Investimet kineze do të rikthehen drejt vendit të shqiponjave

866
Sigal


Mijëra kilometra largësi midis Shqipërisë dhe Kinës do t’i bashkojë në një të vetme Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri –Kinë

Ishte viti 1978, kur Shqipëria shkëputi marrëdhëniet tregtare me shtetin e fuqishëm të Kinës, e cila solli një goditje të menjëhershme për ekonominë e vendit tonë.  Nuk ka asnjë dyshim që përgjigjet e shqiptarëve po t’i pyesësh se kur ka filluar tatëpjeta do të përgjigjen: Kur u prishëm me Kinën. Kjo varfëri u ndje jo vetëm në ekonominë dhe industri, por edhe  tek  familjet shqiptare. Eksporti ishte parimi bazë, ku mbështetej ekonomia jonë e atëhershme.  Shteti ynë eksportonte me miliona tonelata prodhime minerare, duke filluar që nga kromi, koncentrati i kromit, ferrokromi, hekur-nikeli, kobalti, fosfori, qymyrguri, nafta etj., si dhe miliona ton me bimë mjekësore të të gjitha llojeve, të cilat u shërbenin fuqishëm prodhimeve farmaceutike të mjekësisë. E pra, të gjitha këto kishin një treg të madh, të garantuar sikurse ishte ai i Kinës. Do të duheshin shumë e shumë vite, ku ardhja e demokracisë dhe hapjes së vendit do të bënte që shumë ish-studentë dhe shtetas shqiptarë t’i riktheheshin marrëdhënieve të biznesit me Kinën. Sot pikërisht në prag të 35 -vjetorit të prishjes së marrëdhënieve ekonomiko-tregtare një ish- student  që ka mësuar në bankat e shkollës kineze, por edhe diplomatë karriere në shtetin më të madh dhe nga më të fuqishmit Idriz Çelmeta, hapë në Tiranë Dhomën e  Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Kinë.  Në cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Kinë, ai ka në qendër të misionit të tij njohjen, nxitjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh ekonomik, tregtar dhe kulturor, duke krijuar ura të reja të komunikimit për të rivitalizuar marrëdhëniet tradicionale miqësore mes vendeve tona.

Por çfarë synon krijimi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri –Kinë?

 Institucioni  synon informimin, krijimin e mundësive për investime kineze në vendin tonë, forcimin e bashkëpunimit, duke organizuar takime rrjet-formuese, forume, misione tregtare, ekspozita, konferenca, aktivitete të personalizuara, shpërndarje informacioni, ndërmarrje studimesh dhe konsulencë për subjektet e interesuara të Shqipërisë dhe Kinës. Të sigurt se, ndërmarrjet më të suksesshme të biznesit ngrihen mbi besimin reciprok dhe se besimi mund të zhvillohet nëpërmjet komunikimit, marrëdhënieve dhe mundësive njohëse, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Kinë me punën dhe veprimtarinë e saj, do të lehtësojë dhe forcojë këtë element të rëndësishëm. Duke përfituar nga eksperienca, lidhjet dhe puna shumëvjeçare e zotit Idriz Çelmeta me Kinën, kontaktet e vazhdueshme me biznesin shqiptar dhe kinez, do të intensifikohen, edhe më shumë duke krijuar  mundësi e hapësira në rritje për bashkëpunim. Ja pra, këto janë arsyet se përse z.Çelmeta në krye të një grupi të fuqishëm  ngritjen Dhomën së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Kinë.  Nëpërmjet formalizimit dhe  kontributit  të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri –Kinë synohet rritja e aktiviteteve . Përmes këtij institucioni ata synojnë të bëhen një zë lotues dhe faktor mbështetës i subjekteve ekonomiko-financiare të të dyja vendeve. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Kinë, gjithashtu do të asistojë qeverinë shqiptare duke rekomanduar ide, projekte ekonomike dhe gjetjen e rrugëve dhe formave të përshtatshme financimi, do të ndihmojë për të krijuar kushte dhe një klimë sa më të favorshme për investitorët kinezë. Ne dëshirojmë dhe shpresojmë se me punën dhe kontributin e përbashkët të të gjithë anëtareve të Dhomës sonë, do të ndikojmë në rritjen e punësimit dhe zhvillimin e mëtejshëm të prodhimit në vendin tonë duke kontribuar në mënyrë modeste në ngritjen e mirëqenies së popullit shqiptar.

Sot, korporatat kineze operojnë kudo në botë. Ata financojnë dhe ndërtojnë autostrada, hekurudha, porte, hidrocentrale, mijëra kilometra tubacione nafte e gazi, miniera, fabrika përpunuese të lëndëve të para, spitale e stadiume, hotele turistike e shumë objekte të tjera social -ekonomike. Qeveria kineze vitet e fundit ka orientuar ekonominë e saj, që në kuadër të globalizimit të ekonomisë botërore të rrisë investimet direkte kudo në botë dhe kështu në vitin 2012 ajo është prezente në 150 vende e rajone të botës me më shumë se 4500 ndërmarrje prodhimi. Por dhe në gadishullin tonë të Ballkanit, me investime dhe me kredi kineze janë ndërtuar dhe po ndërtohen shumë vepra në infrastrukturë, hidrocentrale, termocentrale, fabrika prodhimi e komplekse agro-industriale. Ne jemi të mendimit që edhe ekonomia shqiptare ka shumë resurse dhe mundësi për thithjen e investimeve kineze, duke zhvilluar projekte konkrete të përbashkëta në infrastrukturë, në industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve, në industrinë e lehtë, të energjisë ujore, diellore, e të erës.