Hetim ndërkombëtar për pastrimin e parave/ Raporti i DASH dhe BE-së, se Shqipëria është kthyer në lavatriçen e Evropës për pastrimin e parave fundosin ekonominë. Noterët raportuan 469 raste ose dyfishin e një viti më parë, hipotekat nga 80 raste në 2017, raportuan 165 në 2018, ndërsa bankat raportuan 563 aktivitete të dyshimta. Ja 1525 dëshmi të tjera për shoqëritë e transfertave, këmbimi valutor, tregtimit të makinave etj…

704
Sigal

Noterët, Hipotekat, shoqëritë e transfertave dhe tregtimit të makinave, këmbimet valutore etj., sinjalizuan 1525 raste në 2108-n

Pastrimi i parave thellon rrënjët në ekonominë shqiptare – Shtohen raportimet për aktivitete të dyshimta

Pastrimi i parave është kthyer në një fenomen shqetësues për ekonominë e vendit tonë. Gjatë periudhës së fundit, organe të rëndësishme ndërkombëtare si Departamenti Amerikan i Shtetit, Këshilli i Evropës apo Bashkimi Evropian nëpërmjet raporteve dhe vrojtimeve të tyre kanë vënë në dukje rritjen e fenomenit të pastrimit të parave në Shqipëri, duke evidentuar dhe sektorët që janë kthyer në “lavatriçe” parash të pista. Sipas asaj që është raportuar, persona të lidhur me krimin po përdorin kompanitë offshore për të hyrë në tregun vendas duke investuar para me prejardhje të dyshimta në sektorin e ndërtimit dhe investimeve infrastrukturore. Por nuk mbeten pas edhe skema të tjera siç është rasti i ‘call centerave’ apo lojërave të fatit. Këto skema shfrytëzojnë informalitetin e lartë dhe korrupsionin që karakterizon ekonominë shqiptare, ndaj institucionet ndërkombëtare shpesh u kanë bërë thirrje organeve shqiptare që të hetojnë pastrimin e parave dhe të konfiskojnë asetet kriminale. Thirrjet e ndërkombëtarëve duket se kanë vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave në vendin tonë. Në fakt sipas vlerësimeve të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, vitin e kaluar ka pasur 1525 sinjalizimi nga subjektet që kanë detyrim raportimin e aktiviteteve të dyshimta. Këto subjekte përfshijnë bankat, këmbimet valutore, noterët dhe shoqëritë e tregtimit të makinave. Sipas DPPPP, 1525 sinjalizimet e 2018-s përbëjnë shifrën më të lartë të raportimeve për aktivitete të dyshimta të pastrimit të parave. “Gjithashtu, vihet re dhe një rritje e ndërgjegjësimit të subjekteve raportuese në lidhje masat parandaluese që duhen marrë. Raporti i aktivitetit të dyshimtë e dërguara nga noterët dhe shoqëritë e transfertave kanë pësuar rritje të ndjeshme, krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërkohë që ato të dërguara nga bankat, zyrat e këmbimit valutor dhe shoqëritë e tregtimit të mjeteve motorikë kanë shënuar rënie” vlerëson DPPPP.

Ulen raportimet e bankave, shtohen ato të shoqërive të transfertave

Për vitin 2018 nga ana e bankave janë dërguar pranë DPPPP të paktën 563 raportime për aktivitet të dyshimtë. Kjo është me një ulje në raport me vitin paraardhës. Shoqëritë e transfertave nga ana tjetër kanë rritur me rreth 50 % duke kapur nivelin 247 raportime. Rritje të dukshme kanë pësuar raportimet nga noterët të cilët nga 254 në vitin 2017 arritën 469 deri në fund të vitit të shkuar. Nga ana e institucioneve shtetërore rritjen më të dukshme e ka pasur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme cila raportoi për 164 raste ndërkohë që një vit më parë kishte vetëm gati gjysmën e kësaj shifre. Rënie të raportimeve për raste të dyshimta kanë pasur shoqëritë e tregtimit të mjeteve motorike ku nga 101 që ishin në 2017 zbritën në vetëm 6 raste në fund të vitit 2018.

Megjithatë pavarësisht raportimeve në rritje, fenomeni i pastrimit të parave i ka futur rrënjët thellë në ekonominë tonë, mbështetur dhe nga koncesionet dhe tenderët që qeveria u jep kompanive me pronarë anonimë apo me seli në offshore, siç ishte dhe rasti i publikuar nga gazeta “Telegraf” dy ditë më parë, ai i 3 koncesioneve të inceneratorëve që janë fituar nga kompani me pronarë të panjohur.