Një dokument zyrtar i Ministrisë së Financave nxjerr zbuluar ministrin në ikje Arben Ahmetaj për manipulim të shifrës së borxhit publik. Në një dalje para mediave pak ditë më parë, Arben Ahmetaj deklaroi se, borxhi publik i Shqipërisë ishte ulur në 63.6 për qind e Prodhimit Kombëtar duke e quajtur atë krenari politike. “Sot, borxhi publik neto është 63,6 për qind në fund të dhjetorit 2018. Borxhi publik sot është gati pak më pak se 10 për qind më i ulët se ditën që e kemi marrë. Unë personalisht këtë e kam krenari politike, profesionale dhe personale,” tha Ahmetaj pak ditë më parë. Por në strategjinë zyrtare të menaxhimit të borxhit publik, të miratuar në datën 26 dhjetor nga Këshilli i Ministrave, rezulton se borxhi publik nuk është 63.6 për qind, por gati 69 për qind e Prodhimit Kombëtar. Sipas dokumentit në fund të vitit 2017 borxhi publik i Shqipërisë ishte 69.9 për qind e Prodhimit Kombëtar dhe në vitin 2018 u ul me vetëm 1 pikë përqindje. ‘Parashikimet për fundin e vitit 2018 sinjalizojnë rënien e nivelit të borxhit me rreth 1 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit të kaluar,’ thuhet në dokumentin zyrtar të miratuar në qeveri. Pra sipas vetë qeverisë në fund të vitit 2018, borxhi publik i Shqipërisë rezulton 68.9 për qind e Prodhimit Kombëtar ose 5.3 pikë përqindje më shumë nga shifra që deklaroi publikisht Ahmetaj. Madje edhe ulja e papërfillshme e borxhit në vitin 2018, sipas vetëm Ministrisë së Financave, ka ardhur më së shumti nga zhvlerësimi i euros dhe jo për shkak të përmirësimit të ekonomisë.

KLSH: Borxhi është manipuluar

Por edhe shifra 69 për qind e borxhit është e manipuluar. Përmes një raporti të dërguar në Kuvend, Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se qeveria ka fshehur borxhin duke filluar që nga viti 2017 dhe shifra reale e detyrimeve të qeverisë është dukshëm më e lartë nga ajo që deklarohet në dokumentet zyrtarë. ‘Kemi konstatuar se niveli faktik i deficitit është nënvlerësuar me qëllim raportimin e tij brenda kufijve ligjor, duke mos raportuar shpenzimet në nivelin e plotë të tyre,’ shkruajnë audituesit e KLSH-së në raportin dërguar Kuvendit. Paralelisht KLSH ka konstatuar se qeveria ka akumuluar miliarda lekë borxhe të fshehura në formën e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, jo vetëm për punët publike, por edhe për TVSH-në e parimbursuar. Kjo sipas raportit bën që shifra reale e borxhit publik të Shqipërisë të jetë mbi 72 për qind e prodhimit kombëtar, ose gati 10 pikë përqindje më shumë nga sa deklaron ministri në ikje i Financave, Arben Ahmetaj.