Huatë, bankat do pranojnë vetëm dokumentet zyrtare

240
Banka e Shqipërisë po harton disa ndryshime të pritshme regulative, që do të sanksionojnë përdorimin vetëm të dokumentacionit zyrtar financiar të subjektit që kërkon hua, në analizën që bëjnë bankat gjatë procesit të miratimit të huasë. Një çështje e tillë është diskutuar në mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje morën pjesë ministri i Financave dhe Ekonomisë (MFE), Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSh), Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve. Të pranishmit vlerësuan se përdorimi i dokumentacionit zyrtar financiar në procesin e analizës së huasë i shërben formalizimit të ekonomisë, mbështet konkurrencën e drejtë dhe ul rrezikun në veprimtarinë e kreditimit të sektorit bankar. Ata vlerësuan se rënia e nivelit të kredive me probleme, duhet të krijojë kushte më të favorshme për një angazhim më të madh të sektorit bankar drejt veprimtarisë së kreditimit, mbështetur në kujdesin e nevojshëm për sa i takon treguesve të përqendrimit të kredisë dhe kërkesave të tjera mbikëqyrëse. Një masë e tillë do të detyrojë sipërmarrësit të heqin dorë nga përdorimi i dy bilanceve dhe të kreditohen vetëm me bilancin që dorëzojnë në autoritetet tatimore.