017 ishte viti i parë i plotë kur Bankers ishte nën kontrollin e kinezëve të Geo-Jade Petroleum Corporation (“Geo-Jade”), e cila bleu në shtator të 2016-s të gjitha aksionet e zakonshme të emetuara dhe në qarkullim të Bankers Petroleum Ltd.

5.Europetrol Durrës Albania

Europetrol Durrës Albania ka kaluar sërish në operatorin e dytë të tregtimit të naftës në vend dhe është prej disa vitesh ndër 10 më të mëdhenjtë. Pas rënies së një viti më parë, kompania ka zgjeruar ndjeshëm të ardhurat me 44% në 21.7 miliardë lekë. Fitimi i kompanisë ishte vetëm 123 milionë lekë në vitin 2017.

  1. Genklaudis

Genklaudis SH.A. është renditur në 2017-n si operatori i tretë më i madh i naftës në vend, duke ia lënë vendin e dytë Europetrol Durrës Albania. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 20.7 miliardë lekësh, me një rritje prej 30% me bazë vjetore. Pas humbjeve të vitit të kaluar, ka rezultuar me një fitim minimal.

  1. Kurum Albania

Kurum Albania është ngjitur sërish në dhjetëshe, pasi falimenti për efekt ristrukturimi i shpallur në mars të vitit 2016 duket se ka funksionuar. Të ardhurat e prodhuesit dhe përpunuesit të çelikut arritën në rreth 20 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 44%. Arif Shkalla, drejtor i financave pranë Kurum, pohon se kreditë janë ristrukturuar dhe po shlyhen normalisht, prodhimi po rritet ndjeshëm, eksportet kanë rifilluar, shoqëria iu është rikthyer fitimeve dhe brenda 7 vjetësh, planifikon të shlyejë gjithë kreditorët. Më 16 mars 2016, kompania hapi procedurën e falimentit në Gjykatën e Tiranës dhe më pas, më 15 prill, u hap procedura e falimentit për efekt ristrukturimi, teksa kompania parashikoi që në të ardhmen e afërt, do të kishte pamundësi pagese të detyrimeve afatshkurtra, ndaj u vendos që të kërkonte falimentimin për efekt ristrukturimi. Në 2016-n u bë verifikimi i gjendjeve financiare dhe i pretendimeve të kreditorëve, që rezultoi rreth 226 milionë euro, u negociua me kreditorët dhe në mes të vitit 2017 u miratua plani i organizimit të kompanisë që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave deri në vitin 2023 dhe u ristrukturuan kreditë. Riorganizimi i shoqërisë, ristrukturimi i kredive, së bashku me rritjen e çmimeve të metaleve në tregjet ndërkombëtare bënë që performanca e kompanisë të përmirësohej ndjeshëm në vitin 2017. Të ardhurat e tatueshme arritën në 20 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 70%. Për herë të parë pas dy vitesh radhazi me humbje, Kurum deklaroi fitime operative prej 932 milionë lekësh dhe fitim në bilanc prej 364 milionë lekësh. Më e dobët ishte performanca e hidrocentraleve, të ardhurat e të cilëve ranë me 30% për shkak të thatësirës.

  1. Banka Kombëtare Tregtare

Banka Kombëtare Tregtare, që prej disa vitesh, është banka më e madhe në vend në të gjitha drejtimet, asetet, kredinë, depozitat dhe të ardhurat, ka vijuar të ruajë pozicionin e saj në 10 më të mëdhenjtë. Qarkullimi i saj vjetor, sipas raportimit në bilanc, ishte rreth 19.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10% në raport me vitin e mëparshëm. Banka deklaroi fitime para taksave prej 8.4 miliardë lekësh. Z. Seyhan Pencapligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) është shprehur optimist në një intervistë të mëparshme për “Monitor” lidhur me ecurinë e 2018-s. “Do të jetë një tjetër vit pozitiv në sektorin bankar dhe ne presim përmirësim të mëtejshëm të portofolit të kredive të këqija. Këto mund të konsiderohen si hapa drejt normalizimit pas periudhës së krizës, e cila prodhoi një efekt negativ në të gjitha aspektet e sistemit bankar, madje edhe për ekonominë në tërësi. Pritshmëritë pozitive për rritjen ekonomike dhe nismat e Partneritetit Publik Privat të qeverisë po nxisin optimizmin më tej. Gjithashtu, ne kemi vendosur objektiva optimistë për 2018-n, kemi synimin që të financojmë rritjen ekonomike të vendit”, ka pohuar ai.

  1. Eroil

Eroil, me aktivitet në tregtimin me shumicë të karburanteve, është një hyrje e re ndër 10 më të mëdhenjtë në vend, pas trefishimit të aktivitetit në 18 miliardë lekë. Pavarësisht xhiros së lartë, fitimi ishte vetëm 2.6 milionë lekë. Kompania është krijuar në 2013-n dhe në vitin 2016 hyri ndër 100 më të mëdhatë, duke u renditur në vendin e 29.

  1. Vodafone Albania

Operatori më i madh i telefonisë së lëvizshme në vend, Vodafone, ka raportuar të ardhura prej 17.2 miliardë lekësh në vitin 2017, pothuajse të pandryshuara nga një vit më parë, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit).

Daljet nga Top 10

Në vitin 2017 janë shënuar dy dalje nga 10 më të mëdhenjtë. E para është Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila ka zbritur nga vendi i katërt në vendin e 18, pasi të ardhurat e prodhuesit të energjisë ranë ndjeshëm me 37%, në 11.2 miliardë lekë. Arsyeja kryesore e rënies lidhet me thatësirën e 2017-s, që detyroi kompaninë të kufizonte prodhimin. Kjo çoi dhe në një rënie të fitimeve para taksave nga 1.8 miliardë lekë në 2016-n, në 506 milionë lekë. Aktiviteti i kompanisë është rimëkëmbur në pjesën e parë të 2018-s, si rrjedhojë e reshjeve të bollshme.

Raiffeisen Bank është dalja tjetër nga 10 të mëdhenjtë, duke zbritur nga vendi i 10 në të 19-in, pas rënies së të ardhurave me 12% në 10.6 miliardë lekë. Gjithsesi, banka përmirësoi ndjeshëm rezultatin financiar, teksa fitimi para taksave arriti në 4.5 miliardë lekë, nga 4.4 miliardë lekë që kishin qenë humbjet vitin e mëparshëm. Nga Ornela Liperi (Monitor)

Konkurrencë e paktë për garën shumëmilionëshe të rrugës Kardhiq – Delvinë

Tre tenderët shumëmilionësh për ndërtimin e segmentit rrugor Kardhiq – Delvinë përfunduan me konkurrencë të ulët dhe me oferta fituese fare pranë fondit limit, bëhet e ditur nga publikimi i shpalljes së fituesit në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Tenderi për lotin 4 u fitua nga oferta e përbashkët e dy kompanive, Cobial dhe Gjoka Konstruksion, me ofertë prej 2.36 miliardë lekë, ose sa 99% e fondit limit. Një ofertë konkurrente nga kompania Alb Building shpk ishte edhe më e lartë se sa oferta fituese, ose e barabartë me 99.6% të fondit limit, por gjithsesi, kjo ofertë u skualifikua. Komisioni vlerësimit argumentoi se “kompania nuk ka realizuar punë të ngjashme në tre vitet e fundit”, një nga kriteret përjashtuese për të marrë pjesë në tender. Segmenti i përfshirë në lotin 4 është 6150 metra i gjatë dhe në të përfshihen dy ura me gjatësi të përbashkët prej 207 metrash. I gjithë segmenti pritet të kushtojë 18.7 milionë euro ose 3045 euro për metët linear. Në tenderin për lotin 5, pati gjithashtu dy oferta, një prej të cilave u skualifikua, megjithëse ishte më e lartë se sa oferta fituese. Tenderi u fitua nga kompania Alb – Star për 1.79 miliardë lekë ose 2.2% më pak se sa fondi limit. Oferta tjetër nga GPG Company ishte e barabartë me 98.8% të fondit limit, por ajo u skualifikua pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar vlerësoi se GPG Company ka sakaq në zbatim kontratën e by-pass të qytetit të Tepelenës me vlerë 2.8 miliardë lekë dhe sipas rregullave të qeverisë shqiptare, ajo nuk mund të fitojë tender të ri pa përfunduar 70% të punimeve të kontratës në vijim. Loti 5 do të ketë një gjatësi të përgjithshme prej 3058 metrash dhe do të kushtojë afërsisht 4.6 milionë euro për kilometër. Për tenderin e lotit 6, oferta fituese u hodh nga kompanitë Agbes shpk & Arberia shpk dhe ishte afro 2.38 miliardë lekë, e barabartë me 99.6% të fondit limit. Të tre tenderët e marra sëbashku do të kushtojnë rreth 51 milionë euro sipas rezultateve të tenderëve. Kjo do të thotë se çdo kilometër rrugë do të kushtojë afro 3.7 milionë euro dhe çdo metër linear do të kushtojë 3700 euro. Për çdo metër katror rrugë, kostoja e pritshme është rreth 393 euro. Aktualisht nuk është publikuar ndonjë studim fizibiliteti për leverdinë e këtij segmenti rrugor. Nëse do të realizohet deri në fund, rreth vitit 2022 nga Tirana për në Sarandë do të mund të udhëtohet duke u kthyer në drejtim të fshatit Kardhiq, 9 kilometra para se të mbërrihet në Gjirokastër. Nga kjo pikë, Saranda është 46 kilometra larg. Alternativa tjetër nga rruga ekzistuese përmes Qafës së Muzinës është rreth 65 kilometra, me një shkurtim prej rreth 20 kilometrash.

Popullariteti i Bankës Botërore në Shqipëri ra në tre vitet e fundit

Në pranverë të vitit të kaluar, Banka Botërore zhvilloi një anketim në Shqipëri, në të cilin u përfshinë persona nga zyra e Presidentit, Kryeministrit, ministritë, OJF-të, mediat, shoqëria civile, etj., për të ofruar një opinion për punën e Bankës në Shqipëri. Pas anketimit Banka referoi se rezultatet e këtij viti treguan ndjeshëm nivele më të ulëta të familjaritetit me Ëorld Bank Group (ËBG) krahasuar me anketën e vitit 2014. Vlerësimi i vitit 2017 ishte 6.8 në një sistem pikëzimi nga 1 deri te 10-1, ku pikët më të larta tregojnë vlerësim më të mirë. Ndërsa në vitin 2014 shqiptarët i dhanë 7.6 pikë punës së BB në Shqipëri. Vetë BB shpjegon se të anketuarit nga zyra e Presidentit / Kryeministrit, zyrat e Ministrave dhe konsulentët e projekteve të PMU-së treguan nivelet më të larta të familjaritetit me Bankën Botërore, ndërsa të anketuarit nga pushteti vendor dhe OJQ-të treguan nivelet më të ulëta të familjaritetit. Ky anketim, të cilit iu përgjigjën 280 persona në të gjithë vendin, u hartua për të ndihmuar Grupin e Bankës Botërore (WBG) për të kuptuar më mirë se si pjesëmarrësit në Shqipëri perceptojnë punën e BB-së. Studimi hulumtoi qëndrime të përgjithshme ndaj Grupit të Bankës Botërore, efektshmërinë e rezultateve, njohuritë për aktivitetet e Grupit të Bankës Botërore, rolin e ardhshëm të Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri, etj. Në sondazh morën pjesë gjithsej 332 persona, 63 për qind e të cilëve u përgjigjën. Të anketuarit u ftuan përmes postës elektronike dhe mënyrave të tjera. Rezultatet e anketës së këtij viti u krahasuan me ato të studimit të kryer në vitin 2014, teksa u pa një ulje e lehtë e popullaritetit në tre vitet e fundit