Infrastruktura akumulon 18 mln euro detyrime të prapambetura ndaj kompanive të rrugëve

556
Sigal

Borxhet e prapambetura ndaj kompanive private që kanë kontrata me qeverinë për ndërtimin e rrugëve kanë arritur në fund të tremujorit 2018 në më shumë se 2.3 miliardë lekë ose 18 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës, detyrimet e krijuara rishtazi dhe të prapambetura për investimet janë 1,2 miliard lekë, ndërsa për kontratat e mirëmbajtjes janë 1,1 miliard lekë. Në këtë vlerë përfshihen detyrimet e akumuluara deri në fund të 2017 dhe ato të krijuara rishtas gjatë periudhës janar-gusht. Krijimi i borxheve ndaj kontraktorëve privatë të rrugëve nuk po arrin të eliminohet edhe pse qeveria pas vitit 2014 ka shtrënguar procedurat i monitorimit të punimeve në mënyrë që ato të mos avancojnë jashtë programeve të financimit. Sakaq Ministri i Financave, Arben Ahmetaj raportoi një ditë më parë se detyrimet e prapambetura kishin arritur në rreth 14 miliardë lekë. Ai tha se pjesa me e madhe llogariten sot në një total prej 14.4 miliardë lekë apo rreth 114 milionë euro ku pjesa më e madhe e tyre prej 12 miliardë i përket pushtetit vendor ndërsa qeverisja qendrore ka vetëm 2.4 miliardë lekë. Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së financave shihet borxhi i qeverisjes vendore ka avancuar më tej gjatë vitit 2018 pasi në fund të vitit 2017 po ministria e Financave raportoi se stoku i detyrimeve të pushtetit vendor ishte rreth 9 miliardë lekë. Ndërsa sipas të dhënave nga Fondi Monetar ndërkombëtar detyrimet e prapambetura të qeverisë shqiptare deri në fund të vitit 2017 ishin 26.5 miliardë lekë rreth 205 milionë euro. Fondi raportoi për herë të parë pas përfundimit të marrëveshjes me Shqipërinë se vetëm gjatë vitin 2017 ishin krijuar rishtas 13.5 miliardë lekë (104 milionë euro) detyrime të reja të papaguara të shtetit ndaj bizneseve. Deri në fund të vitit 2016, 71% e totalit të detyrimeve e kishte qeveria lokale (borxhet e bashkive), me 9.4 miliardë lekë, nga 13.1 miliardë lekë që ishte totali i stokut të detyrimeve. Sipas shifrave të FMN-së, në 2017-n, detyrimet e bashkive u ulën me 184 milionë lekë, ndërsa ka qenë qeveria qendrore ajo që ka krijuar detyrimin më të madh. Detyrimi i qeverisë qendrore pothuajse është pesëfishuar, nga 3.7 miliardë lekë në 17.4 miliardë lekë. Rritja e detyrimit të qeverisë qendrore ka ardhur si rrjedhojë e mosrimbursimit të TVSH-së, i cili është dhjetëfishuar nga 1.9 miliardë lekë në 11.7 miliardë lekë, deri në fund të vitit 2017 Sakaq të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave nuk tregojnë për ulje të detyrimeve të TVSH. Gjatë periudhës Janar-Gusht janë disbursuar 9,2 miliardë lekë TVSH, me nje rritje 12 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017. monitor