Importuesit e cigareve ia “dredhin” ligjit

732
Sigal

Importi i cigareve gjatë Tetorit shkon në 518 ton, 67 % më shumë se vitin e kaluar, ndërsa bie në nëntor

Importet e cigareve u rritën me shpejtësi në tetor të këtij viti, teksa tregtuesit e mëdhenj prisnin hyrjen në fuqi të ligjit të ri për akcizat, që e rrit këtë taksë nga 90 në 110 lekë për paketë. Sipas të dhënave të importeve të mallrave të akcizës nga Ministria e Financave, në tetor u importuan 518 tonë cigare, me një rritje prej 67 % në raport me një vit më parë, duke shënuar kërcimin më të madh të këtij viti dhe duke arritur pothuajse nivelin e dhjetorit 2013. Siç tregoi dhe përvoja e dhjetorit të vitit të kaluar, firmat e mëdha krijojnë rezerva dhe më pas gradualisht e shpërndajnë gjatë vitit te firmat e shitjes me shumicë dhe dyqanet dhe efekti fiskal kalon nga buxheti i shtetit te firmat private. Në dhjetor 2013 u importuan 565 ton cigare dhe në janar 2014 (kur akciza u rrit nga 70 në 90 lekë për paketë) importet ishin vetëm 66 ton.

Ligji i ri për akcizat, që e rriste atë për cigaren u miratua në 23 tetor dhe hyri në fuqi në heshtje (pasi nuk u dekretua nga Presidenti) në 14 nëntor, pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Në përpjekje për të shmangur rritjen e importeve para hyrjes në fuqi të akcizës së rritur, Kuvendi kufizoi mundësinë e rritjes së importeve, jo më shumë se 5 % e mesatares mujore nga momenti i votimit të ligjit të akcizave deri në dekretim. Por, importuesit duket se i kanë paraprirë edhe këtij kufizimi, duke e siguruar sasinë e nevojshme përpara në pjesën e parë të tetorit, para se të fillonte matja e kohës sipas ligjit. Të dhënat paraprake nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën 1-20 nëntor janë importuar vetëm 150 ton cigare.

Rritja e çmimit përpara hyrjes në fuqi të ligjit

Ndërkohë, rritja e çmimeve të cigareve filloi që gjatë ditëve të para të tetorit, por është i vështirë identifikimi i hallkave, për shkak se firmat e mëdha duhet të raportojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ndryshimet në çmime përpara aplikimit. Fakti që është paguar gjithë barra fiskale e kalon rritjen në favor të shitësve të shumicës, pasi shitësit me shumicë e ndryshojnë ofertën në treg, duke e zhvendosur rritjen e çmimeve para hyrjes në fuqi të akcizës. Në treg qarkullojnë ende cigare me akcizë 70 lekë për paketë (e shkruar në pullën fiskale A70), por operatorët sqarojnë se ata po përdorin ende pullat që i kanë pasur stok, ndërsa kjo nuk ka lidhje me akcizën e paguar, sepse akciza paguhet në doganë, në momentin kur kryhet importi. Por gjithsesi, teksa rritja e çmimeve ka filluar në tetor, në treg do të qarkullojnë dhe për disa muaj cigare me akcizë të paguar 90 lekë për paketë, që shitet në tregun e pakicës me nivelin e ri të akcizës (110 lekë për paketë).