Hyjnë në fuqi gjobat e reja deri 10 milionë lekë, ndaj subjekteve që kapen me shkelje

728
Nga sot, e martë dhjetor, hyjnë në fuqi gjobat e reja ndaj subjekteve që kapen me shkelje nga organet tatimore, të cilat arrijnë deri 10 milionë lekë. Këshilli i Ministrave ka publikuar në Fletoren Zyrtare gjobat e reja që do të aplikohen ndaj subjekteve me shkelje. Sipas legjislacionit të ri, ccdo tatimpagues, i cili konstatohet se kryen veprimtari në adresa të padeklaruara, për të cilat nuk ka kryer përditësimin e të dhënave, dënohet me gjobë prej 500 mijë lekësh.
Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin nga bizneset e vogla, dënohet me gjobë në masën 15 për qind të shumës së këstit për t’u paguar. Nëse nga verifikimi dhe kontrolli i parë në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar pagën reale të të punësuarëve në organin tatimor tatimpaguesi përkatës detyrohet të paguajë edhe një gjobë prej 500 000 (pesëqind mijë) lekë për rastin e parë të konstatimit.
Çdo konstatim i përsëritur i mosdeklarimit të pagës reale të punonjësve, pas aplikimit të dënimit administrativ, konsiderohet evazion tatimor, dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke bërë kallëzimin penal për tatimpaguesin. Në rast se subjekti nuk afishon në një vend të dukshëm, në adresën ku kryen veprimtarinë, një poster që tregon të drejtën e blerësit për të mos paguar për mallrat dhe shërbimet e blera, nëse nuk i jepet kuponi, dënim me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë.”
Kuponat
Për çdo konstatim (verifikim) të kryer, për moslëshim të kuponit tatimor, subjekti dënohem me gjobë të barabartë me 100 për qind të detyrimit tatimor, të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të kuponit, përveç detyrimeve tatimore dhe interesave, që llogariten e paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve specifike tatimore, me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për muajt e fundit.
Në rastet kur subjekti lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore /biletë, me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për kuponin tatimor/dëftesën tatimore /biletën me vlerë të parashtypur, dënohet me gjobë, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të detyrimit tatimor, të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç detyrimeve tatimore dhe interesave, që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve specifike tatimore.
10 milionë lekë gjobë
Tatimpaguesi, që kryen shitje me shumicë të mallrave në adrese të identifikuar si njësi te shitjes me shumicë, ose mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, konfiskim të të gjithë sasisë së mallit që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore.
Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSh nga tatimpaguesi që shet mallra me shumicë dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të detyrimit tatimor, të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç detyrimeve tatimore e interesave, që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji e të ligjeve specifike tatimore, me gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë dhe rivlerësim të të ardhurave për një periudhë 6-mujore. Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë, konsiderohet evazion tatimor, dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në ligj duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin.
50% e xhiros
Gjithashtu, në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50 për qind të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor, për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, për llogari të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit.
Në rast se nga kontrolli i kryer nga administrata tatimore tek tatimpaguesit, pasqyrat financiare të të cilëve janë certifikuar nga
kompanitë audituese se janë në përputhje me legjislacionin fiskal, rezulton detyrim tatimor, masa e detyrimit tatimor i ngarkohet e plotë tatimpaguesit, ndërsa kompania certifikuese dënohet me një gjobë me masën e detyrimit tatimor që i ngarkohet tatimpaguesit.
Çdo tatimpagues që nuk ngarkon të dhënat e numrave IMEI të telefonave celularë ose ngarkon informacion të pasaktë, dënohet me një gjobë prej 30 000 (tridhjetë mijë) lekësh për çdo mosngarkim/ngarkim jo të saktë. 
Sigal