Ish-Shkolla e Partisë “Vladimir Iliç Lenin”, vazhdon të njihet dhe trajtohet si “Arsim i Lartë”

Përparim HALILI

Ka qenë shkolla me e lakmuar prej komunistëve punëtorë, sidomos prej atyre me arsim të lartë, si trampolinë për të bërë karrierë

Ditën e djeshme, në rubrikën e gazetës “Telegraf”: ‘Sqaron specialisti Fadil Kepi’ është publikuar edhe përgjigja e një zonje e cila interesohej të dinte nëse vitet kur ka kryer ish-Shkollën e Lartë të Partisë së Punës, i njiheshin ose jo si e tillë edhe për pension pleqërie dhe a quhet shkollë e lartë, si gjithë arsimi i lartë në Shqipëri? Përgjigja ligjore është kjo: Njihet! Pas kësaj përgjigjeje, dje janë dërguar shumë reagime “pro” dhe “kundër” në gazetën “Telegraf”! Po a duhet të njihet si “Shkollë e lartë”, pra si diplomim universitar, periudha 2-vjeçare dhe 1-vjeçare e studimeve të kryera në këtë ish-shkollë partie me kohë të plotë, shkollë partiake-politike, e cila u hap në fillim të viteve ’70, projektuar nga arkitekt Koço Komi dhe që u quajt “Shkollë e lartë” dhe funksionoi deri në qershor të vitit 1991, për të përgatitur kuadrot drejtues të pushtetit, shtetit, partisë dhe masovikët e propagandës komuniste të PPSH! Siç dihet, kjo ka qenë shkolla me kërkuar dhe lakmuar prej ish-anëtarëve të PPSH me profesion punëtor që synonin të bëheshin drejtues të partisë në zona e qendër, drejtues të rinisë, gruas, Frontit Demokratik, Bashkimeve Profesionale, këshillave popullore, të ndërmarrjeve shtetërore. Po kaq e lakmuar dhe e kërkuar deri me përbetime për besnikëri dhe shërbime ndaj partisë e pushtetit popullor edhe me dhënien e jetës, ka qenë kjo shkollë partiake prej individëve me arsim të lartë, të cilët bënin gjithçka për t’u pranuar në radhët e PPSH, si trampolinë për të kryer edhe “Shkollën e lartë të partisë së PPSH”, e cila mbante emrin e udhëheqësit të revolucionit popullor “Vladimir Iliç Lenin”! ishte një konkurrencë e madhe për ta arritur të shkoje në këtë shkollë, mbasi duheshin shumë prova besnikërie ndaj partisë sidomos në zhvillimin e luftës së klasave në gjirin e partisë, në gjirin e familjes, në shoqëri dhe në qendrën e punës! Po kështu duheshin shumë rekomandime nga partia në bazë, të cilat formulonin një “biografi” të detajuar deri tek “brezi i shtatë” i atyre që propozoheshin të dërgoheshin në atë shkollë! Kjo shkollë kryhej me shkëputje dhe pa shkëputje nga puna. ishte me sistem 2-vjeçar dhe 1-vjeçar. Kush kryente studimet në “Shkollën e Partisë”, konsiderohej sikur kishte kryer studimet e larta në universitetin shtetëror dhe diplomohej si i tillë, madje me më shumë “personalitet”dhe fuqi se ata që kryenin studimet universitare për inxhinieri, mësuesi, ekonomi, gjuhë të huaj etj! Pas përfundimit të kësaj shkolle, ata punësoheshin menjëherë si drejtues politikë e shtetërorë në institucione dh e struktura drejtuese PPSH në të gjithë nivelet lokale e qendrore! 

Ja 25 funksionet që u jepeshin të diplomuarve në Shkollën e Partisë
1. Sekretar i parë i PPSH në rreth
2. Sekretar i dytë i PPSH
3. Instruktorë në KQ të PPSH
4. Prokurorë
5. Hetues
6. Komandantë Ushtrie
7. Komisar Ushtrie
8. Kryetar Gjykate
9. Kryetar Gjykatash Popullore
10. Mësues të Lëndës së Marksizëm-Leninzimit
11. Shefa Sigurimi
12. Kryetarë të degëve të Punëve të Brendshme
13. Instruktorë në Komitetin e Partisë
14. Sekretar i Rinisë të Rrethit
15. Kryetare e Gruas
16. Kryetar i Frontit Demokrati
17. Sekretar Byroje i PPSH në Kooperativë
18. Sekretar Byroje në Degën e brendshme
19. Sekretar Byroje në ndërmarrje shtetërore
20. Sekretar propagande në PPSH e rrethit
21. Kryetar i këshillit Popullor të qytetit, rrethit, kooperativës
22. Sekretar i këshillit Popullor të rrethit e qytetit
23. Kryetar Kooperative
24. Drejtor ndërmarrje 
25. Shef kuadri në ndërmarrje

Ja Neni 42, 42 Ligjit Nr. 104/ 2014
Në nenin 91, pika 4 ndryshohet si më poshtë: "Periudha e kryerjes së studimeve në shkollën e lartë, me shkëputje nga puna për gruan, duke filluar nga data 1.9.2000 dhe deri më 31.12.2032, pavarësisht nga vendi se ku janë kryer studimet dhe për jo më shumë se 6 vjet, njihet periudhë sigurimi vetëm për efekt pensioni pleqërie. Në kuptim të këtij neni, viti shkollor është me 12 muaj. Në këtë rast, kontributet përballohen nga Buxheti i Shtetit, në kohën kur merret vendim për caktimin e pensionit".