Ironia, Kurum i shet shtrenjtë energjinë OSHEE-së, “fut në xhep” 680 mijë euro

713
Sigal

Ankandi i energjisë, futet në garë edhe Kurum. Liqenet e Bistricës, Ulëz e Shkopet u mbushën në shkurt

Kurum i shet energji OSHEE-së, (të prodhuar nga HEC-et e privatizuara para 2 vjetësh), me 48 euro/MWh në ankandin e muajit mars, ndërkohë që kostoja e prodhimit, sipas specilistëve, është 1 lekë/kwh (çmimi i shitjes 5 herë më i madh). Tashmë, Kurum i është shtuar numrit të shoqërive tregtare (të njëjtat) që e blejnë lirë energjinë dhe ia shesin OSHEE-së me më shumë se 3 herë më shtrenjtë. Kjo, falë reshjeve të muajit shkurt, që kanë mbushur liqenet e privatizuar nga Kurum si HEC Bistrica 1 & Bistrica 2 sh.a dhe HEC Ulëz & Shkopet sh.a, mjaftueshëm për të përballuar kërkesat e vetë Kurum për energji dhe me një tepricë prej 14.160 megavatorë, të cilat i janë shitur OSHEE-së për mbulimin e humbjeve, raporton “Monitor”.

 Ankandi

Në ankandin për lotin e I të energjisë për muajin mars që përshin periudhën 01-10 mars 2015, sipas “Monitor”, OSHEE ka marrë energji përsëri me çmime shumë më të larta se energjia që shiti KESH gjatë shkurtit në kushtet e reshjeve të shtuara. Madje, janë të njëjtat shoqëri tregtare që e blinin energjinë nga 10-16 euro për megavatorë dhe që ia shesin OSHEE me më shumë se 3 herë më shtrenjtë.

Çmimet fituese të ankandit të fundit dhe negociatave të zhvilluara në datat 23.02.2015 deri në 25.02.2015 kanë qenë nga 40 në 53 euro me një diferencë të madhe mes kompanisë serbe që ia ka shitur energjinë OSHEE me 39.95 euro për megavaorë dhe zviceranes EFT që ka sasinë më të madhe të kontraktuar(30%) dhe çmimin më të lartë 53.2 euro për megavatorë.

Nga këto çmime të larta ka përfituar edhe KURUM i cili ka privatizuar para dy vitesh 4 hidrocentrale të cilat janë një kosto prodhimi, të vlerësuar nga ERE, 1 lekë/kwh ose rreth 5 herë më lirë se çmimi me të cilin tashmë privati ia shet kompanisë së shtetit OSHEE. Me liqenet e mbushura gjatë muajit shkurt, Kurum do t’i shesë OSHEE-së energji në vlerën e kontraktuar prej rreth 680 mijë euro vetëm për 10 ditët e para të muajit mars.

 Ndarja e tregut të shitjes së energjisë, Kurum me 22 %

Sa i përket ndarjes së tregut EFT vazhdon të ketë pjesën kryesore të tregut me 30 % të sasisë(në vlerë zë më shumë 32 % të tortës pasi ka çmim më të lartë), e ndjekur nga Kurum me 22 % dhe GSA(19%). Grupi slloven Gen –I ka marrë 17 % të tregut, shqiptarja Antix 7 % dhe serbët e AXPO me 4 % të tregut.

Sipas njoftimit për shtyp, shoqërisë EFT AG nuk iu pranua sasia prej 18 MW në profilin band për shkak të plotësimit të sasisë së kërkuar, kurse Shoqëria GEN-I Beograd u skualifikuan, pasi sasia e energjisë elektrike, e kërkuar për t’u blerë nga OSHEE sh.a. për periudhën 01.10.2015-10.03.2015, u plotësua nga shoqëritë e mësipërme me çmim/njësi më të ulët. Totali i energjisë elektrike e ofruar dhe kërkuar për t’u blerë nga OSHEE sh.a. për periudhën 01-10.03.2015 është 64,800 MWh dhe e konvertuar në vlerë monetare 3,287,088 Euro (vlera pa TVSH).

Privatizimi skandaloz i 4 HEC-eve nga Kurum

 Privatizimi i HEC Bistrica 1 & Bistrica 2 sh.a dhe HEC Ulëz & Shkopet sh.a, u bë për një çmim qesharak prej 110 milionë eurosh, duke i imponuar qeverisë shqiptare t’i rimbursojë 3 miliardë lekë TVSh të prapambetur. Nën shantazhin e Kurum-it, faturës së shitjes së 4 HEC-eve prej 110 milionë eurosh, shteti shqiptar i zbret rimbursimin e TVSH-së prej 3 miliardë lekësh, edhe pse ky veprim nuk mund të mbështet në asnjë akt ligjor, pasi nuk është i parashikuar në legjislacionin shqiptar. Kështu “Kurum”, në momentin që ka firmosur marrëveshjen për blerjen e HEC-ve, ka kërkuar që të arkëtojë vlerën 109,5 milionë euro për llogari të qeverisë shqiptare. Opozita e atëhershme e ka quajtur këtë privatizim si cenim të pasurisë kombëtare, duke kundërshtuar manovrën e qeverisë së atëhershme për rimbursimin e TVSH-së, kompanisë turke “Kurum”. “Privatizimi asnjëherë nuk mund të bëhet për të shlyer TVSH-në, ka qenë një pazar i pistë në kurriz të shqiptarëve. Ligjërisht, nuk është e lejueshme, sepse me ato para duhet të shkojnë cash në buxhet dhe më pas buxheti i shtetit mund të bëjë përdorimin e tyre”, shprehen specialistë të ekonomisë. Këto katër vepra energjetike prodhojnë në vit rreth 550 mijë Megavat në orë dhe kanë një fuqi të instaluar prej 80 Megavat. Të katër veprat energjetike gjenerojnë në vit rreth 550 mijë MW/h, apo 6% të energjisë së prodhuar në vend dhe kanë një fuqi të instaluar prej 80 MW.