Konkurrenca, hetim të thelluar për tregun Agro-Ushqimor në Tiranë, dyshohet për abuzim me pozitën monopol

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur që të kalojë nga hetimi paraprak në një hetim të thelluar lidhur me kompaninë “EKMA Albanian SHPK” e cila zotëron 100 për qind të aksioneve të tregut agro-ushqimor në Tiranë. Hetimi i thelluar sipas vendimit të Konkurrencës do të përfshijë periudhën kohore 01.01.2017 deri në 01.05.2018, ndërkohë që raporti përfundimtar duhet të jetë gati brenda këtij muaji. “Referuar analizës së tregut të qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro-ushqimore në qytetin e Tiranës, rezulton se sjellja e ndërmarrjes me pozitë dominuese “EKMA Albania SHPK”, mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese referuar nenit 9 të Ligjit Nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, me pasoja për konkurrencën në treg” vlerëson Konkurrenca në vendimin e saj. Më herët, Monitor ka publikuar informacionin se EKMA Albania, me aktivitet shitje, blerje, dhënie/marrje me qira të pronave të paluajtshme, është një ndër tre kompanitë me norma fitimi më të larta në vend. Teksa fitimet u rritën me 52% në 361 milionë lekë, kompania raportoi përfitueshmëri prej 75.5%.

Tregu nën hetim

Sipas analizës së Konkurrencës, dhënia me qira e ambienteve, magazinave dhe vendeve me qëllim tregtimin e produkteve agro-ushqimore në qytetin e Tiranës ushtrohet nga ndërmarrja “EKMA Albania SHPK”, e cila operon e vetme në këtë treg. Autoriteti i konkurrencës vlerëson se në këto kushte për tregtarët e shumicës nuk ka një alternativë tjetër për të tregtuar produktet e tyre, si rrjedhojë nuk ka zëvendësueshmëri nga ana e kërkesës. Zona gjeografike e shërbimit të qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin me shumicë të produkteve agro-ushqimore është territori i qytetit të Tiranës e, për pasojë tregu përkatës gjeografik në këtë rast përfshin qytetin e Tiranës.

Vlerësimi i pozitës dominuese

Nga hetimi i Autoritetit të Konkurrencës rezulton se ndërmarrja “EKMA Albania SHPK” operon e vetme, pra ka pozitë dominuese për sa i përket pjesëve të tregut. Ajo konsiderohet si një kompani që ka pozita të konsoliduar ndër vite duke zotëruar edhe 100 për qind të tregut përkatës. “ Referuar Udhëzimit Nr. 11, datë 2.7.2014 “Për vendndodhjen dhe kushtet e tjera të tregjeve të shitjes me shumicë” të Ministrit të Bujqësisë dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë Nr.19, datë 09.04.2015 “Për miratimin e kritereve për vendndodhjen dhe kushtet e tjera të tregjeve të produkteve agro – ushqimore të shitjes me shumicë në Bashkinë e Tiranës”, kriteret e vendosura për vendndodhjen dhe kushtet e tjera të tregjeve të produkteve agro – ushqimore të shitjes me shumicë në Bashkinë e Tiranës kanë shërbyer si barriera hyrëse për ndërmarrjet e interesuara për të operuar në këtë treg. Gjithashtu pozita e konsoliduar e ndërmarrjes “EKMA Albania SHPK” në treg, qëndrueshmëria e pjesëve të tregut në vite (duke zotëruar 100% të tregut përkatës si e vetmja ndërmarrje), si dhe investimet që duhen për ndërtimin e këtyre tregjeve, përbëjnë barriera të larta në hyrje në tregun përkatës” vlerëson Autoriteti. I njëjti institucion vlerëson se sipas bilancit të ndërmarrjes, vlerës së shitjeve në tregun përkatës, ndërmarrja “EKMA Albania SHPK” ka fuqi ekonomike e financiare, e cila mund të shkaktojë kufizime të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës.Kanë qenë të gjitha këto të dhëna të mjaftueshme për autoritetin që të vlerësojë se ndërmarrja “EKMA Albania SHPK” ka pozitë dominuese në shërbimin e dhënies me qira të ambienteve për magazinimin dhe tregtimin me shumicë të produkteve Agro-ushqimore në qytetin e Tiranës. Në këto kushte është parë e rëndësishme të vlerësohet sesi sillet me këtë pozitë kompania.

Sjellja e ndërmarrjes në treg

Autoriteti i Konkurrencës ka analizuar se nga ana e ndërmarrjes aplikohen tarifa të ndryshme për hapësirat që jep me qira. Kjo në varësi të vendit. Po kështu kontrata parashikon penalitete për qiramarrësit kur ata nuk paguajnë në kohë detyrimin që kanë ndaj kompanisë. Por autoriteti ka konstatuar se ndërsa kontrata garanton siguri për qiradhënësin nuk e mbron qiramarrësin nga prishja e njëanshme e saj. “Në kontratë janë parashikuar garancitë dhe penalitetet e sipërcituara, ndërsa për pjesën e detyrimeve të qiradhënësit nuk parashikohet asnjë formë kompensimi për qiramarrësin. Kontrata nuk parashikon asnjë afat për njoftim të qiramarrësit në rastet kur qiradhënësi prish kontratën dhe e nxjerr qiramarrësin nga tregu, duke vepruar në mënyrë të njëanshme. Zgjidhja e njëanshme e kësaj kontrate nga ana e qiradhënësit e bën të vështirë mbrojtjen e qiramarrësit, duke ndikuar drejtpërdrejtë në marrëdhënien dhe kushtet ndërmjet tyre. Sa më sipër, kushtet e përcaktuara në kontratë janë kushte që sigurojnë dhe japin garanci vetëm për qiradhënësin, ndërsa për qiramarrësin nuk jepet asnjë garanci në rast të prishjes së njëanshme të kontratës nga ana e qiradhënësit, ndërmarrjes “EKMA Albania SHPK”. Kontrata vjen si rezultat i faktit që është i vetmi treg shumice që operon në Tiranë, duke mos siguruar asnjë mbrojtje për qiramarrësin ndaj asnjë forme abuzimi të mundshëm nga ndërmarrja që zotëron tregun. Për organizimin dhe funksionimin e tregut nuk ka një rregullore të mirëpërcaktuar dhe miratuar, mbi bazën e së cilës të mund të monitorohet sjellja e ndërmarrjes me pozitë dominuese që vepron e vetme në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro-ushqimore në qytetin e Tiranës. Mbajtja e një pozite dominuese e ngarkon ndërmarrjen me një përgjegjësi të veçantë, për sjelljen e saj, veçanërisht në vendosjen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve të padrejta apo të kushteve të tjera të padrejta të tregtimit; kufizimin e prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik; zbatimin e kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; vendosjen e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë” thuhet në vendimin e Konkurrencës.