Huatë me probleme bien sërish në korrik, zbresin në nivelin më të ulët të vitit

537
Sigal

Huatë që nuk kthehen në afat në banka kanë shënuar një rënie tjetër në korrik për të tretin muaj radhazi, duke zbritur në 11.19%. Ky është dhe niveli më i ulët i këtij viti.

Në dhjetor të vitit të kaluar, huatë me probleme zbritën në nivelin më të ulët në 7 vite, prej 11.08%, të ndihmuara dhe nga fshirja e kredive të këqija që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, nga bilancet e bankave. Më pas treguesi u rrit, për të arritur në 11.46% në prill dhe që prej asaj kohe morën sërish tendencën rënëse.

Sipas burimeve të Bankës së Shqipërisë, në rënien e kredive ka ndihmuar shlyerja e huave dhe ristrukturimi i kredive, si zgjatje afati dhe ulje e pagesave mujore, apo dhe fshirja e një pjese të huasë në këmbim të pagesës së pjesës tjetër.

Pak kohë më parë, Banka e Shqipërisë miratoi një plan shpëtimi të pagëzuar si “Qasja e Tiranës”, për bizneset që kanë dështuar në shlyerjen e kredive në banka, me vlerë mbi 8 milionë euro. Plani i shpëtimit, tashmë në fuqi, do të nisë të aplikohet në muajin shtator për 9 korporata, nga grupi i të 35 kompanive që ishin problematike në kthimin e huave.

Bizneset me kredi të keqe, vlera e së cilës i kalon 100 milionë lekët (rreth 8 milionë euro) në disa banka kanë mundësi të rinisin aktivitetin dhe të dalin nga gjendja e falimentit, të ndihmuara nga vetë bankat.

Rregullorja e pagëzuar me emrin “Qasja e Tiranës”, e ngjashme me “Modelin Podgorica”, synon të ristrukturojë të paktën 9 korporata të mëdha në vjeshtë, pjesë e 35 bizneseve të mëdha në vend që zotëronin 65% të kredisë me probleme në vitin 2015. “Qasja e Tiranës” u miratua së fundmi nga Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dhe do të aplikohet në vijim për të gjitha bizneset që dështojnë të shlyejnë shumat e kredisë mbi 8 milionë euro.

Pas goditjes që bankat pësuan pas krizës ekonomike të vitit 2008 nga moskthimi i huave, të cilat kulmuan në 24,9% të totalit të kredisë së dhënë në shtator 2014, me vlerë mbi 1 miliard euro, institucionet ndërkombëtare financiare u angazhuan për të zgjidhur ngërçin që po mban peng kreditimin normal të ekonomisë sot e kësaj dite.