Shqipëria ka bërë hapa para në transparencën e financave publike që nga viti 2011, por gjatë vitit 2017, vendi ynë u vlerësua në 50 pikë nga 100 të mundshme nga Indeksi i Buxhetit të Hapur. “International Budget”. Duke u bazuar në kriteret e pranuara ndërkombëtarisht nga organizatat multilaterale, Anketa e Buxhetit të Hapur përdor 109 tregues të ponderuar për të matur transparencën e buxhetit. Këta tregues vlerësojnë nëse qeveria qendrore publikon tetë dokumente kryesore të disponueshme për publikun qoftë online dhe forma të tjera gjithëpërfshirëse dhe të dobishme për publikun. Qeveria shqiptare publikon aktualisht 7 nga 8 dokumentet. Vlerësimi për Indeksin e Buxhetit të Hapur në rang global është dhënë (nga 1- 100), ku pikët më të larta tregojnë rezultate të larta transparence. Shqipëria, në këtë renditje, u vlerësua me transparencë të limituar, duke e renditur në grupin e vendeve me demokraci jo shumë të zhvilluar, të tilla si Kolumbia,Ekuadori, Afganistani, Namibia, Argjentina.

Por Raporti i Transparencës Buxhetore më 2017 vlerëson se vetëm transparenca është e pamjaftueshme për përmirësimin e qeverisjes. Pjesëmarrja e publikut në buxhetim është jetësore për të kuptuar rezultatet pozitive që lidhen me transparencën më të madhe buxhetore. Në këtë aspekt, Shqipëria ka marrë vlerësim shumë të dobët me vetëm 2 pikë, teksa mesatarja globale është 12 pikë. Anketa e Buxhetit të Hapur shqyrtoi rolin e Parlamentit, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucioneve të pavarura fiskale në procesin buxhetor dhe shkallën në të cilën ata ishin në gjendje të ofronin mbikëqyrje efektive të buxhetit. Mbikëqyrja e këtyre institucioneve u vlerësua relativisht mirë me 69 pikë. Raporti i transparencës së buxhetit për Shqipërinë vlerëson se vendi ynë duhet të përmirësojë pjesëmarrjen e publikut në procesin buxhetor, duke aplikuar fillimisht mekanizma pilot. Këto mekanizma mund të mbështeten në risitë, të tilla si buxhetimi me pjesëmarrje dhe auditime qytetare. Ndër të tjera, raporti sugjeron krijimin e një institucioni të pavarur fiskal, që do të forcojë mbikëqyrjen e buxhetit. monitor