Ilahi: Reformë në skemën e pensioneve. Të rritet mosha e pensionit

756
Sigal

Misioni i FMN-së për buxhetin e vitit 2014 dhe sfidat e politikës ekonomike të Shqipërisë

Përfaqësuesi i FMN-së, Nadeem Ilahi në konferencën e përbashkët me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, tha se FMN sheh dobësi në ekonominë shqiptare. Ai vuri theksin tek mos realizimi i të ardhurave dhe shtimi i shpenzimeve, si dhe detyrime të akumuluara të pashlyera. “Buxheti ka ardhur duke u përkeqësuar dhe misioni në një vlerësim paraprak për detyrimet e prapambetura në sektorin e transportit publik, shëndetësi, arsim etj, shuma e detyrimeve shkon rreth 56 miliardë lekë”, tha përfaqësuesi i FMN-së. “Këshilla jonë është që autoritetet të ulin deficitin fiskal duke nisur nga viti 2015. Kjo do të thotë përsëri se vitin tjetër duhet të ketë një përpjekje të konsiderueshme dhe në termat e korrektimit fiskal”, shtoi Ilahi.  “Shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë dhe faturave të papaguara do të forconte bilancet e sektorit privat, do të ndihmonte në rifillimin e kreditimit duke ulur kreditë nën standard dhe duke mbështetur kërkesën vendase” këshillon FMN. Misioni gjithashtu, sugjeron dokumentimin sistematik të detyrimeve (përfshirë këtu dhe auditimin e tyre), shlyerjen e shpejtë dhe njëkohësisht zbatimin e reformave në menaxhimin e financave publike që do të parandalojë rishfaqjen e tyre në të ardhmen.” Fushat ku sipas FMN-së qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë reforma janë tre, ku njëra prej tyre është skema e pensioneve, ku propozohet rritja e moshës së daljes në pension. “Diskutuam për kursin e veprimeve përtej viteve 2014 dhe ne kemi pasur një sugjerim për 3 fusha ku mund të fokusohemi për axhustimin e financave publike. Duke ditur që skema e pensioneve është në deficit dhe në një kohë kur popullsia e Shqipërisë është ende e re duhet menduar për një reformë pensionesh duke nisur nga viti 2015”.

Ministri Cani: Do të kthejmë rritjen e qëndrueshme ekonomike

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani nga ana e tij u shpreh se gjendja është kritike, por jo e pashpresë. “Paratë janë harxhuar ndjeshëm gjatë 8 mujorit të parë, për pasojë borxhi publik nuk do jetë 64% sa ishte zotimi i Qeverisë së mëparshme, por mbi 67%. Këtu nuk kam përfshirë pagesat për punimet e kryera gjatë viteve, pasi po të shtojmë edhe këtë pjesë të borxhit të fshehtë, vetëm pjesën e detyrimeve që shteti i ka bizneseve, deficiti duhet të arrijë jo më pak se 73%”, u shpreh ministri. Cani garantoi stabilizim të gjendjes dhe kthimin e rritjen e qëndrueshme ekonomike, gjë e cila do të arrihet me paraqitjen e një pakete për rimodelimin e skemës së pensioneve, reformë strukturore për tatimet e doganat, vendosjen e taksës progresive, etj..

Guvernatori Fullani: Të stimulohet kredidhënia

Kurse Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se nevojitet konsolidim i financave publike, për të mundësuar një sistem të qëndrueshëm financiar. “Konsolidimi i financave publike duhet të ankorohet në një situatë më të qetë dhe transparente. Stabiliteti ekonomik e financiar është i domosdoshëm për një rritje të ekonomisë. Për këtë ne kemi mundësuar uljen e normës bazë të interesit. Po kështu jemi fokusuar tek stimulimi i kredidhënies”, tha Fullani.