INSTAT korrigjon vlerën e PBB për vitin 2014, rritja 2.02%

686
Rritja e ekonomisë shqiptare në vitin e kaluar ishte 2.02%. Instituti i Statistikave publikoi të premten vlerësimin e parë të plotë statistikor për rritjen ekonomike të vitit 2014. Këto të dhëna tregojnë një rritje disi më të lartë krahasuar me vlerësimin prej rreth 1.89%, që mbështetej në statistikat tremujore për vlerën e shtuar bruto.
Edhe shifra prej 2.02% është një vlerësim paraprak, ndërsa të dhënat finale për rritjen ekonomike të vitit 2014 do të publikohen vitin e ardhshëm. Sidoqoftë, këto të dhëna tregojnë se rritja ekonomike e vitit 2014 është afro dy herë më e lartë në raport me rritjen prej 1.11% të vitit 2013.
Njëkohësisht, viti 2014 solli përmirësim të rritjes ekonomike, pas dy vitesh radhazi kur vlerat e rrritjes kishin qenë në rënie. 
Duke parë strukturën e rritjes sipas sektorëve, sektori me kontributin kryesor ka qenë ai i aktiviteve profesionale dhe mbështetëse, i ndjekur nga tregtia dhe nga shërbimet publike. Sektorët prodhues të ekonomisë, si bujqësia dhe industria megjithë realizuan rritje më të lartë se mesatarja e ekonomisë.
Prodhimi i sektorit bujqësor u rrit me 2.25%, ndërsa ai i industrisë me 2.93%. Edhe shumica e sektorëve të tjerë regjistruan rritje pozitive, ku përjashtim bëri vetëm ndërtimi dhe dega e informacionit dhe komunikimit. Në veçanti, ndërtimi ishte dega me ecurinë më negative në ekonomi, me një rënie vjetore prej 7.33%. 
Për vitin 2014, rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga komponenti i konsumit, që u rrit me 5.5%, ndërsa investimet pësuan rënie me pak më shumë se 2%. Kjo bëri që pesha e konsumit në strukturën e rritjes ekonomike të arrijë në mbi 90%. Megjithatë, mbështetur në të dhënat e deritanishme, struktura e rritjes ka ndryshuar ndjeshëm gjatë këtij viti, kur rritja është zhvendosur e gjitha te investimet, ndërsa konsumi paraqitet në rënie.
Sigal