Ing. Filip MARKU/Specialistët e harruar

807
Sigal

Ishte viti 1958 muaji nëntor, kur në kryeqytetin e Ukrainës Republikë e ish BS, pra në Kievin e sotëm, vjen një grup shokësh nga Shqipëria për specializim. Grupi i përbërë prej 10 vetash shoqërohej nga kryeinxhinieri i dikasterit përkatës të Ministrisë në Moskë. Studioja për armën e tankeve në shkollën me emrin e marshallit Timoshenko. Në orën e mësimit më lajmërojnë të paraqitem në komandën e shkollës. U vesha me uniformën dimërore dhe u paraqita tek komandanti. Isha i impresionuar, mbasi nuk e dija shkakun e thirrjes. Komandanti më priti me buzëqeshje dhe më përgëzoi për mbarëvajtjen në mësime. Kursant Marku të kanë ardhur patriotë nga Shqipëria (tvoi zemlaki) duhet t’i ndihmosh me shoqëruesin, i cili të pret te komandanti i garnizonit. Mbasi me orientoi për shkuarjen, u nisa për në stacionin e tramvajës, zbrita para ndërtesës së garnizonit, ku në hyrje qëndronte ushtari roje. Zbatova rregullat e hyrjes dhe u paraqita ushtarakisht tek komandanti. Në fillim, më quajti si kursantin e tyre nga paraqitja dhe uniforma, kur u sqaruam se jam kursanti që keni kërkuar pranë komandës së shkollës tonë, ai u ngrit në këmbë dhe më përqafoi. Në këtë moment, kryeinxhinieri shoqërues që ngrohej pranë stufës, u hodh përpjetë sikur e dogji soba dhe me shpejtësi u afrua duke më dhënë dorën dhe falënderuar. Kishte pritur disa orë në zyrën e Komandantit të garnizonit, i cili na përcolli deri në dalje dhe na porositi të kemi kujdes gjatë lëvizjes në këmbë se ka akull nën dëborë. Me shoqëruesin, rrugën për tek hoteli e bëmë duke u mbajtur dhe rrëshqitur. Kievi është kryeqyteti me bukuri të rrallë, në sajë të shtrirjes mbi kodra, me ndërtesa të bukura shumëkatëshe me gjelbërim të përhershëm, ku pemët e gështenjave të egra janë me shumicë, për të cilat këndohet dhe këngë (kashtanji), me parqe e lulishte, me monumente e kisha madhështore, kupolat e të cilave prej ari reflektojnë si rrezet e diellit. Lumi i Dnjeprit i lundrueshëm, që kalon përmes Kievit, metroja që lidh të dy anët, bulevardi kryesor Kreshcatik, janë madhështia e Kievit. Në hotelin Leningrad ishin akomoduar shokët nga Shqipëria dhe prisnin shoqëruesin e tyre. Kur unë dhe kryeinxhinieri arritëm në hotel, shokët kishin dalë, të shtyrë nga kurioziteti për qytetin. Mbas disa minutash u takuam në hollin e katit të dytë të hotelit, ku u njoha me ta. Nga prezantimi mësova se ishin punonjës me prejardhje nga rrethe të ndryshme të vendit: nga Trana, Kukësi, Vlora, Peshkopia, Berati, Kruja e Saranda. Midis shokëve të arrdhur dhe shoqëruesit u zhvillua një bisedë e ngrohtë e miqësore për të gjitha problemet. Në hotel u bë takimi dhe me përfaqësuesit e administratës së fabrikës së birrës, ku midis tyre dhe shokëve tanë pati shkëmbim bisedash në lidhje me specializimin. Takimi midis tyre ishte shumë entuziast, me urime e shëndete, ku spikati tradita reciproke e pijeve, pala shqiptare me konjakun e famshëm Skënderbeu dhe rakinë me ngjyrë jeshile të Përmetit, ndërsa e tyre, vodka tradicionale. Nga të gjitha bisedat e zhvilluara në takim, problem mbetej mësimi i gjuhës. Fillimisht u caktua, për dhënie mësim, pedagogia Kasanjenko, shefe e ciklit të gjuhës e shkollës tonë, zonjë e papërtuar që kishte simpati dhe e dashuruar me shqiptar. Interesimi i shokëve për të përvetësuar gjuhën sa më shpejtë ishte i madh, ata krahas mësimeve përpiqeshin të kapnin fjalët më të domosdoshme vetë, duke u shoqëruar me shokë e shoqe të fabrikës si dhe kievlanë. Unë dhe shumë shokë oficerë e kursantë që studionim në shkollë, takoheshim shpesh me ta, bisedonim për problemet që mund të kishin, duke i dhënë ndihmesën tonë modeste. Koha e specializimit mbi një vit ishte më se e mjaftueshme për përvetësimin e programit. Nga 28 Nentori 1958 deri më 8 Mars 1960 ata përvetësuan teorinë dhe praktikën e teknologjisë së prodhimit të birrës në fabrikën (Pivo- Zavod) të Kievit. Të 10 shokët u larguan, duke lënë përshtypjet më të mira tek kolektivi dhe administrata e fabrikës. Pata rastin të jem dhe në përcjelljen e tyre deri në stacionin e trenit Kiev- Moskë, nga ku niseshin me aeroplan për në Tiranë. Me mbarimin e studimeve, tashmë oficer, shkova në fabrikën e birrës në Tiranë ku i takova shokët dhe shijova birrën e mrekullueshme të prodhuar prej tyre. Ata punuan pranë ish-kombinatit Ali Kelmendi në detyra të ndryshme deri në pension. Ideja për të shkruar diçka për ta, lindi nga disa takime me njërin nga shokët, Rasim-Muça, i cili është mbi 80 vjeç dhe gëzon shëndet të mirë. Ai më tregon për të 10 shokët e tij dhe përmend emrat me radhë: Rasim Muça, Sulejman Jazexhiu, Medat Rapdishta, ndalet pak dhe i kujton 7 emrat e tjerë të cilët nuk jetojnë. Ata janë: Njazi Tuçi, Mustafa Ohri, Hamit Bimi, Margarit Janku, Mahmut Peti, Haki Dashi, Andrea Rapi. Mbaj kujtimet më të mira për ta, do të mbeten të paharuar thotë Rasimi, edhe për mua kursanti i Kievit që i takoi për herë të parë dhe më pas, ata do të mbeten të paharruar në kujtesën time. Rasimi vazhdon bisedën, ne të tre që jetojmë, kur takohemi kujtojmë shokët, kohën e studimeve në Kievin e bukur, shoqërinë etj., kështu e përfundon dhe bisedën. Duke i uruar shëndet të tre shokëve që jetojnë: Sulejman Jazexhiu, Medat Rapdishta dhe Rasim Muca të cilin e përgëzoj për interesimin, gatishmërinë, ndihmesën për të shkruar këtë kujtesë, për të gjithë shokët e specializuar në Kiev të Birra Tiranës dhe për të kujtuar e mbajtur gjallë, kujtimin e shokëve që nuk jetojnë.