Sigal

Fushata zgjedhore afroi, por në Buxhetin e shtetit është hapur “gropa” e madhe e mosrealizimit të të ardhurave. Qeveria dërgon tatimorët në bashkitë dhee bizneset, që janë kundërshtarë me pushtetin, duke i gjobitur, ndërkohë, që nuk kontrollohen bizneset e mëdha

Drejtoria e Hetimit Tatimor bëri me dije se ka përfunduar zbatimin e planit të masave për muajin tetor, qëllimi i të cilit ishte parandalimi, ndërgjegjësimi, evidentimi dhe goditja e paligjshmërisë në fushën e tatim-taksave. Nga strukturat e specializuara të Hetimit Tatimor u ushtruan kontrolle në 4,170 subjekte, nga të cilat 1,422 u konstatuan me shkelje. Vlera e penalizimeve për këto subjekte është rreth 45 milionë lekë.

Ku më kryesoret renditen si më poshtë:

– 18 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike, për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë). Gjithashtu janë bllokuar ambientet e 6 tatimpaguesve për shkeljen e mosinstalimit të pajisjes fiskale (hera e dytë);

– 335 tatimpagues janë konstatuar me shkelje të moslëshimit të kuponit tatimor (hera e parë);

– 344 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor;

– 163 tatimpagues janë penalizuar për mosdeklarim të punonjësve, ndër të cilët 32 janë me përgjegjësi tatimore “biznes i vogël” dhe 131 subjekte me përgjegjësi tatimore “biznes i madh”;

– 106 tatimpagues janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilat është marrë masat e bllokimit, deri në momentin e regjistrimit të tyre si subjekt i TVSH-së;

– 74 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 81 të tjerë nuk i mbanin në gjendje pune.

Plani operacional u zbatua në subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike në qendrat e qyteteve: Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Kukës, Dibër, Sarandë, si dhe në pikat e tregtimit të karburanteve në të gjithë vendin. Administrata Tatimore ka si qëllim kryesor ndërgjegjësimin dhe edukimin e tatimpaguesve për të rritur vetëdeklarimet, si dhe përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore.