Investimet strategjike – AIDA nis promovimin për 94 destinacione

603
Sigal

Janë të paktën 94 destinacione turistike që do të promovohen nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve tek markat e mirënjohura hoteliere, por jo vetëm, për të parë mundësinë e investimeve strategjike në këto zona në sektorin e turizmit. Një procedurë e hapur nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit parashikon pikërisht hartimin e broshurave informuese për secilin destinacion me detaje të tilla si pozicionimi, lartësia nga deti, sipërfaqja, foto dhe filmime ajrore që do të mund t’u japin investitorëve një ide të qartë. Në dokumentet e tenderit nënvizohet se objektivi i përgjithshëm i projektit është krijimi i broshurave informuese, mbi vendndodhjet e mundshme si destinacione për investime strategjike, ku pjesë e të cilave do të jenë edhe regjistrime 3D apo fotografime panorama 360 gradë.

Agjencia e Zhvillimit të Investimeve pranon në dokumente se në këto prona nuk janë vetëm tokë shtetërore, por edhe prona privat,e apo me pretendues çka mund t’i pengojë kontraktuesit aksesin për zhvillimin e filmimeve apo fotografimeve, ndaj për këtë po bëhen njoftime tek pronarët lidhur mbi projektin. “Aksesi në këto destinacione. Për realizimin e këtij projekti, kontraktori duhet të ketë akses në këto zona, akses i cili mund të mos sigurohet për disa faktorë që mund të jenë: mungesë e infrastrukturës rrugore; reliev tepër i thyer, zona të cilat kanë pronar privat apo pretendues. Me qëllim realizimin e projektit, Autoriteti Kontraktues do të krijojë lehtësi, duke i siguruar kontraktorit dokumentacionin e nevojshëm për transport detar (në rastet se mungon ai rrugor) apo dhe njoftim të pronarëve apo pretenduesve në lidhje me projektin që po zhvillohet, në mënyrë që stafi i kontraktorit të vijojë procesin” thuhet në dokumente.

AIDA nënvizon se kjo nismë vjen edhe në kuadër të orientimit që i është dhënë sektorit të ndërtimit, por edhe paketës nxitëse që u miratua nga qeveria për vitin 2018 dhe që është promovuar gjerësisht tek investitorët strategjikë. Në dokumente nuk përcaktohet qartë se cilat janë 94 destinacionet turistike që do të fotografohen dhe plotësohen me informacion për t’u promovuar tek investitorët por nënvizohet se ndodhen në gjithë territorin e Shqipërisë./Monitor