INSTAT-i, vazhdon shërbimet si “parukeri arritjesh të larta” për pushtetet

778
Sigal

Në katër biseda mediatike, ku “eksperti” Gjergj Filipi u angazhua prej PS gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013, si “start” për t’u bërë drejtor i INSTAT, ka folur vetëm për “mashtrimet” e INSTAT. Ai e ka quajtur INSTAT-in e viteve 2005-2013 “fabrikë gënjeshtrash me shifra false arritjesh në shërbim të pushtetit “Berisha”. Në fakt, ky institucion, në 8 vitet e ish-pushtetit “Berisha” nga INSTAT, ishte kthyer në “SALISTAT” që “gatuante” dhe servirte vetëm “shifra arritjesh madhështore të ish-qeverisjes deri edhe tek numri lindjeve dhe i blerjes së makinave luksoze prej popullit në kohë krize botërore, duke ia kaluar nga mirëqenia e rritja ekonomike Gjermanisë”.

 Edhe INSTAT-i “Rilindjes”, po vazhdon falsitetin 22 vjeçar me shifrat

 Kjo lojë false shifrash, ka vazhduar e po vazhdon prej 22 vjetësh. Çdo pushtet e ka përdorur të “gjorin INSTAT” jo si institucion statistikash reale zyrtare, por si “gjuhë shifrash” sipas interesit të punëve të veta, për të fshehur realitetin e dështuar në ekonomi, financa, turizëm, mirëqenie, punësim, krime, aksidente, papunësi, fuqi blerëse, import-eksporte etj… këtë falsitet na serviri pak ditë më parë me shifrat e punësimit edhe “kryepropagandisti partiak” i INSTAT-it shtetëror, “eksperti” Gjergj Filipi. Ja njoftimi zyrtar i INSTAT: “… Gjatë vitit 2014, ka 78 mijë e 844 persona të punësuar më shumë se viti 2013, në bazë të të dhënave të punësimit në Shqipëri, 32,4 % e të rinjve të moshës 15-29 vjeç janë të papunë, ndërsa për moshën 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 17,4 %. Sipas INSTAT në sektorin e industrisë ka një rritje prej 9.7%, ndërsa në sektorin e bujqësisë 9.6 %. Rritja e punësimit në sektorin e shërbimeve është 6%…”. Gjithçka është false në këto shifra. Vetëm një fakt që provon shifrën jo reale të publikuar prej INSTAT: Numri i të papunëve të moshës 15-64 vjeç është 219 mijë e 585 vetë. Mosha ligjore e punësimit në Shqipëri është nga 16-65 vjeç. D.m.th., në Shqipëri ka vetëm kaq të papunë, sepse nuk dimë të punësohet njeri përpara moshës 15 vjeç e pas moshës 64 vjeç. Sipas shifrës që publikoi Gjergj Filipi gjatë fushatës elektorale, papunësia ishte 1 milion persona. Tani pas 14 muajve qeverisje të “tij” është ulur në 219 mijë persona! Llogaria numerike, tregon se qenkan punësuar afro 800 mijë persona në 1 vit qeverisje “Rilindje”! Kjo shifër false me punësimin, më kujtoi deklaratën e INSTAT, të bërë në datën 1 Maj 2013, duke thënë: “Në Shqipëri ka vetëm 143 mijë të papunë, ose 3.26 %”. Po cili është realiteti faktik i papunësisë së madhe në Shqipëri, që edhe kjo qeveri paska nisur ta fshehë, duke përdorur INSTAT-in si… “parukeri”! Pa bërë komente, po fakte e shifrat reale, që përmbledh papunësia reale në Shqipëri, deri në fund të muajit shtator 2014.

 Mashtrimi/ Deklarohen 219.000 të papunë, vetëm familje me ndihmë ekonomike janë 106 mijë!

 Kur lexova deklaratën e INSTAT për ulje të papunësisë dhe kur shikoja grafikë- rrathët “simite” të uljes së saj, shtanga. Ishte një palaçollëk që nuk e “ha” askush në këtë vend. Shqipëria është rekord rajonal e europian për papunësi dhe varfëri. “Mos i iktë mendja” INSTAT e del na thotë se u zhduk 99 % e varfërisë, krimit, korrupsionit e pse jo edhe gjakmarrjes! Po të ishte, se në Shqipëri do të kishte vetëm 219 mijë të papunë, nuk do kishte fare nevojë për zyra pune, mbasi vetë ministri Veliaj, 1 muaj gjatë një pikniku me “rininë e lumtur prej punësimit”, ka deklaruar se gjatë 14 muajve të qeverisjes “Rilindja” janë punësuar vetëm 25 mijë e 478 të papunë! Siç dihet, shifrat zyrtare-qeveritare që publikohen prej INSTAT, nuk janë aspak reale. A mund të jenë vërtetë vetëm 219 mijë të papunë, kur vetëm në Tiranë janë 53 mijë e 345 familje të papuna (minimalisht me (2-4 persona) dhe 29 mijë persona individë familje më vete, që trajtohen me ndihmë ekonomike? Si është e mundur të jenë vetëm 219 mijë të papunë, kur vetë Shërbimi Social i Punësimit deklaroi zyrtarisht 2 muaj më parë, se në zyrat e punës në të 12 qarqet e vendit janë regjistruar 197 mijë e 246 të papunë! Shifra e parë është kjo: Në Shqipëri janë afro 590 mijë të rinj të grup-moshës 16-30 vjeç, të cilët gjenden të papunë. Edhe shifra e papunësisë në bujqësi nuk është reale. Në sektorin e bujqësisë, Shqipëria ka 457 mijë e 540 të papunë, të evidentuar e të regjistruar nga institucionet e pushtetit vendor si të tillë.

 INSTAT  llogarit si shifër punësimi edhe të miturit 15 vjeç, që i ndalon Kodi Punës të punësohen

 “Punishtja” demagogjike shtetërore-partiake e shifrave false “INSTAT”, për të nxjerrë një shifër punësimi që “t’i pëlqente” qeverisë, “gabimisht” ose prej faktit që nuk e njeh ligjin në fuqi të punësimit, ka llogaritur në shifrën e “rritur” të punësimit në Shqipëri edhe fëmijët e rrugës që punësohen e shfrytëzohen  ilegalisht, madje edhe fëmijët e moshës deri në 18 vjeç që ligjërisht quhen të pranuar në punë, por nuk llogariten si fuqi punëtore pa plotësuar moshën 18 vjeç, mbasi ata punësohen me orar të reduktuar. Ja çfarë thotë INSTAT: – “Gjatë vitit 2014, në bazë të të dhënave të punësimit në Shqipëri rezulton se 32,4 % e të rinjve të moshës 15-29 vjeç janë të papunë, ndërsa për moshën 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 17,4 %”. Siç shihet, INSTAT fut në statistika pune edhe fëmijët 15 vjeç! Mirëpo këtë moshë nuk e lejon “Kodi i Punës” të punësohet dhe ja çfarë përcakton:

NENI 98 (Kodi i Punës)

1: Ndalohet marrja në punë e të miturve nën moshën 16 vjeç. Bëjnë përjashtim rastet kur të miturit nga mosha 14 deri në 16 vjeç punësohen gjatë pushimeve shkollore vetëm në punë të lehta, që nuk dëmtojnë shëndetin dhe formimin e tyre, por nuk llogariten si fuqi punëtore.

2. Të miturit nga mosha 14 vjeç deri në moshën 16 vjeç mund të jenë vetëm subjekt i këshillimit dhe i formimit profesional, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

NENI 102 (Kodi i Punës)

1. Inspektorati i Punës kur e çmon të arsyeshme dhe pas konsultimit me organizatat e interesuara të punëmarrësve dhe të punëdhënësve, mund të lejojë punën e të miturve në veprimtari social-kulturore.

Statistika zyrtare e forcës së aftë për punë, sipas grup-moshave (qershor 2013-qershor 2014)

 – Janë 267 mijë e 480 të rinj të aftë për punë, të moshës 16-20 vjeç.

– Janë 248 mijë e 548 të rinj të aftë për punë, të moshës 21-30 vjeç.

– Janë 488 mijë e 123 të rinj të aftë për punë, të moshës 31-35 vjeç.

– Janë 352 mijë e 211 persona të aftë për punë, të moshës 36-45 vjeç.

– Janë 332 mijë e 128 persona të aftë për punë, të moshës 46-55 vjeç

– Janë 128 mijë e 345 persona të aftë për punë, të moshës 56-65 vjeç.

– Afro 52% e numrit total të kësaj force pune, janë femra!

Ja statistika reale e të papunëve në 30 qendra banimi, sipas regjistrimit të pushtetit lokal (Qershor 2014)

 Tiranë:             115 mijë e 800 persona

Kamëz:            19 mijë e 679 persona

Vorë:               10 mijë e 325 persona

Durrës:            69 mijë e 145 persona

Shijak:             11 mijë e 657 persona

Lushnjë:          34 mijë e 1100 persona

Shkodër:          37 mijë e 675 persona

M.Madhe:       9 mijë e 300 persona

Pukë:               17 mijë e 808 persona

Kukës:             28 mijë e 430 persona

Krujë:              22 mijë e 960 persona

Lezhë:              27 mijë e 811   persona

Rëshen:           16 mijë e 922 persona

Dibër:              17 mijë e 677 persona

Bulqizë:           5 mijë e 600 persona

Burrel:             15 mijë e 200 persona

Elbasan:           46 mijë e 510 persona

Gramsh:           9 mijë e 237 persona

Librazhd:         5 mijë e 281 persona

Pogradec:        14 mijë e 180 persona

Korçë:             44 mijë e 521 persona

Maliq:              4 mijë e 700 persona

Ersekë:            6 mijë e 419 persona

Fier:                 43 mijë e 879 persona

Patos:              12 mijë e 688 persona

Ballsh:             12 mijë e 872 persona

Berat:              31 mijë e 453 persona

Kuçovë:           11 mijë e 334 persona

Vlorë:              37 mijë e 118 persona

Gjirokastër:     25 mijë e 437 persona

Përparim HALILI