ISSH, 10 miliardë lekë kontribute të pambledhura në 2013-n

717
Sigal

Raporti i KLSH-së: 113,377 persona nuk përfshihen në skemën e sigurimeve shoqërore në fshat

Në auditimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është konstatuar se skema aktuale e sigurimeve shoqërore shfaq problematika si në procesin e realizimit të të ardhurave, ashtu dhe në realizimin e shpenzimeve, të shoqëruara me rritje nga viti në vit të subvencioneve buxhetore. Gjatë auditimit të praktikave dokumentare (evidencave, formularëve si dhe raportit të vitit 2013) të vëna në dispozicion nga ISSH, është konstatuar:

1. Mosrealizim i të ardhurave të programuara nga shmangia e pagesës së kontributeve nga punëdhënësit për të punësuarit e tyre në subjektet juridike dhe fizike. Konstatohet një nivel kontributiv më i ulët me efekte në të ardhura, evazion që ka sjellë që plani vjetor fillestar i të ardhurave prej 48,918 milion lekë të realizohet vetëm 98.73 % duke krijuar një defiçit në të ardhura me 622 milionë lekë. Defiçiti i mësipërm është krijuar nga mosrealizimi i numrit të kontribuesve, nga numri i ulët i kontribuesve për një subjekt si dhe rritja e numrit të punonjësve me pagë minimale, gjë që ka sjellë një nivel të lartë të evazionit fiskal, me pasojë krijimin e një defiçiti të konsiderueshëm në skemën e sigurimeve shoqërore.

2. Rritje të detyrimeve të papaguara ndaj skemës së sigurimeve me rreth 1,9 miliardë lekë, vetëm për vitin 2013.Kjo ka sjellë që stoku i detyrimeve kontributive të papaguara nga subjektet juridike dhe fizike në fund të vitit 2013 të arrijë në 10 miliardë lekë. Këto detyrimeve përfaqësojnë kontributet, interesat dhe gjobat e papaguara dhe përbëjnë rreth 21% të totalit të të ardhurave të planifikuara.

3. Lidhur me mbledhjen e kontributeve, problem shqetësues është mosdorëzimi i listëpagesave nga subjektet e biznesit të madh dhe të biznesit të vogël, sidomos ato të biznesit të vogël. Llogaritet që nga 749,320 listëpagesa që duhet të vinin në format elektronik pranë ISSH, kanë mbërritur vetëm 64,500 listëpagesa. Kjo problematikë lidhet me vlerësimin e drejtë të të ardhurave të konstatuara për periudhën për skemën e sigurimeve, por pa anashkaluar problemin e madh social, në fushën e sigurimeve shoqërore, sepse nga mospagesat e kontributeve, shumë personave mbeten jashtë të qenit subjekt i ligjit të sigurimeve shoqërore, duke mos përfituar prej tij.

4. Tendenca në rënie e numrit fizik të kontribuesve, të siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, pavarësisht realizimit të fondeve të planifikuara për t’u mbledhur nga vetë ISSH. Nga institucioni, theksohet se faktori që ka influencuar në rënien e numrit të kontribuesve është tërheqja nga skema e rreth 46,000 personave, të cilët kanë plotësuar vjetërsinë e nevojshme prej 35 vitesh sigurim dhe nuk paraqesin interes për sigurim, sepse nuk përfitojnë shtesë pensioni. Skemës së sigurimeve shoqërore në fshat i mungon një numër relativisht i lartë i personash, që për vitin 2013 vlerësohen të jenë 113,377 vetë.

5. Nga auditimi i shpenzimeve për buxhetin e Sigurimeve Shoqërore, rezultoi se programi përfundimtar i shpenzimeve, i miratuar me ligjin për buxhetin e vitit 2013, nga 95,395 milionë lekë të programuara është realizuar ne shumën 95,596.6 milionë lekë, me një tejkalim prej 201.6 milionë lekë, krahasuar me planin ose 100.2%. Të ndara sipas programeve, shpenzimet e vitit 2013 janë realizuar si më poshtë:

  1. Shpenzimet për skemën e detyrueshme, ku përfshihen shpenzimet për përfitime nga ligji i sigurimeve shoqërore, janë realizuar në masën 100.4 % me një tejkalim referuar planit në shumën 298.9 milionë lekë,

b. Shpenzimet për programe të veçanta të Qeverisë lidhur me shpërblime nga statuse, skemat kompensuese dhe shpenzimet e administrimit të tyre, janë realizuar në masën 99.9 %, me një mosrealizim në shumën 5.9 milionë leke.

  1. Shpenzimet për skemat suplementare dhe shpenzimet për administrimin e tyre, janë realizuar 99.7 % ose me një mosrealizim prej 15.1 milionë leke krahasuar me planin.
  2. Shpenzimet administrative, nga 2,049.2 milionë leke te programuara janë shpenzuar 1,972.9 milionë leke, realizuar në masën 96.3 %, me një mosrealizim prej 76,3 milionë lekë.

6. Në Fondin e Pensioneve, shkelje të rënda të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore”, i ndryshuar, ku u evidentuan elementë të veprave penale, pasi në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, Dibër dhe Elbasan, janë përfituar padrejtësisht pensione në 12 raste, me vlerë të përgjithshme 12,849,768 lekë, nga përfitimi në mënyrë të parregullt, me anë të mashtrimit dhe përdorimit të dokumentacionit fiktiv nga përfituesit.

  

Reagimi i ISSH: 10 mld lekët, borxhe të pambledhura nga tatimet

 Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka reaguar në lidhje me lajmin e bërë publik nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditit të bërë, se nga skema e sigurimeve shoqërore përgjatë vitit 2013, nuk janë mbledhur 10 miliardë lekë, ose 99 milionë dollarë. Sipas ISSH, shifra e bërë publike nga KLSH, i referohet borxheve për kontribute sigurimesh të pambledhura ndër vite nga tatimet. ISSH, thekson se në përgjithësi për vitin 2013, të ardhurat janë realizuar në masën 114%. “Të ardhurat në përgjegjësi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2013 janë realizuar në masën 114.4%. Të ardhurat nga të vetëpunësuarit në bujqësi janë realizuar në masën 110 %, nga sigurimi vullnetar në masën 101 %, ndërsa të ardhurat e tjera në masën 222 %. Shifra prej 9.9 miliardë lekë janë borxhe për kontribute të sigurimeve të pambledhura ndër vite nga tatimet siç përmendet në pikën 2 të njoftimit për shtyp të dërguar nga KLSH-ja”, thuhet në komunikatën për shtyp të ISSH-së.