Importuesit e mesëm i paguajnë rreth 600 euro në muaj koncensionarit

763
Sigal

Fasonët mbështesin Autoritetin e Konkurrencës për hetimin e kontratës koncensionare të skanimit të kontenierëve

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve vlerëson qëndrimin e mbajtur nga Qeveria Shqiptare, Ministria e Financave dhe së fundi edhe Autoriteti i Konkurrencës, lidhur me kontratën koncensionare të skanimit të kontenierëve. “Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve u ka bërë me dije prej kohësh autoriteteve shtetërore se kjo kontratë koncensionare, e pashembullt në praktikën e njohur doganore të vendeve të Bashkimit Europian, ishte një akt i nxituar i qeverisjes së kaluar, që jo vetëm dëmtonte drejtpërdrejt subjektet tona, por krijonte një precedent negativ edhe për tregtinë ndërkombëtare, sidomos për Kosovën, ndërsa largonte një numër të konsiderueshëm subjektesh importuese nga portet shqiptare dhe pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë” thuhet në njoftimin për shtyp të Dhomës Kombëtare të prodhuesve të Veshjeve (DHKPV).

Studimi

Sipas studimit të bërë nga DHKPV dhe ekspertë të pavarur, më të dëmtuarit do të ishin importuesit e mesëm, ata që realizojnë të themi 10-15 deklarata në muaj dhe që duhet t’u paguajnë koncensionarëve nga 390-585 euro në muaj. Ndikimi i kësaj kategorie do të “shkarkohej” në çmim, duke u përcjellë direkt te konsumatori. Për importe që e kalojnë vlerën e rreth 50 mijë eurove, specialistët llogarisin që tarifa e skanimit do të rrisë koston me rreth 0,8 Euro, ndërsa të gjitha ato kompani që importojnë deri në 10 mijë Euro në muaj, do t’u rritet kosto me rreth 1 %. Nëse kësaj i shtojmë edhe efektet që vijnë nga eksportet e fasonit, rieksportet apo regjimet e tjera doganore, efektet janë vërtet dëmtuese për buxhetin e shtetit dhe të sipërmarrjeve. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve i bëri të ditur autoriteteve edhe se Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) rekomandon se tarifa për shërbimet doganore lejohet deri në kufijtë sa kosto e përafërt e shërbimeve të kryera. Sipas një studimi, që i referohet DHKPV, kosto e pajisjes dhe e shërbimit të skanimit nuk i kalon 16 USD për kontenier të skanuar në pikat tokësore të kalimit kufitar dhe kjo kosto rritet në rastet e skanimit në porte, por në asnjë rast nuk e kalon koston shqiptare prej 39 Euro (ose 53,7 USD)?! Që do të thotë rreth 70 % më të lartë se sa në vendet e zhvilluara! E gjitha kjo ka një logjikë ekonomike: ajo shkarkohet në koston e import/eksportit. Sipas një studim ndërkombëtar, një rritje prej 1 % e kostos së transportit sjell një rënie me 2,4 % të importeve. Banka Botërore shton në analizat e saj se rritja e kostos së transportit zvogëlon tregtinë me rreth 10 %! Kanë qenë këto arsyet e plota se përse DHKPV ka kërkuar në të gjitha takimet zyrtare pezullimin dhe rishikimin e kësaj kontrate koncensionare.

Kodi i ri doganor

Duke qënë edhe se Kodi i Ri Doganor është në proces shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe në Kuvendin e Shqipërisë, DHKPV vlerëson rekomandimin se “Instrumenti ligjor për rishikimin e kontratës koncensionare është procesi i rishikimit të Kodit Doganor dhe sipas nenit 18.2.1 të Ligjit 123/2013 për miratimin e marrëveshjes koncensionare”. Kuvendi duhet të marrë sa më shpejt në konsideratë këtë rekomandim të Konkurrencës.