INSTAT: Inflacioni u ul në muajin korrik

762
Pavarësisht rritjes së disa çmimeve dhe politikave lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, inflacioni në vend vazhdon të jetë i ulët dhe larg pritshmërive të projektuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas Institutit të Statistikave, në muajin korrik inflacioni ra në 1.3 për qind nga 1.4 për qind që ishte në muajin qershor dhe 1.8 për qind në muajin korrik të një viti më parë, ndërkohë që objektivi i Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e çmimeve është mbajtja nën nivelin 3% të inflacionit.
Shifrat e INSTAT
Sipas INSTAT, ndikimi më i madh i rritjes vjetore për muajin korrik vjen kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, që kanë shënuar 0,93 pikë përqindje më shumë. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me 0,24 pikë përqindje. Ndërkaq, mësohet se çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me 0,14 pikë përqindje. Grupet e tjera mësohet se kanë pasur kontribut më të vogël, si “Komunikimi” me 0,04 pikë përqindje. Por ka pasur edhe nga ato grupe që kanë ndikuar negativisht. INSTAT nënvizoi se grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me 0,06 pikë përqindje më pak se një vit më parë. Po ashtu, edhe çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Transporti” kanë kontribuar me nga minus 0.05 pikë përqindje secili.
Ndryshimet vjetore
Krahasuar me muajin korrik 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 10,1%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,6%, grupi “Komunikimi” me 1,7% etj. Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 2,4%. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 10,8%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 9,4%, “peshk” me 1,7%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 1,0% etj. Çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë e vezë” u ulën me 3,4% pasuar nga nëngrupi “kafe, çaj e kakao” me 0,7%, nëngrupi “vajra dhe yndyra” me 0,5% etj. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë me 1,0%, pasuar nga grupi “Transporti” me 0,9%, grupi “Shëndeti” me 0,8% etj.
Sa i përket ndryshimit mujor, pra me muajin qershor të këtij viti, nga shifrat e INSTAT mësohet se indeksi është minus 0.7 pikë përqindje. Ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,5%. Rritja më e madhe mujore vërehet në grupin “Transporti” dhe “Shëndeti” me 0,4%. Krahasuar me një muaj më parë, çmimi i eurodiezelit u rrit me 0,7% dhe çmimi i benzinës u rrit me 0,9%. Disa ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se rritja e ngadaltë e çmimeve pasqyron efektin e një kërkese të dobët agregate, si dhe çmimet relativisht të ulëta në tregjet botërore. Banka e Shqipërisë pret që inflacioni mesatar i vitit 2015, të luhatet rreth nivelit 2%, ndërsa në fund të vitit 2017 të kthehet në objektivin prej 3 për qind.
Sigal