Humbjet e kompanisë shtetërore “INSIG” shkojnë në mijëra euro

839
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka zhvilluar një audit vitin që shkoi në degën “INSIG” në Maqedoni. Dëmi i ekonomik i krijuar në kompaninë që është në prag privatizimi ka rezultuar mbi 85 mijë euro. Ndërkohë KLSH ka vërejtur se INSIG ka struktura të dobëta për çështjet juridike pasi ka humbur të gjitha gjyqet. Raporti zyrtar i KLSH ka zbuluar se në 2009, “INSIG” ka ndryshuar pronësinë e aksioneve duke i riblerë ato në masën 100 %. Ky ndryshim nuk është shoqëruar me zvogëlimin e numrit të anëtarëve të këshillit mbikëqyrës në 3, por në vend të anëtarëve të emëruar nga IFC dhe BERZH, janë emëruar 2 anëtarë nga Ministria e Financave, duke e lënë numrin e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës me 5 anëtarë. Nga auditimi me zgjedhje për marrjen në sigurim të jetës, jo-jetës dhe vlerësimi i pagesave të dëmeve me vlera të mëdha konstatohet se, rastet që janë trajtuar me procese gjyqësore, kanë patur ndikim të madh në vlerën e pagesës së dëmeve. Raporti vë në dukje se nga “INSIG” nuk është analizuar vlerësimi i riskut dhe përcaktimi i përgjegjësive. Të gjitha rastet e paditura në organet gjyqësore rezultojnë të humbura nga “INSIG”, veprime të cilat tregojnë cilësi të dobët të mbrojtjes së çështjeve
Vlerësimi i dëmeve
Vlerësimi i dëmeve materiale, është shoqëruar me mangësi dhe pasaktësi duke likuiduar padrejtësisht palët e dëmtuara, kryesisht në dëme që sigurohen nëpërmjet TPL. Në disa raste dëmet e likuiduara (kryesisht materiale), rezultojnë edhe mbi vlerën e llogaritur për shlyerjen e vlerës së plotë të automjetit. Referencat për çmimet e riparimit të automjeteve të dëmtuara merren vetëm nga një burim dhe paraqitet nga vetë pala e dëmtuar, duke krijuar mundësi për shmangie nga çmimet reale dhe rrjedhimisht rritje fiktive të fondeve që paguhen për likuidimin e dëmeve materiale. Parregullsitë në të shumtën e rasteve rezultojnë për raste kur poseduesit e mjeteve të përfshira në aksidente bien dakord ndërmjet tyre dhe nuk paraqitet i nevojshëm procesverbali i organeve të rendit. Pagesat e dëmeve sipas primeve të kartonit jeshil bëhen sipas faturave që paraqiten nga shoqëritë apo byrotë e sigurimeve të shteteve ku ndodhin aksidentet, pas asnjë reklamim. Në rastet e dosjeve të audituara nga grupi i auditimit konstatohen dëme të papërfillshme të likuiduara me vlera të konsiderueshme. Për këto raste, “INSIG” Maqedoni duhet të kërkonte që çështjet të trajtoheshin në arbitrazh. 
Shkeljet financiare
Nga auditimin me zgjedhje rezulton se, nuk janë analizuar përgjegjësitë, dhe nuk është bërë analizë mbi shkaqet likuiditeteve për ekzekutimet e urdhrave të përmbarimit, në kundërshtim me MFK nr. 0203-03, datë 21.02.2014, pika 5.2.12 “Shpenzime për gjoba, penalitete e kamatëvonesa”, ku për periudhën e auditimit është likuiduar vlera prej 28,392 euro, e cila përbën efekt financiar negativ për shoqërinë. Nga auditimi i mbajtjes së evidencave kontabile rezultoi se, shoqëria ka vepruar në kundërshtim me Standardin Ndërkombëtar të Kontabilitetit nr. 10 për “Korrigjimin i ngjarjeve pas datës së bilancit”, paragrafi nr. 8. Mosparaqitja e drejtë dhe e saktë e rezultatit financiar ka rezultuar me efekt financiar negativ me vlerë 8.826 euro, pasi shoqëria ka paguar tatimin për fitimin e 2014. Gjatë auditimit të zbatimit të dispozitave ligjore për administrimin e aktiveve financiare (depozita, bono thesari etj), rezultoi se Shoqëria ka mbajtur depozita në euro për 2015 shumën 1,384,000 MKD. Interesat e depozitave në banka në MKD për 2015 kanë qenë 1.41 % më të larta se interesat e depozitave në euro. Me këto veprime ose mosveprime i është krijuar shoqërisë një e ardhur e munguar me vlerë 7,300 euro. Po ashtu në 2014 shoqëria ka investuar paratë e saj duke krijuar një të ardhur e munguar me vlerë 3,100 euro. Nga auditimi i disa dosjeve të vlerësimit të dëmeve janë konstatuar mangësi në kundërshtim me Manualin e Vlerësimit të dëmeve. Dëmi i konstatuar është 3,408 euro. 

Shpenzime të tepërta
Nga auditimi i kryerjes së shpenzimeve me arkë, bankë dhe blerjet me vlera të vogla, janë konstatuar parregullsi të shoqëruara me dëm ekonomik me vlerë 12,954 Euro, vlerë e cila është rekomanduar për zhdëmtim, sipas personave përgjegjës. Në lidhje me zbatimin e kontratës “Blerje reklama” me nr. 102/14, datë 22.09.2014, të lidhur me vlerë 2,552,340 MKD, për periudhën e reklamimit për 4 muaj, likuidimi i plotë i vlerës është bërë 2 muaj para përfundimit të kontratës. Pagesa e mësipërme është kryer duke mos patur bashkangjitur gjithë dokumentacionin vërtetues të kryerjes së këtij shërbimi, në kundërshtim me rregulloren e MFK nr. 0203-3, datë 21.02.2014, pika 7.3, me pasojë dëm ekonomik në shumën 20,750 euro. Në përfundim të auditimit, KLSH ka dhënë rekomandimet për përmirësimin e situatës. 
Sigal