Infrastruktura dhe siguria e avionëve që operojnë në Shqipëri rrezikojnë jetën e pasagjerëve

885
Sigal

Sistemi ajror shqiptar vijon të shfaqë problematika të mëdha, për sa i përket sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve. Kompanitë dhe linjat ajrore që funksionojnë aktualisht në vendin tonë po krijojnë situata të vështira dhe të rrezikshme për të gjithë pasagjerët që zgjedhin të udhëtojnë me këto linja. Faktikisht gjatë kohëve të fundit po shtohen së tepërmi rastet ku shfaqen probleme me sigurinë e qytetarëve, ku vetëm disa ditë më parë një avion i kompanisë “Blue Panorama” bëri një ulje të detyrueshme për shkak të tymit që doli nga kabina e pilotëve, disa minuta pasi ishte bërë nisja nga aeroporti i Rinasit. Në atë rast pasagjerët në bord përjetuan momente tensioni dhe paniku, ndërsa versioni i dhënë nga Autoriteti i Aviacionit Civil pretendonte, se shkak i tymit ishte bërë një solucion larës, megjithatë rastet e problemeve me avionët e “Blue Panorama” janë të përsëritura, pasi vetëm gjatë vitit të fundit, avionët e kësaj kompanie në Shqipëri kane bërë 3 ulje emergjente për defekte, duke vënë në rrezik serioz jetën e udhëtarëve. Një tjetër fakt alarmues për cilësinë dhe sigurinë e avionëve në vendin tonë është gjendja fizike e mjeteve fluturuese. Siç shihet dhe në foto, rrotat e avionit të “Albawings” janë të çara dhe totalisht të konsumuara. Me pamje të tilla kuptohet se sa e sigurt është të udhëtosh me avionët që operojnë në Shqipëri. Problem tjetër i hasur shpesh gjatë muajit të fundit ka të bëjë me vonesat e disa kompanive ajrore, sidomos të atyre që operojnë fluturime drejt Italisë. Nga të dhënat zyrtare që vijnë nga sektori për të drejtat e pasagjerit, rezulton se numrin më të lartë të vonesave për këtë muaj, vijon ta ketë kompania “Fly Ernest”, që zhvillon disa fluturime ditore me Italinë. Nga të dhënat rezulton se kjo kompani ka regjistruar 7 vonesa për muajin e kaluar, disa prej të cilave mbi 3 orë, madje deri në mbi 7 orë. Kompanitë e tjera nuk kanë regjistruar probleme, kjo e lidhur edhe me numrin e ulët të pasagjerëve që kërkojnë të udhëtojnë. Kompania e dytë më problematike është “Adria Airways”, e cila ka anuluar një fluturim. Ndërkohë që kompania tjetër që operon me Italinë “Blue Panorama”, ka regjistruar vetëm një vonesë përgjatë muajit të kaluar.

Kompanitë me fluksin më të madh të lëvizjeve

Referuar të dhënave zyrtare të ardhura në Autoritetin e Aviacionit Civil shifrat tregojnë një numër prej 222,113 pasagjerë, të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit Janar në Aeroportin “Nënë Tereza”. Bazuar në të dhënat zyrtare, kompania ajrore “Blue Panorama” është mbizotëruese në treg duke mbuluar fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Janar 2019, me një numër prej 56,403 pasagjerë ose 25% të totalit. Ndjekur nga “Ernest S.p.a” me 18% ndaj totalit dhe 40,523 pasagjerë, duke vijuar me “Albawings”, e cila zotëron tregun me 12% dhe 26,438 pasagjerë, përqindje kjo në rritje krahasimisht me muajt paraardhës. Për sa i përket rritjes/rënies së fluksit të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Janar 2017-2018-2019, vëmë re se numri i pasagjerëve që kanë fluturuar me kompaninë “Wizz Air” ka shënuar një rritje prej 177% ,e krahasuar me Janarin e 2018, pasuar nga “Albawings”, me një rritje prej 52 %. Gjithashtu duket se ka një ngritje të dukshme edhe kompania “Lufthansa” me 18%, përqindje kjo e lartë duke marrë parasysh se përgjatë janarit të 2017-s ka pasur një humbje prej 22% të fluksit.