ISHTI penalizoi 15 subjekte në mars, nga Bankers tek degët e OSHEE

87

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka vendosur 15 masa administrative ndaj subjekteve të ndryshëm në vend për shkak të shkeljeve që janë konstatuar gjatë inspektimeve pranë tyre. Sipas llojit të aktivitetit subjektet i përkasin sektorëve të ndryshëm duke nisur nga koncesionarët e naftës, tek pikat e shitjes me pakicë të karburanteve apo edhe degë rajonale të kompanive publike. Kështu me të paktën 500 mijë lekë është penalizuar Bankës Petroleum që cila ushtron aktivitetin në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe që shkak për këtë masë është bërë për shkak të moskryerjen e kontrollit periodik teknik të tetë pajisjeve nën presion. Kompani të tjera përpunuese janë gjobitur për shkak të mosmiratimit të projektit teknik të instalimit nën presion ashtu siç sanksionohet në kuadrin ligjor. “OSHEE sha Drejtoria Rajonale Shkodër” është gjobitur gjithashtu me 100 mijë lekë për shkak të shkeljes së ligjit lidhur me garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe instalimeve elektrike. Kjo është konstatuar pas aksidentit të ndodhur në zonën Ishull-Lezhë ku është plagosur një person

Në total numri i gjobave për muajin shkurt dhe mars shkon në 20 ndërsa vlera totale respektivisht në 4.3 milionë lekë ku pjesa më e madhe prej 3.4 milionë lekë i takojnë vetëm muajit mars. Për janarin nga ISHTI nuk është publikuar deri më tani asnjë shifër për inspektimet apo penalizimet ndaj subjekteve të gjetura në shkelje. Për vitin e shkuar Inspektorati Shtetëror, Teknik dhe Industriale mbylli bilancin me masa ndaj 87 subjekteve ku totali i gjobave shënoi nivelin. 49.35 milionë lekë. ISHTI ka tagrin të kontrolloje subjekte që operojnë në sektorë të ndryshëm dhe që preken nga disa ligje dhe akte nënligjore si ai për “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, ligji nr.32/2016 datë 24.03.2016 “Për garantimin e sigurisë së punës së pajisjeve/instalimeve nën presion” si dhe VKM nr.212, datë 16.03.2016 “Për përcaktimin e kushteve dhe të rregullave teknike për përpunimin e bombolave të mbushura me gaz të lëngshëm të naftës (GLN)” dhe ligji nr. 8734, datë 01.02.2001 “Për garantimin e sigurisë se punës te pajisjeve dhe instalimeve elektrike”, i ndryshuar./Monitor