Institucionet shtetërore nuk kontrollojnë përdorimin e plehrave, hormoneve dhe pesticideve në bujqësi

1138
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dikur prodhimet tona bujqësore ishin biologjike dhe ne nuk e dinim. Si agronom mbaj mend që çdo rreth kishte laboratorin e analizave të tokës, ku studiohej përmbajtja pedologjike, mbi bazën e së cilës bëheshin studime për përdorimin e plehrave kimike. Edhe përdorimi i pesticideve bëhej mbi studime konkrete, madje zbatohej me rreptësi edhe koha e afatit të përdorimit të fundit të spërkatjes në bimë, që duhej të ishte (e pakta) 20-30 ditë para fillimit të vjeljes, e kjo varej nga lloji i pesticidit të përdorur. Ndërsa tani, në asnjë rreth, qark nuk ka asnjë laborator të studimit pedologjik, fermerët nuk bëjnë kurrë analizë të tokës, nuk bëjnë studime të sasisë së plehrave kimike që duhet të përdorin. Fermeri mund të përdorë mbidoza plehu kimik me mendimin se do të shtojë prodhimin, pa u bërë merak për pasojat. Tani nuk ka asnjë kontroll, as të përdorimit të pesticideve, ku çdo fermer mund të përdor sasi pesticidesh që ai mendon, si edhe në kohën që ai dëshiron, pa respektuar asnjë afat kohor të përdorimit të pesticideve. Për shembull, fermeri mund të përdorë pesticide sistemi, edhe 1 javë para vjeljes së frutave dhe perimeve dhe shteti, AKU, nuk ka asnjë mënyrë që të analizojë. Këto keqpërdorime të plehrave kimike, të pesticideve, por edhe përdorimin e hormoneve për lidhjen dhe rritjen e frutit, shkaktojnë përqendrime të elementëve kimikë të këtyre preparateve kimike në perime dhe fruta, të cilat nuk shpërbëhen më as me larjen e tyre para gatimit. Pasojat dihen. Elementët kimikë, që përqendrohen në fruta dhe perime, pasi përvetësohen nga organizmi ynë, shkaktojnë deri në kancer, sepse ndërhyjnë në reaksionet kimike deri në ADN e gjakut. Prandaj edhe perimet, frutat e prodhuara nga fermerët tanë janë të pakontrolluara për nga përmbajtja e elementëve kimike të pesticideve, plehrave kimike, të hormoneve që përdorin fermerët. Kjo përbën rrezikun kryesor të shëndetit publik dhe një nga shkaqet kryesore të përhapjes të sëmundjeve të gjakut dhe kancerit në vendin tonë.