Importet e naftës, cigares, birrës dhe kafesë, në pikiatë

448
Sigal

Në këtë fillim viti mallrat e konsumit me akcizë të tilla si; nafta, cigarja, birra dhe kafeja kanë pësuar rënie, e cila është reflektuar, në më pak të ardhura në arkën e shtetit.

Nafta

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, importet e naftës shënuan rënie me 14.7 për qind në periudhën janar-shkurt në raport me të një vit me parë, duke i importuar 66,301 tonë nga 77,702 tonë më 2018. Burimet nga tregu pohuan se arsyet e rënies lidhen me rritjen e prodhimit vendas të naftës nga rafineria e përpunimit të thellë të naftës ARMO. Importet e naftës shfaqin ne varësi të ciklit të prodhimit vendas, sipas aktivitetit të ARMO-s. Vitin e kaluar rafineria nuk ka punuar pothuajse për 10 muaj rresht duke bërë që importet e naftës të rriteshin me rreth 20% në raport më vitin 2017.

Cigaret

Këtë vit rënie ka shënuar edhe importi i cigareve. Për dy -mujorin e parë rënia ishte 2.4 %. Gjatë dy mujorit u importuan 402 tonë cigare nga 412 tonë më 2018. Burimet nga tregu bëjnë me dije, se rënia e importeve erdhi si pasojë e rritjes së akcizës në paktën fiskale të vitit 2019, e cili nxiti importe më të larta në muajin dhjetor. Kjo është një skemë e vjetër që importuesit e cigareve përdorin për të shmangur pagesat më të larta të akcizës.

Birra

Pas një rritje të lartë për tre vite rresht në këtë fillim viti kanë rënë edhe importet e birrës. Për dy mujorin ato ishin 20 për qind më të ulëta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Për rrjedhojë të ardhurat nga doganat shfaqen dobësi në dy-mujorin e parë të vitit. Të ardhurat doganore ishin 735 milionë lekë (5.8 mln euro) më të ulëta se një vit më parë. Rreth 114 milionë lekë ishin arkëtime më të ulëta nga akciza. Ritmet e rritjes se të ardhurave buxhetore përgjatë janar-shkurt ishin vetëm 1.7 për qind më shumë se fakti i një viti më parë. Ngërçi në arkëtime ka përfshirë “motorët” e grumbullimit të të ardhurave, tatime dhe dogana, arkëtimet nga të cilat ishin 0.2 për qind më të ulëta se dymujori i vitit 2018./Monitor