IPA II, katër rajone në Shqipëri përfitojnë 42 milion euro nga BE

189
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, mori pjesë në eventin lançues të Programit të financuar nga Bashkimi Europian Interreg -IPA II, Greqi-Shqipëri 2014-2020. Ky event u organizua në qytetin e Vlorës. Të pranishëm ishin gjithashtu, Konstantinos Piperigos, I Ngakruar me Punë, Këshilltar i Parë i Ambasadës Greke në Tiranë, Olga Anghelakis, Drejtoreshë e Sektorit Operacional I në Delegacionin e BE-së, Vasilis Charitantis, përfaqësues i Autoritetit Menaxhues të Programeve të Bashkëpunimit Territorial, si dhe përfitues e të interesuar për të aplikuar për këtë program nga rajone të ndryshme të vendit.
Programi do të mbulojë 11 rajone kufitare greke dhe 4 rajone shqiptare, më konkretisht qarqet e Vlorës, Beratit, Korçës, Gjirokastrës . Programi do të ketë një vlerë prej më shumë se 42 milione euro dhe do të fokusohet në dy prioritete që janë mbrojtja e mjedisit, mbështetja e transportit të qëndrueshëm, infrastrukturës publike, dhe nxitja e ekonomisë lokale.
“Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të Asistencës së BE, dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e Programit Greqi-Shqipëri 2014-2020 duke marrë në konsideratë rolin e rëndësishëm që do të luajë në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm rajonal dhe zgjerimin e bashkëpunimin mes popullsisë dhe institucioneve lokale, me qëllim adresimin e sfidave të përbashkëta. Qëllimi i këtij programi janë rezultatet e prekshme për komunitetin”, tha ministrja Gjosha.
Ministrja Gjosha ne Vlore, BE jep 42 milione euro per 4 rajone ne Shqiperi (1)Ministrja theksoi se Programi ka detyrën e rëndësishme të sjellë vlerë të shtuar në zbatimin e Strategjisë së BE për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit. Ministrja u shpreh besimplotë se aktorët lokalë do të dinë si të ndërtojnë mbi rezultatet dhe rrjetet tashmë të ngritura gjatë perspektivës së mëparshme financiare të BE.
“Më lejoni të nënvizoj se ne duhet bashkërisht të bëjmë të pamundurën me qëllim që ky Program të shndërrohet në një zbatues politikash strategjike për zonat e përfshira dhe mjet efikas qeverisjeje në mënyrë që puna e bërë deri tani të çohet përpara”, tha ministrja Gjosha.
Viti 2015 ka qenë një sfidë për Ministrinë e Integrimit Evropian dhe aktorët e tjerë përfshirë në këtë Program pasi ka qenë një periudhë transitore nga perspektiva financiare IPA I (2007-2013) në perspektivës IPA II (2014-2020), gjatë së cilës Shqipëria do marrë pjesë në tetë programe bashkëpunimi territorial, nga shtatë që ka qenë në të kaluarën.